Kina po përballet me përmbytje të jashtëzakonshme. 16 persona kanë humbur jetën në metro të qytetit Zhengzhou, në pjesën qendrore të vendit dhe gati 200 mijë banorë janë evakuuar nga shtëpitë e tyre për shkak të përmbytjeve. Pas reshjeve rekorde të shiut dhe vërshimeve masive në atë pjesë, së paku 16 persona kanë vdekur.
Ndërkohë që në mediat sociale janë bërë virale pamjet e shpëtimit të një gruaje pasi e kishte rrëmbyer rryma e ujit, në një rrugë totalisht të përmbytur.
Presidenti kinez, Xi Jinping, tha të mërkurën se situata për parandalimin e vërshimeve është shumë e ashpër dhe në një fazë kritike. Ai shtoi se përmbytjet tashmë kanë rezultuar në humbje konsiderueshme të jetës së njerëzve dhe të pronës dhe i udhëzoi të gjitha departamentet që ta bëjnë prioritet sigurinë e njerëzve dhe të pronës së tyre, raportoi agjencia shtetërore e lajmeve, Xinhua.
Niveli i ujit në disa diga dhe rezervuarë e ka kaluar shkallën paralajmëruese dhe ushtarët janë mobilizuar për t’ua ndryshuar drejtimin e rrjedhës lumenjve që kanë dalë nga shtrati. Udhëtimet me tren dhe aeroplan janë pezulluar në shumë pjesë të provincës Henan.