Report Tv zbardh raportin e plotë të KE për Shqipërinë/ Nga vlerësimi i reformës zgjedhore te kushti për ngritjen e Gjykatës Kushtetuese

Report Tv zbardh raportin e plotë të KE për Shqipërinë/ Nga vlerësimi i reformës zgjedhore te kushti për ngritjen e Gjykatës Kushtetuese

Komisioneri për Zgjerim, Oliver Varhelyi

Në Raport Progresin e Komisionit Europian për Shqipërinë të prezantuar sot nga Komisioni Europian u theksua se vendi karakterizohet nga klimë politike tejet e polarizuar. Në raport vihet theksi tek djegia e mandateve të opozitës, shtyrja e datës së datës së zgjedhjeve nga ana e Presidentit dhe nismat e Parlamentit për shkarkimin e tij si faktorë që ndikuan negativisht në këtë situatë.

"Marrëveshja për reformën elektorale konsiderohet si një hap tejet pozitiv për përmirësimin e gjendjes. Ndryshimet në kodin zgjedhor u miratuan nga Parlamenti në 23 korrik 2020, në përputhje me marrëveshjen e 5 qershorit 2020. Përveç kësaj, Parlamenti miratoi në 30 korrik disa ndryshime në Kushtetutë në lidhje me sistemin zgjedhor.  Ndryshimet e fundit nuk kanë lidhje me zbatimin e rekomandimeve të OSBE / ODHIR, ndryshime të cilat nuk patën konsensusin në Këshillin Politik dhe u votuan nga shumica me 5 qershor 2020. Dialogu politik në vend duhet të përmirësohet, veçanërisht për reformën zgjedhore dhe zbatimin e saj. Pavarësisht nga rezultati pozitiv i marrëveshjes së arritur në 5 qershor 2020, dialogu politik në vend duhet të përmirësohet, veçanërisht për reformën zgjedhore dhe zbatimin e saj", theksohet në raport.

Në raport theksohet se Shqipëria është mesatarisht e përgatitur me reformën e administratës publike, ku arritjet e prekshme, duhen fuqizuar më tej.

"Arritje të tilla kanë nevojë për konsolidim të mëtejshëm. Qeveria duhet të shtojë përpjekjet drejt politikëbërjes bazuar në prova, krijuar kapacitete administrative në ministritë e linjës për planifikimin dhe monitorimin e politikave, mbledhjen e të dhënave si dhe përdorimin e vlerësimeve të ndikimit rregullator për të informuar politika më të mira", theksohet në raportin e bërë public sot.

 Njësoj si administrata shtetërore vlerësohet edhe sistemi gjyqësor i Shqipërisë i përgatitur mesatarisht,  edhe pse i është nënshtruar një reforme gjithëpërfshirëse dhe të plotë. Institucionet e reja  janë parë si element tejet pozitiv në mirëfunksionimin e sistemit, ndërkohë që vihet theksi në plotësimin e vendeve vakante për Gjykatën Kushtetuese, kusht ky i BE për mbajtjen e Konferencës së Parë Ndërqeveritare.

Ndërkohë që vlerësohet pozitivisht procesi i Vettingut, proces i cili kontrollon pastërtinë e figurës së gjyqtarëve dhe prokurorëve, pasurinë dhe profesionalizmin e tyre. Më shumë se 286 dosje janë përpunuar deri më tani, duke shkaktuar në 62% të rasteve shkarkime, kryesisht për çështje që lidhen me pasuri të pajustifikuara. Në raport theksohet se pavarësisht se numri i hetimeve ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve është i lartë, dënimet ndaj zyrtarëve të nivelit të lartë mbeten të kufizuara.

Komisioni Europian vlerësoi se korrupsioni mbetet i përhapur dhe është një shqetësim serioz, por autoritetet, thuhet në raport kanë forcuar kapacitetet operacionale, koordinuese dhe monitoruese në luftën kundër korrupsionit.

"Shqipëria ka bërë progres të mirë në forcimin e luftës kundër krimit të organizuar, operacionet policore për shpërbërjen e organizatave kriminale janë intensifikuar, po ashtu edhe lufta kundër kultivimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike.  Një tjetër pikë pozitive në raport është edhe lufta ndaj terrorizmit dhe lufta kundër pastrimit të parave të pista", thuhet më tej në raport.

Lidhur me pronat Komisioni Europian kërkoi përparim të shpejtë në regjistrimin e pronave, si një nga problemet më të mprehta të vendit tonë.

“Nevojitet një progres i shpejtë për këtë çështje dhe për avancimin e procesit të regjistrimit të pronave. Shqetësimet janë ngritur nga qytetarët që i përkasin pakicës greke në lidhje me të drejtat pronësore në bregdetin e jugut“, theksohet në raport.

Një kapitull më vete Komisioni Europian i kushton edhe lirisë së shprehjes, ku theksohet se në dhjetorin e kaluar parlamenti miratoi një sërë ndryshimesh në ligjin e medias, megjithatë progresi i arritur për ta është në nivel mesatar.

"Ndryshimet nuk janë në standardet dhe parimet ndërkombëtare të lirisë së medias dhe ngrenë shqetësime në lidhje me rritjen e censurës dhe vetë censurës dhe pengesave të mundshme të lirisë së shprehjes në vend. Projektligji për mediat aktualisht po rishikohet , pas mendimeve dhe opinioneve të Komisionit të Venecias", shkruhet në raportin e KE.

Sa i përket kritereve ekonomike, Shqipëria ka bërë disa përparime vlerëson Komision, ku theksohet se Shqipëria është mesatarisht e përgatitur për një ekonomi tregu funksionale. "Pandemia COVID-19  thekson se ka përkeqësuar situatën dhe rënia ekonomike ka zbehur suksesin e disa aspekteve. Në lidhje me marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunimin rajonal, Shqipëria ka vazhduar të jetë aktive në bashkëpunimin rajonal dhe të mbajë marrëdhënie të mira fqinjësore. Ndërkohë që theksohet se vendi duhet të vazhdojë  me përgatitjet e saj  për miratimin dhe zbatimin e "acquis  communitaire të BE", shkruhet më tej.

Pika e fundit të cilës i është kushtuar rëndësi në progres raport ishte migracioni dhe menaxhimi i kufirit dhe politikat e azilantëve. Sipas të dhënave të BE, numri i azilantëve nga Shqipëria në vendet e BE-së ka rënë dukshëm dhe kjo në saj të politikave të ndërmarra.

“Në 2019 kishte rreth 2.7% më pak nga këto kërkesa për azil sesa në 2018 dhe pothuajse 20% më pak se në 2017. Ulja vazhdoi edhe në dy muajt e parë të vitit 2020 (para COVID-19), me 35% më pak se në të njëjtën periudha në 2019. Kjo çështje ka kërkuar dhe do të vazhdojë të kërkojë përpjekje thelbësore nga autoritetet shqiptare", thuhet në pikën e fundit të raportit.

*Përgatiti Suada Mehmetaj


Lajmi kryesor:

Progres raporti i KE/ Varhelyi: Shqiperia pranë plotësimit të kushteve për konferencën e parë! Progres i jashtëzakonshëm me Reformën elektorale


B.K./Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Dy ish-kunatat, Nora Istrefi e Tuna bëhen bashkë, këndojnë mbi arkivol 'My love' (VIDEO)

Dy ish-kunatat, Nora Istrefi e Tuna bëhen bashkë, këndojnë mbi arkivol 'My love' (VIDEO)