TIRANE- Ndonëse është vetëm java e dytë e fillimit të vitit shkollor, gjimnazistët e "Petro Nini Luarasit" se kanë shumë qejf mësimin. Kështu që e kanë gjetur një zgjidhje. Braktisin disa prej orëve të mësimit dhe shkojnë të gjithë së bashku në lokalin e preferuar.

Gjatë vëzhgimit që bëmë pranë kësaj shkolle vumë re që një pjesë e mirë e nxënësve dilnin nga porta kryesore, ndërsa ata që nuk arrinin të kapnin 5-minutëshin e pushimit, nuk nguronin aspak të kapërcenin murin rrethues dhe kangjellat e hekurit që rrethojnë oborrin e kësaj shkolle. Madje edhe gjatë vizitës së shkurtër që ne bëmë në këtë shkollë pamë disa prej djemve që e gjenin shpëtimin në këtë mënyrë dhe sidomos tek porta e vogël që ndodhet në fund të murit rrethues. Vetë gjimnazistët na tregojnë se braktisja e orëve të mësimit është një ritual i përditshëm, si për vajzat ashtu edhe për djemtë, dhe sidomos kur bëhet fjalë për lëndët me zgjedhje.

"Po këtu i lënë orët e mësimit. Unë tani duhet të isha në mësim po nuk jam. Edhe pse jam jashtë pa dëshirën time se më nxori zysha, shumë herë i lë orët e mësimit. Përgjithësisht lëmë orët e para ose orën e fundit, e cila është edhe lëndë me zgjedhje"- thotë Elvisi, gjimnazist te "Petro Nini Luarasi". Ndërsa vajzat e kanë më të vështirë ta pohojnë këtë gjë, por thonë se njohin të tjera që i lënë orët e mësimit. "Edhe në klasën tonë ka vajza që lënë 1 ose 2 orë mësimi në ditë. Ato nuk justifikohen fare tek mësuesja kujdestare apo t'i marrin leje asaj. Kjo për arsyen se mësuesja do një verifikim nga prindërit dhe para se të japë lejen i telefonon prindërve të nxënësit përkatës" - tregon Ledia maturante e po këtij gjimnazi. Ndërkohë që shoqja e saj, Xhulia, thotë se ditën tjetër, kur mësuesja i pyet përse i lënë orët e mësimit, ato nuk i japin asnjë arsye. Por më të sinqertë duket se janë ata që e kanë mbaruar shkollën. Një gjimnaziste që e kishte mbaruar këtë vit "Petro Ninin" thotë se lënia e orëve të mësimit ka qenë rutinë si për vajzat ashtu edhe për djemtë. "Unë e kam mbaruar këtë vit dhe sot kam ardhur për të marrë diplomën e pjekurisë, por i linim orët pa fund së bashku me gocat e klasës. Për sherre e zënka nuk mund të them se bëhen"- shprehet ish- nxënësja e këtij gjimnazi.

Shkrimi u publikua sot ne gazeten Shqiptarja.com
(sg/shqiptarja.com)