Kryeministri Edi Rama është shprehur se Shqipëria që prej vitesh përcaktohej si një vend me kulturë pandëshkueshmërie, sot shihet me një qasje krejt ndryshe.
Komentet Rama i bëri nga Dublini, ku përmendi edhe progres-reportin e Komisionit Europian për Shqipërinë, i cili sipas tij evidentoi rritje të luftës kundër korrupsionit në vend.
Rama gjithashtu fajësoi mediat sociale, të cilat sipas tij po ndikojnë edhe në përkeqësimin e mediave tradicionale, duke çuar në pasqyrimin jo real të të vërtetave.
“Kam një pyetje që ka të bëjë me SPAK që ka ngritur akuza ndaj disa ish-zyrtarëve të lartë, sa i takon përvetësimit të fondeve. Dhe pyetja është që nëse po ndodh kjo gjë në Shqipëri, si kërkoni që t’ju besohet institucioneve shqiptare, ndërkohë që pjesë e drejtuesve të tyre janë nën hetim në Shqipëri?”, ishte pyetja drejtuar Ramës.
“Përgjigja është e thjeshtë, gjithkush mund të jetë nën hetim dhe të mos ndikohet... Kjo është thelbi i besimit. Irlanda, por e gjithë lista e vendeve të BE-së, kundrejt perceptimit të popullsive të tyre për korrupsionin, disa vende të BE-së kanë në popullatën e tyre një perceptim më të lartë për korrupsionin sesa kanë shqiptarët për vendin e tyre. A është e vërtetë? Sigurisht që nuk është e vërtetë. Por nga vjen? Vjen nga e keqja që po lejojmë të përcaktojë mënyrën sesi i shohim gjërat. Quhet media sociale, që po përkeqëson dita ditës edhe median e zakonshme.
Ajo që për Shqipërinë është përcaktuar prej vitesh të tëra si një vend me një kulturë pandëshkueshmërie, ka ndryshuar tashmë me qasjen që është një vend ku nuk ka më kulturë pandëshkueshmërie. Natyrisht vendet të gjitha duhet të përballen me çështjet e korrupsionit në dritë të diellit. Duhet të vazhdojnë t’i bëjnë gjërat më mirë. Ja pse Komisioni Europian po na përgëzon. Kur Komisioni thotë është në rregull, atëherë gjithçka është në rregull. Komisioni është i saktë”, tha mes të tjerash Rama.
Lajmi kryesor:
Rama nga Dublini: Shohim një derë të hapur për t’u bërë pjesë e BE! Protestat e 'flamingove', rezultat i urrejtjes ndaj Trump! Investimi në Zvërnec do i bëjë shqiptarët krenarë









