Reporteri shqiptar në Ukrainë, Vudi Xhymshiti foli për sulmet më të fundit të intensifikuara ruse në Ukrainë. Në një intervistë për “Sot Live në Shqipëri” me Nertil Agalliun, gazetari tha se një ndër targetet kryesore është Kievi dhe sidomos pallati presidencial, por janë sprapsur për shkak të sistemit të avancuar të mbrojtjes.  

“Kievi është një prej targetet kryesore por sistemi i mbrojtjes është më i avancuar dhe një pjesë e madhe e raketave që duket së mësyjnë pallatin presidencial nuk po arrijnë të depërtojnë. Ndërkohë që është një mekanizëm i ndërprerjes dhe shkaktimit të konfuzionit të sistemit të GPS, të destinacionit nëpërmjet hartave dhe me gjasë një pjesë e madhe e dronëve që po përpiqen të vijnë në drejtim të pallatit po humbin drejtimin si pasojë e sistemit që ka të instaluar Ukraina. Në sajë të faktit se mbase pilotët që i drejtojnë këto dronë po shohin se nuk mund ta gjejnë pallatin presidencial, ata më pas po në një lloj frustrimi po i drejtohen drejt ndërtesave civile. “, tha gazetari.

Xhymshiti thotë se Perëndimi nuk ka interesim të qartë dhe s’po e ndihmon sa duhet Ukrainën për të larguar forcat ruse nga territori. Sipas tij, Perëndimi po jep armatim sa për të rezistuar ndaj forcave të Rusisë, por jo për t’i dëbuar ata plotësisht. Një mungesë e tillë vullneti thotë ai u vu që në vitin 2014, kur u aneksua Krimea.

“Fatkeqësisht demokracia perëndimore ka lënë pas dore Ukrainën kur Putin aneksoi Krimenë. Të njëjtin vendim kanë bërë edhe në rastin e sulmit të plotë në 2022. Kështu ka vijuar me 2023-2025. Përshtypjet e mia është që Perëndimi nuk ka interesim të qartë ose kurajo për të mbështetur Ukrainës në atë mënyrë sa të dëbojë nga territori i saj forcat ruse.  Po të ishte mbështetja e plotë dhe e pakompromis e Perëndimit kjo do të ishte ndodhur. Nuk do të ndodhte as 2022 nëse do të kishte pasur mbështetje të tillë në 2014.

Mënyra se si po rezistojnë ukrainasit tani është me mbështetje të Perëndimit, por Perëndimit në përshtypjet e mia nuk është aq i sinqertë në mbështetjen e tyre ndaj Ukrainës se po japin furnizime me armatim dhe mjete të tjera aq sa për të mundur të vazhdojnë rezistencën por jo aq sa duhet për të dëbuar forcat ruse nga territori ukrainas.”, shtoi gazetari.

Mundësi për armëpushim? S’mund të ketë thotë gazetari, duke marrë parasysh marrëdhëniet aktuale midis Rusisë dhe Ukrainës. Gazetari shtoi se për më tepër, Putin ka treguar se s’mund t’i besohet.

“Nuk mund të ketë armëpushim në këtë gjendje që është marrëdhënia e Rurisë me Ukrainës. Rusia është e interesuar të pushtojë plotësisht Ukrainën dhe kushtet e Putin janë të paimagjinuara që do t’i plotësojë Ukraina. Aq më pak kur ata i kërkojnë që Perëndimi të ndërpresë marrëdhëniet me Ukrainën në raport me logjistikën ushtarake. Po bën kërkesa të pamundura për t’u plotësuar nga Ukraina dhe Perëndimi. Dhe nëse do të plotësosheshin Putin s’mund ti besohet. Ka thyer gjitha premtimet dhe marrëveshjet me Perëndimin. Është i interesuar të ripushtojë Ukrainën dhe ta kthejë në një lloj sovjetizmi të hershëm. Të bëjë ringjalljen e imperializmit rus. Nuk e fsheh këtë.”, tha ai.

Më tej, ai ndalet edhe te rajoni i Ballkanit, për të cilin thotë se është i rrezikuar nga bashkëpunimi ruso-serb.

“Ballkani është i rrezikuar duke qenë se Serbia është duke zbatuar një politikë me Kremlinin për të bashkërenduar politikat e jashtme në rajon në favor të interesave ruse. E pamë vetëm një vit pas marrëveshjes në 2023. Në shtator 2023 Serbia sulmoi Kosovën. Po tenton me taktika të ndryshme dhe në infrastrukturë civile në Kosovë.”, tha Xhymshiti.