Reshjet e dendura të shiut gjatë orëve të natës kanë krijuar probleme në njësinë administrative të Fanit në Mirditë. Sipas informacioneve rruga që lidh fshatin Thirrë me rrugën e Kombit është shembur nga prurjet e shumta të lumit, duke izoluar fshatin.

Po ashtu raportohet edhe për dëmtim të disa urave, ku ndër të tjera është izoluar dhe lagjia Munellë në Domgjon me rreth 30 familje. Përveç dëmeve në infrastrukturë, reshjet kanë shkaktuar edhe prishjen e rrjetit elektrik dhe të ujësjellësit. Grupet e emergjencave të bashkisë Mirditë ndodhen në terren për menaxhimin e situatës.

Kryetari i Bashkisë Mirditë, Albert Melyshi, thotë se përrenjtë malorë në Fan janë problematik dhe në një prej urave është parashikuar investim brenda këtij viti. Për dy ura të tjera po shqyrtohen mundësitë e bashkëpunimit me Emergjencat Civile dhe Ushtrinë.

“Dje dhe gjatë natës ka pasur reshje shiu me intesnist të lartë. Lumi që është këtu është mjaft problematik që mund të ketë në zonën e Mirditës për shkak të inerteve që mbart. Duhet të ulet niveli i ujit për të ndërhyrë. Momentalisht kemi në projekt një urë për ndërtim, për të tjerat do të shohim në vijim”, tha Kryetari i Bashkisë Mirditë, Albert Melyshi.

Ndërkohë banorët shprehen se kjo situatë ndodh çdo vit teksa, i bëjnë apel shtetit për ndihmë.

“Fshati është izoluar komplet. Kërkojmë nga shteti të na ndihmojë”, tha një banor.

“Ne po e vuajmë këtë situatë çdo vit”, tha një tjetër.


Lajmi kryesor:

Moti i keq/ Shembje masive dherash, bllokohet aksi nacional Pukë - Fushë Arrëz! PAMJET ME DRON