Reportazh/ Urologjisë i pikon
çatia, noton në ujë

TIRANË - Bëhet fjalë për korridorin e përbashkët të katit të dytë që lidh shërbimin e urologjisë me atë të kirurgjisë së përgjithshme në Qendrën Universitare Spitalore "Nënë Tereza". Në këtë pjesë të korridorit, turmat e njerëzve që presin radhën për t'u futur te mjeku, janë të shumta çdo ditë.
Por në këto ditë me shi, asgjë nuk ta jep përshtypjen se jemi në një korridor spitali, dhe për më tepër, të një qendre universitare spitalore. Fotot që shoqërojnë këtë shkrim, të cilat janë shkrepur ditën e mërkurë, në të vërtetë japin vetëm një pjesëz fare të vogël të pamjes reale të këtij korridori. Tavani, i cili në të vërtetë nuk është prej llaçi e tulle, por një mbulesë plastike, si pasojë e shtesës së godinës, pikon i gjithi. Mjekë e pacientë, përpiqen të kalojnë nëpër cepa dhe t'u shpëtojnë kështu pikave të shumta të ujit që të bien mbi kokë nëse nuk je i vëmendshëm. Ndërkohë si pasojë e çatisë që pikon, i gjithë ky korridor është i mbushur me pellgaçe uji, që megjithëse të gjithë mundohen t'u bëjnë bisht, është e pamundur të mos shkelësh mbi to. Dhe në këtë pjesë, të sëmurët hallexhinj presin që t'u vijë radha të takojnë mjekun. Sigurisht që kjo situatë është deri tek porta e xhamit, ku nuk mund të futesh brenda në pavijon pa marrë më parë miratimin e rojes. Por përgjatë këtij korridori kalojnë tëgjithë, mjekë, pacientë, të afërm të të sëmurëve që u shkojnë për vizitë, dhe të gjithë pisllëkun e korridorit e marrin me vete nëpër dhomat e shtrimit.
Ndërkohë që nëpër këtë korridor, duhet të kalojnë edhe ata që i nënshtrohen transplantim të veshkës, pasi në këtë pavijon ndodhen edhe dhomat miliona euroshe të transplantimit dhe reanimacionit të kësaj ndërhyrjeje të vështirë, që prej disa kohësh zhvillohet edhe në vendin tonë.
Por megjithëse janë harxhuar miliona euro për rikonstruksionin e të gjithë pavijonit të Urologjisë dhe bërjen e sallave të transplantimit, drejtoria e këtij spitali nuk e ka pare ende të arsyeshme që së paku të rregullojë çatinë, dhe në korridor, ata që presin radhën për te mjeku, të mos jenë të detyruar të mbajnë çadrat hapur për t'i shpëtuar shiut që bie jashtë.

(aq/shqiptarja.com)

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Turqia do të furnizojë me energji elektrike Sirinë, kërkon të shfrytëzojë naftën dhe gazin natyror

Turqia do të furnizojë me energji elektrike Sirinë, kërkon të shfrytëzojë naftën dhe gazin natyror