Vlorë, 12 korrik/ATSH-Harilla Koçi/.- "Më pëlqen mjaft mishi i pjekur i qengjit, aq më tepër kur e shoqëroj me rakinë tuaj", thotë Andrea, një 32-vjeçar nga Frosinone (Itali), i cili ka mbërritur në Vlorë për të kaluar një javë në "këtë bregdet magjepsës", siç shprehet ai. Gjatë qëndrimit të tij, ai preferon të konsumojë gatime tipike vendase dhe kuzhinën tradicionale shqiptare e vlerëson për shijen e saj. "Është pak e rëndë, por mjaft e shijshme", shton Andrea.
Në fakt, lokale të ndryshme në Vlorë dhe gjatë gjithë bregdetit deri në Himarë e më tej, u janë kthyer gatimeve të traditës në një pjesë të menysë së tyre të verës. Kjo, sepse turistë të huaj i pëlqejnë ato.  "Preferoj të ofroj një meny me gatime të traditës së zonës, sepse kështu kam  krijuar edhe një klientelë të qëndrueshme", thotë Zagoll Kabello, administrator i një kompleksi të njohur në bregdetin e Orikumit, 20 km në jug të Vlorës. Në lokalin e tij ka vazhdimisht klientë. Kabello tregon se, klientë janë jo vetëm qytetarë vlonjatë, apo nga rrethe të ndryshme të vendit, por edhe të huajt. "Mjaft të huaj, turistë pëlqejnë shume dollmën me gjel deti, apo patatet e pjekura në furrë me zogj të sapotherrur, tavën e plëncit, atë të patëllxhaneve, byrekun, tavën e kosit", shprehet Kabello. Ai tregon se pjesë e menysë është rakia e zonës, e fortë dhe tërheqëse, si dhe vera e prodhuar gjithashtu nga fermerët vendas.Sipas tij, tek këto gatime karakteristike për trevat e Vlorës, klientët e huaj vlerësojnë cilësinë dhe shijen. Këtu përfshihet edhe mishi i pjekur i qengjit. Po ashtu, në lokalin "Adriatik" ofrohen gatime të traditës e klientë janë jo vetëm qytetarë vlonjatë, apo nga rrethe të ndryshme të vendit, por edhe të huajt. "Mjaft të huaj, turistë apo nga ata që punojnë në Vlorë,  janë shndërruar tashmë në klientë të rregullt. Në këto ditë korriku, krahas peshkut pëlqejnë mjaft edhe pastiçon, llazanjën, tavën e plëncit, atë të patëllxhaneve, byrekun, tavën e kosit, tavën e dheut", shprehet një prej kamerierëve. Ai shton se, "tek këto gatime, një pjesë karakteristike për trevat e Vlorës, klientët e huaj vlerësojnë shijen të cilën nuk e ndeshin askund  tjetër. Këto gatime na dallojnë nga popuj të tjerë fqinj", thekson ai.
Gjithsesi, simboli i kuzhinës në Vlorë mbetet qengji i pjekur në hell, me prush, i butë dhe njëkohësisht krokant. Në të njëjtën mënyrë përgatitet edhe mishi i kecit, veçanërisht në zonën Lumit të Vlorës dhe atë të Llogarasë, ku ndodhen edhe kullotat e shëndetshme biologjike. "Por, krahas këtyre,  menytë e restoranteve janë pasuruar duke fituar mjaft elementë të rinj, të cilët e kanë shtuar larminë e gatimeve", thotë Gëzimi ish- kuzhinier në turizmin e dikurshëm të qytetit, tashmë administrator dhe kuzhinier njëkohësisht në një lokal të njohur në breg të detit, ku ofrohen gatime të traditës. Mes tyre përfshihen frutat e detit, peshku i freskët me shijen e limonit bregdetar. Gjithashtu, në lokale të veçanta ofrohen byrekët tradicionalë me gjizë, spinaq e mish, të gatuara me dorë. Djathrat, kryesisht i deles dhe dhisë, serviren të freskëta, apo të stazhionuara. "Gjiza e deles, e freskët dhe kremoze është mjaft e shijshme dhe e veçantë", thotë Mauricio një shtetas italian, përfaqësues i një organizate të huaj të njohur.
Mes pjatave karakteristike të zonës së Vlorës veçohen tava me peshk, si dhe tava me ngjala, që ofrohet si një specialitet në lokalet në afërsi të fshatit Nartë. Ajo shoqërohet me verë të kuqe, apo të bardhë, e prodhuar nga vreshtat e këtij fshati. /a.ke/