Moti i keq me reshje të dendura shiu ka shkaktuar probleme të shumta në disa rrethe të vendit duke vështirësuar lëvizjen e automjeteve që kanë kaluar në akset kryesore.


VLORE, DEFEKTE EDHE NE SISTEMIN E ENERGJISE ELEKTRIKE
Në qytetin e Vlorës shirat intensivë të rënë gjatë 24 orëve e fundit kanë mbuluar disa nga rrugët e qytetit, pasi kanalizimet, që thithin ujin nuk e përballuan dot intensitetin e shirave, duke e bërë kalimin e qytetarëve apo të automjeteve tepër të vështirë. Moti i keq shkaktoi defekte edhe në sistemin e energjisë elektrike, duke lënë pa drita disa lagje të Vlorës. Kapiteneria e Vlorës thotë, që moti i keq do të vijojë edhe për 24 orët në vazhdim duke pezulluar punën në det.


BLLOKOHET QARKULLLIMI I MJETEVE NE AKSIN BALLSH-FIER

Edhe në aksin nacional Ballsh-Fier është bllokuar qarkullimi i mjeteve, për shkak të rënies së një masivi gurësh nga skarpatet e maleve. Drejtuesit e mjeteve janë bllokuar në trafik për rreth 1 orë, ndërsa specialistë të Drejtorisë së rrugëve po marrin masa për hapjen e aksit.


AKSI GJIROKASTER – TEPELENE, MASIVI SHTUFOR PENGON QARKULLIMIN
Po ashtu, edhe në aksin Gjirokastër-Tepelenë në vendin e quajtur Shkalla e Zezë një masiv shtufor ka zënë një pjesë të rrugës çka ka penguar qarkullimin normal të automjeteve. Moti i keq ka krijuar paqëndrueshmërinë e formacionit shtufor nga skarpatet e malave dhe mund të përsërisë situatën e një muaji me parë, në këtë aks nacional.

Redaksia Online
(ad.ti/shqiptarja.com)