Report Tv zbardh argumentimin e plotë të SPAK se përse nuk kërkoi masë të re arresti me burg për ish-zv.kryeministren Belinda Balluku.
Qëndrimi i plotë i SPAK
Në nenin 228 të K.Pr.Penale janë parashikuar kushtet e përgjithshme dhe të posaçme për caktimin e masës së sigurimit, ku në paragrafin (3) është parashikuar se: Masat e sigurimit personal vendosen:
a) kur ekzistojnë shkaqe të rëndësishme që vënë në rrëzik marrjen ose vërtetësinë e provës, bazuar në rrethana fakti që duhet të tregohen posaçërisht në arsyetimin e vendimit;
b) kur i pandehuri është larguar ose ekziston rreziku që të largohet;
c) kur për shkak të rrethanave të faktit dhe personalitetit të të pandehurit ka rrëzik që ai të kryejë krime të njëjta ose të të njëjtit lloj me atë për të cilin procedohet.
Në nenin 260/3 të K.Pr.Penale është parashikuar se:
Kur nevojat e sigurimit rëndohet apo personi shkel detyrimet që lidhen me masën e sigurimit, gjykata, me kërkesë të prokurorit mundet të vendosë zëvendësimin e saj me një masë më të rëndë ose caktimin e një mase shtërnguese apo ndaluese shtesë.
Në raportin e deputetëve të mazhorancës në Këshillin e Mandateve, raport i cili është marrë në konsideratë nga Kuvendi në vendimin nr.46 datë 12.02.2026, janë analizuar dhe janë vlerësuar pretendimet e Prokurorisë së Posaçme në raport me nenet 228 dhe 260/3 të Kodit të Procedurës Penale.
Së pari, në lidhje me rëndimin e nevojave të sigurimit.
Në raportin e shumicës parlamentare është arsyetuar se: “Në këtë kuptim, zgjerimi i hetimit penal nuk përbën në vetvete një rrethanë të re procedurale. Ai përbën një zhvillim të zakonshëm të një procedimi penal, veçanërisht në çështje që lidhen me procedura të shumta të prokurimit publik. Për rrjedhoje, vetëm zgjerimi i hetimit ose shtimi i episodeve të dyshuara nuk mund te konsiderohet automatikisht si rrethanë e re procedurale që justifikon rëndimin e masës së sigurimit. Nëse do pranohej fakti se çdo zgjerim i hetimit do te konsiderohej automatikisht si rrethane e re që justifikon arrestin, atëherë çdo procedim penal me shume episode do te përfundonte domosdoshmërish në paraburgim, gjë që do te binte në kundërshtim me parimin e proporcionalitetit dhe me natyrën perjashtimore të arrestit si masë sigurimi”.
Në këto rrethana, Kuvendi ka vlerësuar më parë rrethanat e çështjes penale dhe ka mbajtur qëndrimin se zgjerimi i hetimeve, shtimi i episodeve, nuk mundet të konsiderohet në mënyrë automatike si rrethanë e re procedurale, që të justifikojë rëndimin e masës së sigurimit.
Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë me vendimin unifikues Nr. 00-2026- 736 Vendimi (80), datë 09.04.2026, kanë arsyetuar se:
“Rrezikshmëria e veçantë e veprës dhe e autorit nuk nxirret vetëm ose kryesisht nga natyra e krimit ose nga marzhi i dënimit, por nga vlerësimi i ndërthurur i rrezikshmërisë së veçantë të faktit penal, i mënyrës së kryerjes, pasojave të ardhura, i personalitetit të të pandehurit, i sjelljes së tij, si dhe i rrethanave të tjera të rëndësishme dhe të lidhura ndërmjet tyre për rastin konkret.”
Gjykata e Lartë ne vendimin unifikues ka unifikuar praktikën gjyqësore, që rrëzikshmëria e veçantë e veprës penale, nuk mund të nxirret automatikisht vetëm nga natyra e krimit apo nga marzhi i dënimit të parashikuar për veprën penale.
Shtimi i akuzave në këtë rast për të pandehurën, duke i shtuar akuzat për korrupsion pasiv dhe për pastrimin e parave, përbën një rëndim të pozitës procedurale ndaj të pandehurës në raport me çështjen penale apo përgjegjësinë e saj penale, përbën rëndim të faktit penal, por referuar qëndrimit të Kuvendit për të njëjtën çështje dhe praktikës unifikuese të Gjykatës së Lartë, kjo situatë procedurale, e vetme, ka qënë e pamjaftueshme për të paraqitur kërkesë të re për caktimin e një mase sigurimi më të rëndë.
Pavarësisht rëndimit të pozitës procedurale të të pandehurës, kërkesa për zëvendësimin e masës së sigurimit, në një masë sigurimi më të rëndë, duhet të vlerësohet në raport me kushtet e posaçme për caktimin e masave të sigurimit, të parashikuara në nenin 228 të K.Pr.Penale.
Së dyti, mbi pretendimin e prishjes së provave.
Në raportin e shumicës parlamentare është arsyetuar se: “Në këto kushte, nga materialet dhe informacioni i paraqitur në Këshill nuk rezulton të jenë evidentuar rrethana konkrete, objektive dhe aktuale që të tregojnë ekzistencën e një rrëziku real për prishjen e provave, përfshirë edhe ato që lidhen me dëshmitarët. Për rrjedhojë, pretendimi për rrëzikun e prishjes së provave nuk rezulton të paraqitet mbi baza të tilla që të justifikojnë zëvendësimin e masës ekzistuese të sigurimit me një masë më të rëndë kufizuese të lirisë”.
Gjatë fazës së hetimeve paraprake nga momenti i vendimit të Kuvendit dhe në vazhdim, përvec pretendimeve që Prokuroria e Posaçme paraqiti në Këshillin e Mandateve lidhur me rrëzikun e prishjes së provave, nuk u zbuluan rrethana të reja, përtej atyre pretendimeve të paraqitura, të cilat do të mund të mbështesnin dyshime të reja se e pandehura mundet të ndikonte në procesin e mbledhjes së provave.
Së treti, mbi pretendimin për rrëzikun e largimit.
Në raportin e shumicës parlamentare është arsyetuar se: “Keshilli vlerëson se materialet dhe informacioni i paraqitur nga Prokuroria e Posaçme nuk paraqesin elemente konkrete që të tregojnë ekzistencën e një rreziku real dhe aktual të largimit nga territori i Republikes sẽ Shqipërisë në rastin e deputetes Belinda Balluku. ......... Nga informacioni i administruar në Këshill nuk rezulton të jetë evidentuar ndonjë tentativë per t’ju shmangur drejtesisë, për të cenuar procesin apo për të penguar zhvillimin normal te procedimit penal.
Për rrjedhojë, pretendimi për rrezikun e arratisjes rezulton të mbeshtetet kryesisht në elementin abstrakt të ashpersisë sẽ dënimit te mundshëm dhe në një vlerësim hipotetik mbi sjelljen e personit nën hetim, pa u shoqëruar me rrethana konkrete që të tregojnë se ky rrezik është real, aktual dhe i individualizuar..... Në perfundim, Këshilli vlerëson se, nga materialet e paraqitura, nuk rezulton të jete evidentuar ekzistenca e një rreziku real dhe aktual arratisjeje në kuptimin që kerkohet per caktimin ose rendimin e masës së sigurimit personal”.
Në vijim të hetimeve paraprake, përtej pretendimeve të paraqitura me kërkesën për dhënien e autorizimit, nuk janë zbuluar të dhëna apo rrethana të reja, që të tregojnë se e pandehura ka planifikuar apo ka ndërmarrë veprime konkrete për tu larguar apo për t’ju fshehur drejtësisë.
Së katërti, mbi pretendimin për rrëzikun që i pandehuri të kryejë krime të njëjta ose të të njëjtit lloj me atë për të cilin procedohet.
Në raportin e shumicës parlamentare është arsyetuar se: “Per më tepër, Keshilli mban në konsiderate edhe rrethanën faktike se zonja Balluku nuk ushtron më funksion ekzekutiv në administraten shtetërore. Ne keto kushte, pretendimi që lidhet me mundësinë e perdorimit të funksionit publik per kryerjen e veprave të tjera penale paraqitet pa mbështetje te drejtperdrejte faktike dhe mbetet në nivelin e nje hipoteze. ......
Në përfundim, Keshilli vlerëson se, nga materialet dhe informacioni i paraqitur, nuk rezulton te jetë evidentuar ekzistenca e një rreziku real dhe aktual për perseritjen e vepres penale dhe, per pasoje, ky pretendim nuk paraqitet si baze e mjaftueshme per zevendësimin e masës ekzistuese te sigurimit personal me një masë më të rende kufizuese të lirisë”.
Edhe në lidhje me këtë kusht të posaçëm për caktimin e masës së sigurimit, nuk janë evidentuar rrethana të reja nga momenti i vendimit të Kuvendit. Përkundrazi, situata faktike lidhur me ekzistencën e këtij kushti procedural ka qënë më e disfavorshme për Prokurorinë e Posaçme se situata në momentin e paraqitjes së kërkesës në Kuvend për dhënien e autorizimit.
Në momentin që Prokuroria e Posaçme ka paraqitur kërkesën për dhënien e autorizimit e pandehura ushtronte funksionin e Zv/Kryeministrit dhe të Ministrit, ndërsa në momentin e vendimit të Kuvendit dhe më pas, e pandehura nuk ka ushtruar ndonjë funksion ekzekutiv, përvec funksionit të deputetes, funksion i cili nuk përmban kompetenca individuale që të mund të lidhen me menaxhimin e fondeve buxhetore apo procedurat e prokurimit publik.
Pavarësisht shtimit të akuzave për të pandehurën Belinda Balluku, në mungesë të të dhënave apo prova të reja, përtej pretendimeve të paraqitura në Kuvend dhe të cilat nuk u vlerësuan të mjaftueshme nga Kuvendi, që të krijonin dyshime se e pandehura mund të prishte provat, mundet të largohej apo mund të kryente të njëjtën vepër penale, Prokuroria e Posaçme nuk ka patur argumente ligjore dhe prova me vlerë provuese të mjaftueshme, që të paraqiste në Kuvend një kërkesë të re për dhënien e autorizimit për të pandehurën Belinda Balluku.
Për më tepër, Kuvendi në Rezolutën e miratuar në datën 23.07.2026 “Për vlerësimin e veprimtarisë së Prokurorisë së Posaçme për vitin 2025 dhe rekomandimet për vitin 2026”, në rekomandimin nr.8 ka rekomanduar:
“Rishikimin e praktikës së përdorimit të masave të sigurimit personal, me qëllim garantimin e respektimit të parimit të propocionalitetit, shmangien e zgjatjes së panevojshme të paraburgimit dhe rritjen e masave alternative, në përputhje me standartet evropiane për të drejtat e njeriut”.
Për çështjet e tjera në fazën e hetimit ky përbën një rekomandim për Prokurorinë e Posaçme për të rishikuar praktikën e masave të sigurimit. Ndërsa, në lidhje me çështjen konkrete, për të cilën është e domosdoshme dhënia e autorizimit, ky rekomandim shpreh njëkohësisht qëndrimin e Kuvendit për praktikën ekzistuese të masave të sigurimit.
Si përfundim, qasja e Prokurorisë së Posaçme mbi mundësinë e paraqitjes së një kërkese të re për dhënien e autorizimit për zëvendësimin e masës së sigurimit për të pandehurën Belinda Balluku, ka qënë në përputhje me kërkesat e Kodit të Procedurës Penale, me vlerën provuese të provave në dosje, si dhe në zbatim të vendimit nr.46, datë 12.03.2026 të Kuvendit dhe qëndrimit të këtij institucioni mbi praktikën e përdorimit të masave të sigurimit.
Lajmi kryesor:
SPAK përjashton kërkesë tjetër në Kuvend për Ballukun: Deputetët na vunë kufi! Shkojnë në gjykatë 10 tenderë me vlerë 400 mln € të manipuluar! Ja EMRAT e 28 të pandehurve








