Dy qytetarë u ndaluan nga policia dhe u shoqëruan në komisariat pasditen e së martës, gjatë vizitës së kryeministrit Edi Rama në Lezhë. Njëri prej tyre është mbështetës i Partisë Demokratike, ndërsa tjetri banor i Rrjollit që proteston për pronat e tij.
Policia bëri të ditur se ndalimi u krye pasi kishin informacione se personat mund të krijonin incidente. Ata u mbajtën në izolim derisa kryeministri u largua nga Lezha.
Pas lirimit, banori i Rrjollit, Gëzim Pjeshka mori pjesë në protestën e organizuar këtë të mërkurë para prokurorisë së Shkodrës.
"Kërkoj drejtësi që prej një viti, po tallen me ne, na marrin dhe na fusin në burg. Dje në orën 16:15 më kanë marrë më kanë futur brenda teksa po rrija në stol po prisja Ramën në Lezhë. Kryeministri është edhe i imi, nuk është vetëm i socialistëve. Çfarë jam unë kriminel, më thanë nuk ke dokument identifikimi, më mbajtën pesë orë kot. Fatkeq Shpellzën atë çoni në burg. Nuk do të dorëzohem derisa të kem frymë, ato janë pronat e fëmijëve të mijë", tha ai.
Protestuesit e tjerë thanë se prej një viti dosja ndodhet në prokurori dhe ende nuk ka përfunduar hetimi. Pyetjet për ekspertët topografikë janë ndryshuar dhe hetimet janë tjetërsuar, thanë ata, teksa kërkojnë të takohen me titullarin e institucionit.
“Ne jemi këtu për të protestuar për kallëzimin që kemi bërë që para një viti dhe nuk kemi marrë asnjë përgjigje. Këtu ka ndërhyrje. Ne kemi ardhur këtu për të kërkuar drejtësi. Dua të them që unë do t’i shkoj deri në fund. Dokumentet që ka Fatmir Shpellzaj i ka të falsifikuar. Te drejtësia nuk kam besim, por besimin do ta marrim me zor. Kjo çështje do të shkoj lart e më lart deri në Starsburg”, tha Prek Molla, banor.
“Kemi që në nëntor që kërkojmë përgjigje. Kërkojmë një takim me Prokuroren e çështjes ose titullarin e institucionit për të parë deri ku kanë shkuar hetimet. Kërkojmë që Prokuroria të hetojë dokumentet e Fatmir Shpellzës që janë të falsifikuara. Nuk kanë pse të na zvarrisin”, tha Luçiana Kokaj.
Prej tre muajsh, 60 familje në Baks-Rrjoll të Shkodrës vijojnë protestat kundër ndërtimit të resortit turistik “Blu Borgo” nga biznesmeni dhe botuesi Bashkim Ulaj. Ata pretendojnë se pronat e tyre në bregdetin e Velipojës janë grabitur përmes dokumenteve të falsifikuara. Po sipas tyre, pronat i ka tjetërsuar ish-zyrtari Fatmir Shpellzaj që më pas ia ka shitur biznesmenit Ulaj, i cili ka marrë dhe statusin e “investitorit strategjik”.
Komente








