Reportazh/ Në gjurmët e Ndre Mjedës! Dom Nik Ukgjini na rrëfen Kuklin, vendin ku shkroi veprat poeti i madh

Rreth 20 minuta nga Shkodra, Qendra muzeore Ndre Mjeda, është takimi me një kompleks sa arkitekturor, historik por edhe me një poet që ofron gjithçka. Aty takojmë Mjedën, poetin e madh të letrave shqipe, që më Kuklin e lidh shumëçka.

Kukli i njohur si "Cucculi" qysh në Mesjetë, është një fshat i vogël diku ndërmjet Lezhës e Shkodrës, i cili shtrihet në fushën e Zadrimës deri në shpatin e këndejmë të malit të Kakarriqit. Kísha e ngjitur pak në shpat, prej ku “lahet” me shikim krejt fusha, është ndërtuar para 100 e ca vjetësh; në vitin 1906 është projektuar dhe ka nisur ndërtimi i saj dhe ka përfunduar në vitin 1913 prej famullitarit të atëhershëm Dom Ndre Mjeda. Po në këtë kohë është ndërtuar dhe shtëpia e banimit (qela) sot shtëpi muze. Aty në Kukël ai shkroi e lëmoi lirikat dhe tingëllimat e tij-perla të letërsisë shqipe, aty shkroi poemat “Andrra e Jetës”, “Lissus”, “Shkodra”. Banonte dhe shërbente aty me petkun e meshtarit edhe përgjatë viteve1921-1924 kur qe deputet i parlamentit të parë shqiptar.

Historiani Dom Nik Ukgjini, drejtuesi i qendrës muzeore Ndre Mjeda na tregon:

"Kjo zonë faktikisht kur unë kam ardhur në 2007-n ka qenë një vend me pyll, i papërpunuar, i pasistemuar dhe vetëm këto dy objektet kanë qenë, që i shohim këtu, kisha dhe qela, por gjithmonë të parestauruara ose të restauruara në mënyrë shumë provizore nga etërit e Nënë Terezës që kanë qenë këtu nga viti 1993 dhe ata janë munduar që këto objekte dhe këtë ambient ta ruajnë sa ka qenë e mundur, por një objekt i cili ose në tërësi ka qenë krejtësisht e dëmtuar gjatë kohës së komunizmit këtu sepse largimit të Ndre Mjedës këtu kanë ardhur disa priftërinj të tjerë, por gjatë kohës së komunizmit faktikisht objektet janë ruajtur por janë tjetërsuar, qoftë kisha qoftë edhe qela, pastaj normalisht edhe ambienti ka qenë disi i egërsuar këtu rreth e rrotull dhe me ardhjen time këtu atëherë fillova të projektoj se si duhet të rikthehet shkëlqimi i dy objekteve që ka ndërtuar vetë poeti Ndre Mjeda, si kisha dhe qela dhe pastaj fillova duke u marrë edhe me ambientin sepse të dy objektet duhet gjithmonë të përcillen edhe me ambientin, sistemimi i tyre.

Kështu që në 2010-n kemi filluar një projekt që e kishim të realizuar nga arkitekti Zef Çuni dhe ngadalë, hap pas hapi, duke parë se gjërat kanë nevojë edhe më tepër të punohen dhe të bëhen sa më të sistemuara, sa më të pranueshme, të jenë edhe në aspektin artistik sa më të punuara, edhe kështu që në 2010-n kemi filluar dhe pastaj në 2011-2012 faktikisht i gjithë ky ambient ka qenë i sistemuar qoftë edhe me pamjen e këtij oborri këtu, që është edhe me këtë pjesën e fontanës që është shenjë e një kulture. Sidomos në kohërat e mëparshme, ka qenë shenjë qytetërimi pjesa e fontanës.

Kështu që ngadalë e mori formën e vet dhe këtu në mes kemi ngritur edhe shtatoren e poetit Ndre Mjeda. Këtu ishte një gjë që shihej se ishte e nevojshme të ishte poeti këtu sepse çdo gjë bëhej për shkak të tij. Kështu që biseduam me Sadik Spahiun, një skulptor që ka përvojë mjaft në këtë drejtim dhe ai faktikisht na ofroi falas që ta bënte këtë shtatoren e poetit Mjeda dhe kështu që e kemi në bronz.

Poeti ynë është paraqitur në mënyrë jashtëzakonisht, po them, të qëlluar për arsye se janë marrë të gjitha ato tiparet e poetit Ndre Mjeda, edhe karakteristikat e tij të fytyrës, të duarve, qoftë edhe të veladonit, i cili ka edhe simbolin e veladonit që kanë mbajtur priftërinjtë në atë kohë, sidomos poeti Ndre Mjeda dhe pastaj është edhe simboli i një kambane, e cila ka porosinë e vet në çdo kohë. Në atë kohë kambanat e kishin porosinë të jepnin kushtrimin, mbledhja e popullit, ardhja ose ftesa e popullit për të ardhur në kishë, siç ka qenë zakon përpara dhe kështu që në kohën e sotme, normalisht që ka gjithmonë simbolin e vet sepse na thërret, i thërret ndërgjegjes së shqiptarëve që t’i rikujtojnë këta rilindës, të cilët vunë themelet e çdo gjëje shqiptare. Përmes faktikisht Zadrimës, ai ka parë ose ka soditur gjendjen e të gjithë shqiptarëve sepse ai ka qenë një person që e ka njohur dhe historinë.

Ka qenë person që ka përjetuar shumë ngjarje historike, qoftë ato të kohës së Kongresit të Berlinit ku u copëtuan trojet shqiptare, qoftë ato konferencat që u mbajtën më vonë sidomos Konferenca e Londrës më 1913, kur u vendos përfundimisht që trojet shqiptare, gjysma e tyre, të mbeten jashtë dhe të gjitha këto shihen edhe në pamjen e Ndre Mjedës, në vetullat e tij, në seriozitetin e tij, i cili vëzhgon përtej Zadrimës edhe kudo sepse ka qenë njeri që ka shkruar për të gjithë, pra për të gjithë popullin, për çdo lloj shtrese. Poezia e tij ka një porosi të madhe, ka porosi për këdo, edhe për politikën e kohës sepse ai ka qenë ka qenë deputet në vitet 1921-1924. Pastaj edhe intelektualëve, zgjimi i ndërgjegjes së intelektualëve ose t’u jepte forcë edhe atyre, kurajë që edhe ata të punojnë dhe më tepër të veprojnë se kombi shqiptar në atë kohë kishte nevojë të frymëzohej nga shumëkush dhe të merrte fizionominë e një kombi të mirëfilltë, jo siç ishte atëherë i copëtuar, në kohën e Perandorisë Osmane, por të jetë një komb që do të krahasohet, do të shkojë përkrah popujve të Evropës", shprehet Dom Nik Ukgjini.

Dom Ndre Mjeda qe njëri prej personazheve më të rëndësishëm të kulturës, shqiptare në gjysmën e parë të shekullit të njëzetë, njëri prej protagonistëve më të zëshëm të saj, kontribues i spikatur i ruajtjes dhe shpërfaqjes së identitetit tonë kombëtar. Rreth tridhjetë vite të jetës së vet kreative ai i kaloi në Kukël dhe kjo ka qenë një shtysë e arsyeshme për ta kthyer këtë vend në një pikë nderimi e pelegrinazhi për Mjedën dhe veprën e tij në dobi të kombit.

Pas peripecive të shumta dhe kalvarit që kaluan besimet fetare, e posaçërisht kisha në Shqipërinë komuniste, në shekullin e ri Kukli po e rigjen veten në tërë përmasën e tij shpirtërore, historike e kulturore. Në sajë të punës këmbëngulëse të famullitarit Dom Nikë Ukgjini, të mbështetjes nga Arqipeshkvia e Shkodrës dhe Bashkia Vau Dejes si dhe nga një numër përherë e më i madh dashamirësish e dhuruesish, me kompleksin muzeor “Ndre Mjeda”.

Në qendër të këtij kompleksi, me shikimin e çliruar mbi hapësirën e gjerë të fushës së Zadrimës, ngrihet skulptura monumentale e Ndre Mjedës, në formën e një kambane që duket se mbledh gjithë tingujt e fushës e ua kthen njerëzve, si dikur Poeti tingëllimat e tij harmonike. Vepër e skulptorit shkodran Sadik Spahija, statuja e Mjedës është zemra e këtij kompleksi, i cili tashmë është shndërruar në një pikëtakim të rëndësishëm festash, kremtimesh e veprimtarish kulturore.

"Këtu ai vetë e ka ideuar faktikisht këtë kishë, në këtë lloj forme, e cila nuk ka përmasa të mëdha se në atë kohë nuk ka pasur shumë popull dhe ka zgjedhur të jetë faktikisht sistemi neoklasik. Zakonisht objektet neoklasike, ato kanë filluar në shek. XIX e në vazhdim të projektohen, të zhvillohen dhe nga brenda ato janë arkitekturë e thjeshtë, popullore. E thjeshtë në kuptimin që s’ka ndonjë gjë që ta përthyejë, t’i japë shije syrit. Kurse nga jashtë neoklasicizmi gjithmonë janë ndërtesa impozante, janë ndërtesa që tregojnë se është një gjë madhështore ky objekt ose edhe objektet e tjera. Kështu që në këtë drejtim këtë kishë e ka ndërtuar ai në këtë formë, e ka ndërtuar në 1913-n, në kohëra të vështira praktikisht sepse ishte atëherë koha që vazhduan luftërat për trojet shqiptare, për çlirimin e tyre, pastaj për pushtimin e tyre nga ana e serbëve dhe malazezëve pas Konferencës së Londrës. Por sidoqoftë ai ka arritur të bëjë një punë sipas dëshirës së tij sepse ai ka qenë edhe arkitekt në kuptimin e nevojës së kohës. Ka projektuar këtë dhe shumë objekte të tjera që ka projektuar në pjesën e Nenshatit. Në kohën e komunizmit jo kishë ka qenë vend grumbullimi për një kohë të caktuar, pastaj vatër kulture dhe së fundi ka përfunduar si depo ushtarake. Dhe ai ndoshta ka qenë fati në atë fatkeqësi që të ruhet objekti si i tillë, me të gjithë strukturën e vet, përpos pjesa e fronit, ka qenë i ndryshuar atje dhe ka qenë dëmtuar edhe tavani që ka pasur pikturën e kohës së poetit Ndre Mjeda dhe normalisht dyert e dritaret, mobiliet brenda kanë qenë të dala jashtë përdorimit.

Me ardhjen e etërve të Nënë Terezës këtu e kanë bërë meremetimin, por ka qenë i thjeshtë, me modelet e tyre sipas shijes së tyre që kanë pasur dhe me ardhjen time këtu m’u desh që të merresha më së pari me objektin te kisha sepse pikonte në disa vende dhe kështu që arritëm pothuajse që çdo gjë të realizohej sipas dëshirës së arkitektit dhe normalisht unë gjatë kësaj kohe jam këshilluar edhe me shumë arkitektë të tjerë, miqtë e mi, se si do t’ia kthejmë atë formë që kishte. Normalisht të zbulohen ato gjëra të cilat ishin përpara në kohën e Mjedës sepse kisha ka qenë krejtësisht e suvatuar, çdo gjë ka qenë e mbuluar këtu dhe unë atëherë, duke parë se ka gjëra të vlefshme si nga arkitektura edhe nga brenda, atëherë kam zbuluar kolonat që janë një gjë shumë e këndshme, kolonat, brezat, rrethin e dritareve, kështu që mori atë formën e vet duke punuar me shumë kujdes nga miqtë e mi që kanë punuar këtu. Pastaj e pamë të udhës që të vihen edhe xhamat vitrazh, pra janë këto xhamat që kanë një kosto të madhe dhe të mos rikthehemi me xhamat e bardhë që kanë qenë ato të thjeshtat, por të tregojmë një lloj arti edhe këtu te dritaret.

Këtu kemi dy ngjarje biblike, është lindja e Jezu Krishtit dhe te xhami tjetër është vdekja dhe ngjallja e Jezusit dhe aty në mesin e xhamit unë kam paraqitur faktikisht dy portretet, është Ndre Mjeda dhe në anën tjetër është vëllai i tij Lazër Mjeda. Edhe ai ka qenë një personazh i rëndësishëm kishtar, kur ishte në dioqezën e Shkupit, se ishte ipeshkëv i Shkupit gjatë kohës së luftërave ballkanike. Kështu që janë paraqitur këto dy gjëra shtesë, jashtë biblike, sepse kryqëzimi dhe ngjallja janë tema që faktikisht janë biblike, por jo në pjesën e jetës së njeriut. Kështu që njeriun e shoqëron lindja dhe vdekja, dhe sipas besimit edhe ngjallja", - u shpreh  Dom Nik Ukgjini.

Pjesa e tavanit të kishës është ruajtur ashtu siç ka qenë në kohën e Mjedës, me të njëjtën ide?

"Po faktikisht, sipas dëshmitarëve këtu, të fshatarëve dhe të disave që e kanë kuptuar artin, ata e mbanin mend se ka qenë në këtë formë faktikisht tavani, ka pasur këtë pamje. Pra ka pasur aty engjëjt, qiellin e kaltër, rrezet e diellit, kështu që unë e kam rikthyer ashtu siç ka qenë faktikisht, pra sipas dëshmive e kam rikthyer sepse me ardhjen time nuk kam gjetur asnjë gjë dhe siç thashë, ata që e kanë restauruar në atë mënyrë provizore, ata në atë formën e vet kanë vënë dërrasa normale, të thjeshta. Kështu që unë jam munduar që të kompletohet, të jetë e thjeshtë por të jetë domethënëse dhe e Mjedës, në kuptimin që të ketë në çdo pikë përmbajtjen e vet, por gjithmonë sipas shijes dhe mendimit që ka pasur Ndre Mjeda. Pastaj në fund kemi rozetën atje që kemi vënë Nënë Terezën, e cila ka qenë këtu në Kukël me rastin e vizitës së saj në Bushat. Ka qenë këtu edhe për të vizituar vëllezërit e Unit të saj, këështu që kemi vendosur atë dhe kisha ka marrë pothuajse atë shkëlqimin e vet, një kishë modeste por një kishë e ngrohtë duke marrë parsysh gjithë atë histori që është sjellë rreth kësaj kishe dhe ndërtuesit që ka qenë Ndre Mjeda", rrëfen Dom Nik Ukgjini.

Me ardhjen e vëllezërve të Nenë Terezës në ketë famulli, në 1991, ishte ndërmarr aksioni për restaurimin e përkohshëm të objekteve në fjalë. Kështu që në vitin 2007 filloj hartimi i planit për organizimin e ndërhyrjes së plotë dhe thelbësore për restaurimin objekteve dhe risistemimi i ambienteve të kësaj qendre fetare e kulturore.

Idetë të hedhura në letër për riaftësimin dhe plotësimin e Qendrës me objektet përkatëse, për kthimin në identitet të Qendrës dhe përplotësimin e saj, filluan më 19 mars 2011 me ndërhyrje për riaftësimin e objektit të Kishës, e cila kishte gjendje më të ngutshme për shkak dëmtimit të pësuar.

Me grumbullimin e mjeteve financiare nga Komunitetit Evropian, në muajin Maj 2014, kanë vazhduar punimet e fazës së dytë ku është përfshirë restaurimi i plotë i shtëpisë muze dhe në muajin shtator-tetor po te këtij viti kanë përfunduar punimet në sistemimin e muzeut në katin e parë dhe të dytë.

"Dhe kështu që këtu janë germat, të cilat kanë qenë të vendosura afër fronit të kishës, në balloren e kishës, ku shkruhet: 'Kisha, kjo shtëpi është kushtuar martir'. Këtu është bazorelievi i fisit të Labeatëve. Normalisht që Ndre Mjeda është marrë edhe me histori dhe e ka njohur shumë mirë historinë, sidomos në kohën ilire dhe ka shkrime që flet edhe për pellazgët, paraardhësit e ilirëve dhe kështu që ai fisit të ilirëve, meqenëse ka banuar në këtë zonë dhe fisi i Labeatëve ka qenë fis i njohur ilir rreth liqenit të Shkodrës dhe ai e ka projektuar në këtë formë stemën e tyre. Pra anija duke ecur, duke lundruar. Dhe kjo është ideja e tij dhe gjithashtu këto dy bazorelieve, ky këtu dhe një tjetër në pjesën ballore të shtëpisë ku rrinte Ndre Mjeda, por ka qenë i dëmtuar gjatë kohës dhe pjesën e dëmtuar e kemi vendosur këtu me një foto se si është dukur dhe normalisht i kemi vënë bazorelievet e reja, kopjet e tyre i kemi vendosur atje",- tha Dom Nik Ukgjini.

-Këtu kemi edhe një punim që ruhet, me shumë vlera, në muzeun e Ndre Mjedës?

"Po, është faktikisht një kënaqësi e madhe kur përkujtojmë kush ka qenë arkitekti, projektuesi, piktori. Ka qenë Maks Velo. Ai, pas restaurimit të kishës dhe sistemimit të ambientit, ai një ditë si rastësisht vjen në Kukël dhe ka dëgjuar, ka lexuar se si është punuar këtu dhe ka sjellë një pikturë. Tha: “Kjo është dhuratë për qendrën e muzeut Ndre Mjeda”. Kështu që e kam një dhuratë të çmueshme të Maks Velos, i cili e vizituar këtë vend dhe e ka shijuar vendin, ambientin ku ka jetuar Ndre Mjeda, me gjithë atë bagazhin e tij që ka pasur Ndre Mjeda gjatë historisë së tij. Dhe këtu shohim disa nga momentet, aktivitetet që janë zhvilluar nga 2011-a e në vazhdim, takime të ndryshme letrare. Kanë ardhur këtu diplomatë të ndryshëm, politikanë, studiues, letrarë, por gjithmonë i kanë mbledhur njerëzit që kanë qenë dashamirës të kulturës, nga të gjitha trevat shqiptare. Faktikisht edhe nga Maqedonia e veriut kemi ftuar shqiptarë, sepse është dashur që të jetë qendra e të gjithëve sepse normalisht çdo poet, sidomos Ndre Mjeda, ka qenë i të gjithë shqiptarëve".- shprehet Dom Nik Ukgjini.

-Jemi në muzeun e Mjedës, tashmë do të hyjmë në dhomën e punës së tij. Do të na tregosh çfarë përmban, përveç larmishmërisë së fotove, por besoj që kemi edhe objektin me të cilin jo vetëm krenohet muzeu, por besoj krenohet e gjithë Shkodra për rëndësinë që mbart dhe të cilën do ta zbulojmë së bashku?

"Po këtu janë 4 dhoma faktikisht dhe unë i kam ndarë sipas përmbajtjes së dhomave dhe ndër të gjitha këto dhoma, normalisht kjo është kryesorja sepse këtu Ndre Mjeda ka jetuar për 8 vite me radhë. Dhoma është shumë origjinale, është ruajtur edhe tavani siç ka qenë, në krahasim me dhomat e tjera që nuk ka qenë e mundur të ruhen, pra ka qenë e pamundur dhe me dërrasa. Dhe këtu ka qenë në fakt biblioteka e poetit Ndre Mjeda. Këtu zënë vend tavolina e tij në të cilën janë rishkruar të gjitha veprat e tij sepse siç dihet, ai ka filluar të shkruajë derisa ishte student qoftë në Torino, pra në Kieri afër Torinos në Itali, pastaj ka vazhduar të shkruajë derisa ishte në Kremona të Italisë, pastaj në Poloni derisa ishte me studime teologjike dhe të gjitha ato veprat që ai ka shkruar atëherë, faktikisht me ardhjen këtu në Kukël, nga viti 1923 dhe në vazhdim, sepse ai ka ardhur përpara, i ka rishkruar të gjitha veprat, i ka ribotuar të gjitha, pra qoftë duke i plotësuar, qoftë duke i kryqëzuar disa fjalorë të tij, qoftë gjërat e tjera. Kështu që faktikisht, i gjithë aktiviteti i tij 30-vjeçar është i përqendruar te kjo dhomë dhe këtu janë përplasur mendimet e tij, idetë e tij. Këtu, po themi, emocionet e tij janë shprehur në forma të ndryshme dhe gjithmonë ai ka qenë i lidhur me këtë tryezë, e cila është një perlë për të gjithë kombin shqiptar, edhe si strukturë që është e veçantë, por në veçanti se këtu djersa e ballit të Ndre Mjedës këtu ka pikuar disa herë në forma të ndryshme. Dhe kemi paraqitur disa momente nga jeta e poetit Ndre Mjeda, rasti i përcjelljes së tij dhe këtu janë disa momente të Lazër Mjedës sepse thamë që ai ka qenë një personazh që ka ndihmuar jashtëzakonisht poetin Ndre Mjeda. Në pjesën ballore kemi nënën e tij që me siguri ka luajtur rol të rëndësishëm për edukatën e tij, pra për shkollimin e tij dhe shumë ndihma të tjera. Poeti Ndre Mjeda dhe Lazër Mjeda. Kështu që kjo dhomë është pothuajse e veçantë sidomos edhe tryeza e cila është vendosur këtu në vitin 2013, por është vendosur me shumë sakrifica, moskuptime, sqarime, bindje dhe më në fund arriti që të rikthehej këtu nga ishte marrë më 1990", vazhdon rrëfimin e tij Dom Nik Ukgjini.

Por kur përmendim Mjedën, ka edhe një tjetër personazh që lidhet ngushtësisht më të, ai është profesor Mentor Quku, që ka studiuar vepren e Mjedës, ndërkohë që në muzeun e Mjedës në Kukël, një dhomë e këtij muzeu i kushtohet pikërisht atij.

"Faktikisht unë e kam njohur pak vonë poetin po themi, shkrimtarin, sepse ai ka qenë i dashuruar me poetin Ndre Mjeda prandaj mund të quhet poet edhe ai, dhe takimet që kam pasur me të kanë qenë shumë interesante, shumë të përzemërta. Ka pasur dëshirë jashtëzakonisht të madhe që këtu të bëhet e gjithë kjo qendër muzeore që faktikisht u ndërtua dhe gjithmonë ka komunikuar me njerëz të tjerë që të ndihmojnë, qoftë me ata në Amerikë, qoftë me persona të ndryshëm këtej sepse disi nga zemra e tij gufonte një obligim i madh që duhet të bëhet më tepër për poetin Ndre Mjeda në krahasim me ç’ishte bërë në kohërat e mëparshme. Dhe kështu që si fryt i të gjithë atij shpërthimi shpirtëror, të dashurisë që ka pasur për poetin Ndre Mjeda, janë edhe 12 vepra që ai ka botuar për Ndre Mjedën dhe që janë një aset për kulturën shqiptare, jo vetëm për poetin Ndre Mjeda. Kështu që këtë dhomë unë ia kam kushtuar atij faktikisht dhe disa gjëra që unë i kam bërë më vonë për poetin Ndre Mjeda, si realizimi i dy filmave dokumentarë dhe shkrime të ndryshme. Kjo dhomë është faktikisht, kështu me gjithë zemër, e quaj dhoma kushtuar prof. Mentor Qukut, i cili edhe pse vdiq para kohe por la vepra jashtëzakonisht të çmueshme", shprehet Dom Nik Ukgjini.

Por Mjeda, edhe sot përcjell mesazhe që i drejtohen brezit të ri, por edhe politikës e cila në shkrimet e Mjedës, i ngjan edhe të tashmes duke frymëzuar dhe përcjellë atë çfarë Mjeda kishte në mëndje dhe në zemër, interesin mbarëkombëtar.

"Ne faktikisht, sidomos koha e sotme ka nevojë, ose kemi nevojë të gjithë që të jemi të frymëzuar këto lloje kokash, po themi, që i prodhoi toka shqiptare, poetin Ndre Mjeda dhe shumë të tjerë. Por kur është sidomos një pyetje për poetin Ndre Mjeda, ka qenë njeri që ka luajtur role të shumëfishta gjatë tërë kohës, që nga koha kur ka qenë student në botën e jashtme për 20 vite me radhë dhe kthimi i tij kur u kthye në 1896-1897, u kthye në Shqipëri dhe nga të gjitha ato qendra të mëdha evropiane ku mori një bagazh të kulturës, të gjuhës, të traditave, por edhe të shumë gjërave të tjera, ai përfundoi në Vig, në majë të malit si prift. Dhe kjo, nga një personazh që ishte shumë i rëndësishëm për kohën dhe shkrimet e tij që ishin të vazhdueshme, që i kushtoheshin atdheut, që i kushtoheshin kombit, heronjve, por edhe njerëzve të tjerë siç ishte Trina dhe këto, edhe mesazhe të tjera për mërgimtarët që të kthehen nga vendlindja, këto janë gjithmonë gjëra aktuale edhe sot e kësaj dite sepse sot sidomos që kemi ardhur në këtë kohë, në këtë shekull të globalizmit ku shumë gjëra mund të zbehen te ne sepse na përthithin të tjerë që janë më të fuqishëm ekonomikisht, qoftë edhe me media, qoftë edhe me fusha të tjera, me kulturë, ne disi duhet të jemi stoikë dhe ta ruajmë pasurinë tonë që e kemi të trashëguar prej rilindësve tanë. Dhe sidomos kur është fjala për Ndre Mjedën i cili ka qenë njohës i shumë fushave dhe e ka shkrirë jetën e vet për çështjen kombëtare, për gjuhën, kulturën, për historinë kombëtare. Dhe ato i ka shprehur shumë bukur edhe në poezitë e tij të shumta që janë botuar, ribotuar, dhe që edhe sot e kësaj dite ribotohen qoftë nga qendra jonë, qoftë edhe në Tiranë", thotë Dom Nik Ukgjini.

M.Q./KT/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Pesë pyetje për 2025-ën

Pesë pyetje për 2025-ën