Republikanët të ndarë për gjyqin ndaj ish-presidentit të SHBA-së Donald Trump

Republikanët të ndarë për gjyqin ndaj ish-presidentit të SHBA-së Donald Trump

Foto nga Capitol Hill

Gjyqi i dytë në Senat kundër ish-Presidentit amerikan Donald Trump me akuzën për nxitje rebelimi, pas sulmeve vdekjeprurëse në Kapitol, ka thelluar ndarjet mes republikanëve.

Të paktën një republikan, senatori Mitt Romney, tha se beson se gjyqi, i cili mund të çojë në një votim që ndalon zotin Trump të kërkojë post federal në të ardhmen, është një reagim i nevojshme ndaj thirrjeve ndezëse të ish-presidentit drejtuar mbështetësve më 6 janar për të "luftuar" kundër humbjes së tij në zgjedhje.

Dhjetë republikanë iu bashkuan Dhomës së Përfaqësuesve në votimin për të akuzuar zotin Trump për nxitje rebelimi. Dhoma do t'ia paraqesë akuzën Senatit të hënën.

Udhëheqësit e Senatit kanë rënë dakord që gjyqi të fillojë pas dy javësh, duke lënë kohë për konfirmimin e disa prej të emëruarve të kabinetit të Presidentit Joe Biden dhe ndoshta për të debatuar mbi thirrjen e tij për një raund të ri stimulimi financiar.

"Akuza e ngritur nga Dhoma e Përfaqësuesve flet për një sjellje të dënueshme," tha të dielën zoti Romney, një kritik i shpeshtë i ish-Presidentit Trump i cili votoi për ta shpallur atë fajtor gjatë gjykimit të parë të zhvilluar në Senat, një vit më parë. "Është shumë e qartë se gjatë vitit të shkuar, ka pasur një përpjekje për të korruptuar zgjedhjet dhe kjo jo nga Presidenti Biden, por nga Presidenti Trump," tha ai.

Udhëheqësi i republikanëve të Senatit, Mitch McConnell, javën e kaluar fajësoi zotin Trump për sulmin e dhunshëm në Kapitol, duke thënë se ai "provokoi" turmën.

Por një numër i konsiderueshëm i ligjvënësve republikanë, të shqetësuar nga qëndrimi që mund të mbajë baza e përkushtuar e votuesve të zotit Trump, kanë ngritur kundërshtime ndaj procesit kundër ish-Presidentit. Donald Trump është presidenti i parë i SHBA ndaj të cilit do të zhvillohet gjyq në Senat pas largimit nga posti.

Senatori republikan Tom Cotton tha se Senati po vepron përtej autoritetit të tij kushtetues për faktin që po zhvillon gjyq. "Shumë amerikanë do të mendojnë se sa e çuditshme është që Senati po e kalon kohën duke u përpjekur të shpallë fajtor dhe të heqë nga posti një njeri që është largua nga ky post një javë më parë," tha senatori Cotton për Fox News.

Nga ana e tij, senatori Romney tha se gjykimi nevojitej për të nxjerrë përgjegjësinë, sepse zoti Trump udhëhoqi një përpjekje për të "korruptuar" zgjedhjet kombëtare që Presidenti Biden i fitoi.

Por jo të gjithë janë dakord. "Mendoj se gjyqi është një marrëzi," tha senatori republikan Marco Rubio, duke shtuar se do të votojë për ta mbyllur atë në rastin e parë që do t’i jepet. "Unë mendoj se është joproduktive. Ne tashmë kemi një zjarr në vend dhe është njëlloj si të marrësh benzinë dhe t’ia hedhësh zjarrit,” tha ai.

Udhëheqësi i shumicës demokrate të Senatit, Chuck Schumer, tha se gjyqi do të jetë i drejtë por do të ecë me një ritëm relativisht të shpejtë.

"Do të jetë një gjykim i drejtë por do të lëvizë relativisht shpejt," tha senatori Schumer në një konferencë shtypi në Nju Jork. Ai tha se gjyqi nuk duhet të zgjasë shumë, sepse "kemi shumë punë të tjera për të bërë"./ VOA

J.GJ./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Si zgjidhen problemet me pronat, korrupsioni dhe digjitalizimi i Kadastrës, gjetjet dhe rekomandimet e ekspertëve në Komisionin Antikorrupsion

Si zgjidhen problemet me pronat, korrupsioni dhe digjitalizimi i Kadastrës, gjetjet dhe rekomandimet e ekspertëve në Komisionin Antikorrupsion