Report Tv siguron pamjet e arratisjes së të dënuarit Mikel Kasa nga salla e gjyqit në Gjykatën e Vlorës. Ai iu iku dy efektivëve të policisë të cilët e kishin shoqëruar në sallën e gjyqit, në momentin kur kreu i trupës gjykuese lexoi vendimin që e dënoi atë me 3.4 vite burg.
Ora shënon 10:22 kur menjëherë sapo 29-vjeçari dëgjoi vendimin e gjykatës, ai kapërcen njërën tavolinat dhe më pas largohet nga korridori i katit të dytë të Gjykatës duke përfituar edhe nga mungesa e forcave të rendit. Ai ka qenë pa pranga në duar, çka e ka favorizuar të vrapojë.
I dënuari ka dalë nga dera e pasme e sallës së gjyqit nga ku hyjnë dhe dalin anëtarët e trupës gjykuese.
Mikel Kasa akuzohet për "Shtrëngimi me anë të kanosjes" ose "dhunës për dhënien e pasurisë". Në video duken efektivët e policisë si dhe disa punonjës të tjerë nga stafi i administratës së gjykatës që vihen në ndjekje të të riut. Një nga personat që e ka ndjekur ka qenë edhe shoferi i gjykatës.
Vetë kreu i Gjykatës së Vlorës, njëherazi gjyqtari që pa me sytë e tij arratisjen e të dënuarit Kasa, ngriti shqetësimin se në sallën e gjyqit nuk ka masa sigurie.
Lajmi kryesor: