Veçse kam bindjen tjetër se ne, shqiptarët, çuditërisht, kemi humbur besimin tek zgjedhjet tona, për atë që duam vërtetë. Atë që na pëlqen, apo nuk na pëlqen. Si duam të jetojmë, ku duam të jetojmë. Burrat largohen nga familja, emigrojnë vetëm për të ndërtuar një shtëpi të mirë, me kushte moderne.
Një kat, dy kate, tre kate. Dhe futen në garë me komshiun, i cili për shkak të krizës ekonomike që ka mbërthyer botën, e ka lënë të papërfunduar shtëpinë e tij; apo mëshirojnë ata që jetojnë ende në 'shtëpitë e Enverit', siç u thonë.
Madje, ndërtesa e shtëpisë është diskutimi i ditës për gratë: 'E pe ç'shtëpi ka bërë? Me para djerse nuk bëhet aq kollaj!'. Këtë fanatizëm ua përcjellin edhe fëmijëve, që të paktën kur të 'zgjedhin' partnerin e jetës, ai të ketë shtëpi shumë të mirë, dhe kështu do të jetë fatlume.
[gallery]23894[/gallery]
Lexojmë shumë në ditët e sotme në revista e gazeta, “Ja tendenca e fundit për të moderuar shtëpinë”, apo këshilla se si duhet të kombinojmë tapetin me ngjyrën e perdes dhe pafund të tjera si këto; por shtëpitë e vjetra, ato që janë gati në rrënim apo vilat e vjetra të figurave të njohura që ditët e sotme janë restauruar, me vetëdije ose jo, janë lënë mënjanë.
Ajo që më trishton është dhe dëshira e të moshuarve të banesave shumëvjeçare, për zëvendësimin e tyre me të reja. Pse ne, shqiptarët, vlerësojmë të renë, kur të huajt ruajnë me fanatizëm të vjetrën?! Të pyetur pse shfaqin këtë interes të madh për firmat që si me magji mbijnë pallate, dhe mjaftohen me një pjesëz fare të vogël nga pallati, banorët përgjigjen për Shqiptarja.com se të gjithën e bëjnë për të ardhmen e fëmijëve.
[gallery]23895[/gallery]
Shtëpitë shumëvjeçare
-Ngjitur me Qendrën Rinore, në rrugën e Kavajës është një ndërtesë e rrënuar, e cila ka gati 5-6 vjet që nuk përdoret më, por e ndërtuar para vitit 1934. Pra, rreth 100 vjeçare. Ndërtesa që sot nuk ka emër, ka jetuar periudha të ndryshme nga njëra tjetra, duke ju përshtatur dëshirave të liderëve politikë.
Më 20 Janar 1944, ky vend ka qenë gjimnaz i shtetit, çerdhe e veprimtarisë revolucionare antifashiste, ndërsa sot në demokraci shfaqet në mjerim. “Në kohën e Zogut ka qenë shkollë kjo, më pas në kohën e Enverit u kthye në magazinë.
Në atë kohë e shoqja e pronarit, Astritit ka qenë magaziniere dhe e ka privatizuar.
Më vonë e kthyen në bar kafe, bashkë me bilardo.
Ndërsa sot e jep me qira”, tregon një banor i zonës aty afër. Në këtë gjendje?- e pyes. Dhe më përgjigjet se kur të dalë njeri garant, atëherë do të nisë me riparimet, teksa shton se qiraja për këtë dhomë të vogël është 1 mijë euro në muaj.
Ndërtesa e rrënuar ngjitur me Qendrën Rinore Tregtare në rrugën e “Kavajës” në Tiranë
-Shtëpia e Fluturës në rrugicën e tregut çam, dallon nga të tjerat që larg, me muret e zhvatura dhe dritaret e moçme.
Banesa e saj është reflektim në të shkuarën, me tualetin jashtë shtëpisë, televizorin e vjetër, mbulesën mushama, biçikletën në oborr.
Flutura më tregon se “unë jam nuse këtu që para 50 vjetëve, jam 70 vjeç; edhe më e vjetër është shtëpia. Burrin e kam pasur berber, djali me një rrogë, ku t’i gjej të ardhurat që të investoj? Kur kam qenë gocë edhe kam ardhur këtu, normalisht ka qenë ndryshe nga sot, një qetësi që nuk krahasohet. Rrugët kanë qenë bosh,makina nuk ka pasur”.
Flutura shpreh dëshirën për ta këmbyer shtëpinë me një dhomë në pallat, për hir të të ardhmes së fëmijëve. Edhe pse ‘shtëpia e Enverit’ e bën nostalgjike për atë kohë, për kujtimet e rinisë, Flutura është e gatshme të pranojë ofertën e ndonjë firme...
Banesa e Fluturës në rrugicën e tregut çam, reflektim i të shkuarës
-Edhe një godinë tjetër e vjetër, në rrugën e Kavajës është e kyçur. Taksistët që qëndrojnë përballë saj tregojnë për Shqiptarja.com, se pronarët që jetonin aty kanë ikur në Amerikë të gjithë. Ndërsa më parë, para 50 vjetësh ka qenë kabina e Radio Televizionit Shqiptar.
“Përveçse që ditët e sotme, gjatë ditëve të javës, përdoret nga komuniteti rom për shitjen e rrobave të përdorura, nuk di gjë tjetër”, tha një vajzë e re që punon në butik. Ndërsa, disa kalimtarë më thonë të bindur, duke më ngritur një fije dyshimi, se “para shumë vjetësh, nuk numërohen vitet, kjo ndërtesë ka qenë bordello”.
Godinë në rrugën e “Kavajës” e cila qendron prej vitesh e kyçur
-Shtëpia e Zihni Shatkut, në rrugën e Dibrës është 150 vjeçare. Më parë ka jetuar i ati i tij, Eqerem Shatku, me profesion ‘sapunxhi’(sapunbërës) siç i thoshin atëherë. Ndërtesa ka edhe një shtesë, e cila nga tiransit quhet “Shtëpia e Zjarrit”, një vend ku nënat gatuanin apo edhe mblidheshin të shtëpisë për t’u ngrohur.
Familja Shatku janë të ardhur nga Maqedonia, Dibra e Madhe, në vitin 1912 kur bëhej lufta serbo-bullgare; e bënin këtë rrugë fillimisht me kuaj ku tregtonin ushqime (ndaj, edhe quhet Rruga e Dibrës), dhe ndalonin në han për të pushuar.
Më pas, i ati i tij u shpërngul përfundimisht në Tiranë ku bashkëpunonte me italianët për lëndën e parë të sapunit.‘Në han(vendi si bujtinë, në buzë të një rruge ku njerëzit ndalojnë për të ngrënë ose fjetur),- tregon një kuriozitet Zihniu për Shqiptarja.com -, mbaj mend nga varfëria s’kishin për të na dhënë për të ngrënë, e sajuan në enë baltë, ujë, uthull dhe qepë’. Ndërsa në shtëpinë shumëvjeçare, ai jeton i lumtur me gruan e tij, Bukurien, dhe me nostalgji tregon kujtimet e të shkuarës.
“Është shprehur ideja për t’u bërë monument kulture, por nuk më kanë trokitur më në derë”, tha 84 vjeçari, z.Shatku. Me një cigare në dorë dhe një buzëqeshje në fytyrë, Zihni Shatku më tregon imtësisht shtëpinë e tij. Në ‘Shtëpinë e Zjarmit’ nuk ka vënë dorë sepse nuk ka më fuqi, por objektet e të kaluarës i kanë mbijetuar. E vetmja gjë që ka ndryshuar është WC me pllakat e tualetit, ndërsa dera ka mbetur e njëjta.
Zihni Shatku “Shtëpia e Zjarrit” e familjes Shatku
-Dhe qëllimisht, për në fund lashë godinën e sotme të “Partisë SocialDemokrate të Shqipërisë”, e cila sipas rojës që qëndron ulur në një karrige dhe ruan vetëm ambientin jashtë “është shumë e vjetër, edhe gjyshi im e stërgjyshi e ka zënë”. Edhe kjo ndërtesë është gati e rrënuar, bari nuk është i prerë, muret e rëna dhe dera është e kyçur, dhe supozohet që këtu drejtohen mbledhjet e Këshillit Drejtues të kësaj partie, pasi roja ka urdhër ‘të mbyllë sytë dhe gojën” dhe të mos flasë me të panjohurit.
Vilat e restauruara
-Në kohën e Zogut, kanë qenë dy bare me emrat ‘London’ dhe “Berlin”, të cilët u mbyllën në 45’ sepse s’kishin emrat e përshtatshëm në atë kohë; për të ruajtur traditën, pronarët e një prone të moçme, hapën Bar-Restorant në 1993 me emrin ‘London’.
“Në periudhën kur italianët pushtuan Shqipërinë, kjo ndërtesë ishte thjesht një vilë, nuk ishte lokal, ku sipër banonte një doktor; ndërsa sot është e pabanueshme. Më pas, në kohën e diktaturës ka qenë studio fotografie, që quhej “Foto Ristani”, ku sipër jetonin njerëzit e privilegjuar të Enverit. Oborri ku tani është kafja, ka qenë kinema verore dhe ka ngelur e pariparuar vetëm kulla e vrojtimit. Pas 90’, iu kthye prona pronarëve të sotëm, të cilët që në vitet 93-94, hapën ‘Bar-Restorant London’. Në ato vite ishte e vështirë të fusje në Shqipëri stil të huaj, por me emrin që i vunë lokali nuk bëhej ndryshe”, tregon Gledi për Shqiptarja.com, i cili ka 10 vjet që punon këtu.
-Vila Fortuzi në rrugën Fortuzi, ku ka banuar historiani Aleks Buda quhet sot “Hotel, Butik & Restorant Patricia”.
Arsyeja pse ka marrë këtë emër është falë kontributit të zonjës Patricia në këtë vilë. Për mirënjohje, pronarët e kësaj prone e kanë quajtur Patricia. Para se të hysh në ‘Hotel, Butik & Restorant Patricia’, në murin jashtë lexon “Këtu ka jetuar historiani Aleks Buda”. Adi, i cili ka 11 vjet që punon kamerier aty, tregon për Shqiptarja.com se “kjo është edhe arsyeja pse vijnë klientët. Pyesin, kanë kuriozitet”.
-Vila “Gold” e ndërtuar që në vitin 1926, me pronarin e atëhershëm, Kristo Floqi, me profesion avokat, i cili që atëherë ka ruajtur largësinë e ndërtesës nga rruga, pasi ka menduar se do të zgjerohej vendi. Ilirian Bomova, i cili ka prej vitesh që punon aty, një burrë tepër mikpritës, më tregoi se “Pas çlirimit, Vila Gold ka qenë kopsht.
Ngjitur me të ka qenë Vila Tafaj, e cila sot është shembur nga pronari i tanishëm. Pretendohet se do të krijohet diçka e përbashkët me Vila Gold”.
Vila Gold në rrugën e “Dibrës”, ngjitur me të ka qenë Vila Tafaj
-Vila “Odette” dhe “Picadilly”, sipas banorëve të lagjes kanë pronarë nga e njëjta familje, të cilët janë në konflikt me njëri tjetrin. Ndaj edhe sot njëra prej tyre, Vila “Odette”, më shumë se 70 vjeçare, qëndron e mbyllur. Ndërsa “Picadilly ka klientë të zgjedhur, me muzikë të “Top Gold Radio” krijon një atmosferë që të kujton të shkuarën. Kamarieri tregon për Shqiptarja.com, se aty është xhiruar edhe filmi i vjetër ‘Kapedani’ me Xha Sulon.
-Qendra e Krishterë në rrugën e Barrikadave, më parë ka qenë vila e ish ministrit të brendshëm të Shqipërisë, Musa Juka. “Deri në vitet 90 ka qenë e shtetit, Ambasada Vitnameze.
Pastaj erdhën të bijat e Musait dhe e shitën”, tregon kujdestari i kopshtit për Shqiptarja.com. I pyetur nëse ka ndryshuar në krahasim me çka qenë, ai përgjigjet “vetëm në pamje të jashtme është siç ka qenë. Siç e kemi ne, shqiptarët: dy gurë bashkë nuk i lemë”(qesh).
Dhe po, siç thotë kopshtari, nuk i lëmë dy gurë bashkë, e ndoshta ndaj nxitojmë me vrap drejt perëndimit, me mure gipsi e hapësira minimaliste; e kemi harruar nga vijmë, kush jemi. Por si mund të bëhemi më të mirë, kur nuk njohim më veten?
Dhe nëse ende nuk jemi në këtë pikë, nëqoftëse nuk ndërgjegjësohemi, do të gjendemi shumë shpejt në një situatë ku midis vilave amerikane, apartamenteve europiane, dhe shtëpive të rrënuara nga harresa shqiptare...nuk do e njohim më veten. E atëherë, mendoni se bota, do na njohë bota?!
Redaksia Online
J.Sh Shqiptarja.com