Moti i keq ka sjellë probleme në disa rrugë të vendit që në orët e para të mëngjesit të së premtes.
Shi ka rënë pothuajse në të gjithë territorin, duke shkaktuar rënie gurësh dhe inertesh në disa akse. Në Lukovë–Shenvasil pati materiale në rrugë, por qarkullimi nuk u ndërpre.
Ndërkohë, dëborë ka rënë vetëm në zonat malore, konkretisht në segmentet Boboshticë–Dardhë dhe Bogë–Theth. Situata më problematike paraqitet në Qafë Thore. Në zonën e tuneleve, për shkak të sasisë së madhe të borës dhe temperaturave rreth 0 gradë, janë aktivizuar ortekë që kanë bllokuar qarkullimin.
Autoriteti Rrugor Shqiptar u kërkon drejtuesve të mjeteve të tregojnë kujdes për shkak të lagështisë në rrugë. Ata që udhëtojnë drejt zonave malore me dëborë duhet të pajisen me goma dimërore dhe zinxhirë.
Komente









