Thumana mes tërmetit dhe COVID-19/ Çifti mes lotëve: Po shembet para syve sakrifica e 30 viteve! Banorët: Na ra një herë bomba, s'na kap koronavirusi

THUMANË- Thumana ofron pamjen e një Shqipërie tjetër, ku bëhet një përzierje e tërmetit të 26 nëntorit dhe koronavirusit. Nga ajo lëkundje tragjike, kanë mbetur gjurmë të thellë në çdo cep që shkel, teksa ende ka buqeta me lule në nderim të viktimave, e ndërsa duket se banorët nuk tremben aspak nga virusi që ka "pushtuar" vendin prej një muaji.

Report Tv ka ndjekur nga afër punimet që po bëhen nga IKMT-ja për shembjen e 9 godinave, për të nisur më pas ndërtimin e qytezës së re për banorët që mbetën në qiell të hapur. Fati deshi që dhe Vera Filto, të kalonin pikërisht në momentin kur banesa e tyre po shembej. 30 vite në atë shtëpi, plot kujtime të bukura e të hidhura u shkatërruan brenda një dite. Teksa fadroma po punon mbi shtëpinë e tyre, lotët i kanë të vështirë për t'i mbajtur, por sërish nuk tërhiqen pas.

Fatosi duke parë shtëpinë e tij teksa shembet

Banesa e tyre nuk ishte dëmtuar nga tërmeti, nuk kishte asnjë plasaritje, tregon çifti, madje kjo godinë ka strehuar dhjetëra banorë të Thumanës, u ka dhënë kafe, një pikë ujë të gjithë forcave të Emergjencës Civile, që po punonin për nxjerrjen e trupave në pallatin ku ka pasur më shumë viktima, 14. Banesa do të shembet, pasi e kap projekti që parashikon njëtrajtësinë e të gjithë godinave.

Gruaja: Jemi të kësaj hyrje që po prishet. kjo është jeta e 30 viteve dhe mundi, me dëshirë nuk doja ta shikoja, por të kemi fëmijët mire. Na kanë thënë do marrin kaq metra sa keni dhe do hyni në shtëpi të reja. E kemi në proces të legalizimi. Fjalët janë shumë të bukura, shpresoj që të bëhet realitet. Kemi marrë një shtëpi me qira në periferi. Na ka dalë dhe bonusi. Kam ardhur nuse në vitet 1990. Kam bërë edhe shkollën këtu. Janë momente shumë trishtuese. Kemi rritur fëmijët me shumë mund dhe sakrificë dhe nuk qenka e lehtë të prishet banesa. Nuk ka pasur asnjë plasaritje, por e kap projekti i rindërtimit. Projekt do t'i bëjë të gjitha uniformë. Mund të dalë diçka e mirë. Kam ardhur nuse nga Dibra, nga Golloborda. Këtu përballë nesh ishte pallati i viktimave, 14. të afërmit e viktimave, por edhe i gjithë populli i Thumanës, dhe i gjithë ushtrisë u kemi dhënë kafe, një pikë ujë. Siç e kemi pirë për vete, ua kemi dhënë edhe atyre. Kemi derdhur djersën.

Burri: Tërmeti i 26 nëntorit, kur të gjithë shkuan në çadra, kjo hyrje ka pritur me mijëra njerëz. Janë kujtime.

Mirëpo, në këtë hapësirë, të rrënojave nga e kaluara, nuk janë vetëm punonjës të IKMT-së, por dhjetëra qytetarë që kanë dalë për të mbledhur hekur dhe për t'i shitur ato më pas për skrap. Pa maska, pa doreza, pasi nuk kanë frikë nga koronavirusi. Ata shprehen se kjo është e vetmja formë që ata kanë për të siguruar bukën e gojës.

"Për bukën e kalamajve. 100 kg hekur është 10 mijë lekë. Unë e di që nuk lejohet ama duhet t'u çojë për të ngrënë te shtëpia, kam gruan kalamaj, nënën duke t'i çojë bukë . Këtu ku po marr unë nuk ka pasur vdekje, shtëpia ime ka marrë një plasaritje", tha një banor.

1586427378_tHUANA001.jpg

Banorët duke mbledhur hekur për skrap

"Sa ta marrë firma t'i marrim ne. Shko o burrë, s'ka virus këtu. Na ka rënë një herë  bomba këtu, s'bie më. Me mbajt familjen. Po mbijetojmë. 20 ditë i kemi bërë karantinë brenda, s'ka më lekë", tha një tjetër.

"Ndihmoj njërin për t'i blerë. mjeti ka autorizim. Ça të bëjmë, në karantinë nuk rrihet pa punë Deri më tani s'na rrezikohet jeta", tha një tjetër qytetar.

Diku më tutje, është një çift të moshuarish të ulur për të pushuar, pasi kanë mbledhur disa dru për të kaluar edhe ditët e mbetura të dimrit. Teksa gazetari i Report Tv, Arsen Rusta u afrohet, ndalin pushimin, ngrihen në këmbë si një shenjë respekti, teksa rrëfejnë se po marrin dru, jo hekur si pjesa tjetër, pasi nuk kanë fuqi për të shkuar deri në mal. Të vetëdijshëm, që duhet të qëndronin në shtëpi, por duhet të punojnë pasi nuk u mjafton pensioni.

"Kam pallatin e gocës që është shembur, i duam për të ndezur zjarr se s'kemi takat të shkojmë në mal. Na rrehet mendja, InshAllah na ruan zoti. S'ka kush të na ndihmojnë, të na sjellin për të ngrënë dhe do rrimë në shtëpi. Duam të punojnë, 44 mijë lekë pension as për drita nuk na dalin. Kanë sjellë ndihma, por i kanë shpërndarë sipas interesit. Na është plasaritur shtëpia, ne punojmë pak më tutje", tha çifti i të moshuarve për Report TV.

1586427343_3001.jpg

Çifti i të moshuarve që po mblidhni dru

B.K./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Hetimi pasuror, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj paraqitet në SPAK

Hetimi pasuror, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj paraqitet në SPAK