Java në qarkun e Kukësit ka nisur me reshje shiu me intensitet të lartë, të cilat kanë sjellë një freskim të përkohshëm të motit pas temperaturave të larta të javëve të fundit, por edhe probleme në infrastrukturën e rrugëve rurale. Situata më problematike paraqitet në Bashkinë Has.

Bazuar në informacionet e marra dhe verifikimet e kryera në terren nga Drejtoria e Mbrojtes  Civile të Bashkisë Has, si pasojë e reshjeve të dendura të shiut janë dëmtuar rreth 80% e segmenteve rrugore në Njësinë Administrative Golaj. Konkretisht, si pasojë e vërshimit të ujërave janë konstatuar dëmtime në rrugët e fshatrave Golaj, Nikoliq, Kosturr dhe Helshan.

"Që në orët e para të mëngjesit jemi hasur me problematika. 80% e rrugëve janë të dëmtuara. Një banesë është dëmtuar nga reshjet. Situata erdhi nga vërshimi i ujrave. Zona e Hasit mbulohet aktualisht me energji. Unë u bëj thirrje që banorët të telefonojnë për çdo gjë Emergjencat Civile Has dhe ne do ju gjendemi pranë" tha  Arberie Rada Drejtore e Mbrojtjes Civile Has.

Ndërkohë, infrastruktura e rrugëve nacionale vijon të jetë në gjendje të mirë. Të gjitha akset nacionale te qarkut Kukes janë të qarkullueshme normalisht, pa probleme të shkaktuara nga reshjet, pavarësisht se në disa segmente ka pasur rënie gurësh. Kompanitë mirëmbajtëse kanë ndërhyrë menjëherë për largimin e tyre dhe po vijojnë monitorimin e situatës për të garantuar sigurinë e qarkullimit.