PRISHTINË, 6 Janar/ATSH/.- Reshjet intensive të borës në Kosovë nuk kanë sjellë vetëm probleme me qarkullimin e mjeteve, por janë shfrytëzuar pozitivisht nga Federata e Skive të Kosovës (FSK), e cila do të startojë në 10 janar, sezonin e ri të skive.
Kryetari i FSK-së, Hajrush Demaj, i ka thënë KosovaPress se gjithçka është gati për nisjen e sezonit të ri në 10 janar.
Ai thotë se FSK do të organizojë shumë gara gjatë këtij dimri, ndër të cilat edhe dy gara ndërkombëtare, ku sipas tij, në Kosovë do të vijnë garues cilësorë ndërkombëtarë.
"Në bazë të kalendarit për vitin 2015, kemi parashikuar shumë gara dhe do të jetë një aktivitet shumë i ngjeshur. Që nga data 10 janar fillojmë më garat alpine të Republikës së Kosovës, do të kemi garat apline të Rugovës, natyrisht do të kemi Kupën e Dëshmorëve të Kombit, pastaj vjen Kampionati i Kosovës për kategoritë e të rinjve dhe profesionistëve, por kemi edhe shumë kupa tjera", tha ai.
Sipas Demaj, është parashikuar edhe organizimi i dy garave ndërkombëtare që do të mbahen gjatë këtij viti. Do të mbahet Kupa Ndërkombëtare e Brezovicës, ku do të marrin pjesë shumë garues cilësore të botës", ka thënë Demaj.
Ai ka theksuar se krahas shumë garave vendore që janë në program të zhvillohen gjatë këtij dimri, skiatorët tanë do të përfaqësojnë Kosovën edhe në arenën ndërkombëtare, pasi FSK është anëtare e FIS. "Garat ndërkombëtare do të zhvillohen në shumë shtete si në Slloveni, Kroaci, Itali, Francë, Turqi, Austri, por nëse kemi mundësi do të shkojmë edhe në Evropën Veriore në Skandinavi si në Suedi, e Norvegji, ku ka terrene shumë të mira dhe ka gjithmonë borë të përshtatshme edhe për kupat botërore", tha Demaj.
Ai është i bindur se garuesit kosovarë do ta përfaqësojnë denjësisht vendin tonë në garat e ndërkombëtare që organizohen nga FIS. Demaj pret performancë të mirë nga garuesi Albin Tahiri, por sipas tij, edhe garuesit e tjerë janë të përgatitur mirë që të kenë paraqitje të denjë në rrafshin ndërkombëtar./m.m/