Restaurimi i Kishës së Shën Premtes, Dom Nikë Ukgjini: Afresku i ngjashëm me ‘Darkën e fundit’ të Da Vinçit, pasuri qindravjeçare (VIDEO)

Kisha e Shën Premtes në Balldren të Lezhës është shndërruar në një oazë shpirtëror dhe kulturor për këdo që ka dëshirë ta vizitojë. Dom Nikë Ukëgjini, i cili prej disa muajsh ka drejtuar restaurimet, e bëra nga specialistët në këtë kishë, rrëfen për kamerën e “ReportTV” zbulimet edhe gjurmët e afreskeve, që janë gjendur në këtë kishë të shekullit XII, siç është edhe ngjashmëria e një prej afreskeve që gjenden në kishën e shekullit XII, me “Darkën e fundit” të Leonardo Da Vinçit. Kisha në formë harkore dhe e zbukuruar me disa afreske të vjetra, nga përshkrimet e studiuesve dikur ka pasur edhe kambanoren me kambanë. Por, famullitari na tregon se tërmeti dhe luftërat e herëpashershme e kanë dëmtuar.

Në vitin 1981 objekti do të shpallej Monument Kulture për vlerat arkitekturore, por pa e ditur pasurinë qindravjeçare me vlera jo vetëm shqiptare, por dhe ballkanike, që fshihet në të. Dom Nikë Ukgjini na shpjegon se Kisha e Balldrenit është vazhdimësi e Kishës nder-arbërore e themeluar, nga apostulli Shën Pali në vitin ‘58 në Durrës.

Kushdo që do ta vizitojë Kishën e Shën Premtes në Balldren të Lezhës, do të ketë mundësi, që përveçse pjesës muzeale edhe afreskeve, të njihet edhe me gurin kushtimor për familjen Perlati të trungut dukagjinas, që përkon me vitin 1462, që është vendosur në pjesën e jashtme të absidës së kësaj Kishe me mbishkrim latin: “Në vitin e Zotit 1462 kujto o ZOT shërbëtorët e t’u, Perlatët së bashku me të gjithë miqtë e tyre”.

Dom Nikë, gjendemi në Kishën e Shën Premtes në Balldren e restauruar tashmë falë iniciativës suaj,  çfarë mund të na thoni për këtë iniciativë, të cilën vizitorët do të kenë mundësi që ta vizitojnë nga afër?

Më në fund ideja ime u realizua, që kjo kishë të rikonstruktohet edhe restaurohet. Gjithçka nisi pas një vizite në muajin shkurt 2019, ku në këtë kishë edhe vura re se ishte e shkatërruar krejtësisht, pa dyer edhe pa dritare. Kjo gjë më nxiti që të merrja iniciativën që në nisja punimet. Hapi i parë ishte një leje nga MK, ku ne u organizuam me financat tona edhe me donatorë privat. Në korrik nisëm punimet nga çatia, që ka sjellë dëmtime të mëdha brenda dhe tani është ribërë e re. Vendosëm dyert edhe dritaret që të mbrojnë objektin nga kushtet atmosferike, që janë edhe armiku kryesor i këtyre ambienteve, sidomos i afreskeve që janë brenda, që janë një perlë jo vetëm shqiptare, por edhe ballkanike.

Një nga zbulimet e bëra gjatë kësaj periudhe, është edhe një afresk që ka ngjashmëri me “Darkën e fundit” të Leonardo Da Vinçit...

Zbulime edhe argumente të reja do të dalin vazhdimisht, do të ketë hipoteza të ndryshme, sepse në mungesën e dokumentacionit të mirëfilltë për historikun e kishave mesjetare në Shqipëri studiuesit iu referohen stilit arkitekturor. Kështu që ka hipoteza që janë të besueshme, vetëm 60 për qind. Sipas të gjitha gjasave kisha është ndërtuar në shekullin XII-XIII, sepse kjo korrespondon edhe me shënimet apo ngjarjet historike të asaj periudhë në Arbëri, edhe më vonë. Më vonë na dalin dokumentet që kjo kishë ka qenë kishë princore e Gjergj Dukagjinit, shënime këto që i jep edhe Armao, e më vonë Aleksandër Meksi, i cili është marrë me historikun e objekteve kulturore në të tërë Shqipërinë. Më pas e morën venecianët, në vitin 1395, edhe njëkohësisht është dhënë dhe Balldreni, pjesa tjetër e kësaj dioqeze në aspektin kishtar. Mandej me rënien e Perandorisë Osmane në 1478 ka filluar golgota e të gjithë kësaj kulture, që ka ruajtur një rol të rëndësishëm për zhvillimin e identitetit dhe të kulturës shqiptare. Nuk mund që të zhvillohej gjithë kjo mrekulli artistike, nëse s’do të kishte mjete financiare apo piktorë. Prandaj, mendoj se nëpërmjet kësaj kishe kuptojmë se shqiptarët kanë qenë krahpërkrah me kulturat evropiane.

Një kishë 800-vjeçare, që u ka shpëtuar luftërave të pushtuesve, por si i ka shpëtuar ish- diktatorit Enver Hoxha, i cili në vitin 1967 shkatërroi të gjitha kishat në vend?

Fatkeqësisht kjo kishë edhe disa objekte të pakta kanë shpëtuar gjatë periudhës së komunizmit. Atë që nuk arriti ta shkatërrojë Perandoria Osmane e bëri sistemi komunist. Sipas shënimeve kemi një pjesë të madhe të objekteve, që kanë mbijetuar nga Perandoria Osmane edhe janë hedhur në erë nga sistemi komunist. Por intelektualët e kohës me politikat e tyre kanë arritur që t’i kamuflojnë disa kisha, si objekte pa vlerë dhe t’i përdorin për gjëra të ndryshme, të rëndomta. Kështu që, edhe kjo kishë në vitet ‘70 është përdorur për prodhimin e krimbit të mëndafshit, e pastaj më vonë ka qenë magazinë e veglave bujqësore, deri në rihapjen e kishave në ’90. Kjo edhe pse ka shpëtuar, një pjesë e saj është shkatërruar pas ardhjes së demokracisë. Një ndërhyrje në këtë objekt është bërë në vitin 2000-’05, pastaj u la plotësisht pas dore, deri në shkurt të këtij viti që u mor iniciativa për ta shpëtuar këtë objekt me vlerë të madhe kombëtare dhe ballkanike.

Ju i e cilësuat një objekt me vlerë të madhe edhe ballkanike, por çfarë i shton ky objekt trashëgimisë sonë kulturore?

Që të jemi të saktë në rezultate duhet të bëhen analiza. Pas kësaj mund të dalim në përfundim, se çfarë periudhe janë këto afreske, tek të cilat shikojmë shënime latine dhe bizantine. Kjo normalisht që përputhet edhe me ngjarjet historike të asaj periudhe. Por, janë shumë interesante dhe zbulimet e reja, që i ka realizuar restauratori Zamir Marika me ekipin e tij. Është hequr suvaja e vjetër, edhe janë zbuluar gjurmë të afreskeve, që u përkasin këtyre shekujve, por janë dëmtuar nga faktori njeri dhe koha. Fazat e ndërtimit të gurit tani kuptohen më mirë, dëmtimet që janë bërë në një pjesë apo në një tjetër, të gjitha zonat e ndërtimit janë realizuar në një hartë, që do t’u shërbejë studiuesve, që do të flasin për origjinën e këtij objekti. Në pjesën muzeale do të ekspozohen disa objekte, janë gjetur disa gurë me simbolika të ndryshme, që mund të jenë dhe të kohës antike apo mesjetës së hershme. Gjatë punës është zbuluar së një gur në gjuhën bizantine. Kjo korrespondon me dy pllaka, njëra është në gjuhën latine, pllaka kushtimore.

Dhe së fundmi, tani që falë iniciativës suaj kishën mund ta vizitojë kushdo, si ndiheni?

Të them të drejtën jam pak i lodhur, se është bërë një punë e madhe në mënyrë cilësore. Arritëm që për tre muaj, bashkë me specialistët e mirëfilltë të rikonstruktojmë objektin. Por, normalisht që do të ketë sërisht punë në të ardhmen, sepse do të bëhet konservimi i  afreskeve dhe i gurëve. Duhet që të ketë një mirëmbajtje të përhershme, jo sikundër ka qenë deri tani. Kisha do të jetë pjesë muzeale, sepse flet për identitetin tonë kombëtar edhe mund ta vizitojë kushdo që do të ketë dëshirë.

/b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Dosja 5D, SPAK mbyll hetimet dhe dërgon për gjykim ish-drejtorët e Bashkisë Tiranë, kompania gjatë 2016-2022 fitoi 12 tendera dhe përfitoi rreth 2 mlionë euro

Dosja 5D, SPAK mbyll hetimet dhe dërgon për gjykim ish-drejtorët e Bashkisë Tiranë, kompania gjatë 2016-2022 fitoi 12 tendera dhe përfitoi rreth 2 mlionë euro