Manastiri i Shën Julitës dhe Qirikut në Dhuvjan të Dropullit, monument kulture i kategorisë së parë, po i nënshtrohet restaurimit me mbështetjen e World Monuments Fund. Rreth 120 mijë dollarë janë siguruar për fazën aktuale të ndërhyrjeve, ndërsa projekti parashikon edhe lidhjen e monumenteve të zonës përmes shtigjeve dhe sinjalistikës.

Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, inspektoi punimet në kompleks, ku ndërhyrjet përfshijnë konsolidimin dhe restaurimin e muraturave prej guri, qemerëve dhe galerive me arkada, si dhe çatinë, shkallët, elementet prej druri dhe portën hyrëse.

“Jemi në Manastirin e Shën Julitës dhe Qirikut, në Dhuvjan të Dropullit, një monument kulture i kategorisë së parë, me një histori që na çon të paktën deri në vitin 1588. Këtu ka funksionuar edhe shkolla e parë e vajzave në zonë, ku, krahas shkrimit dhe leximit, mësoheshin edhe hapat e parë të artizanatit. Sot, World Monuments Fund po mbështet restaurimin e këtij kompleksi dhe krijimin e sinjalistikës përgjatë shtigjeve që lidhin Manastirin e Dhuvjanit me Manastirin e Vanistrës, Goranxinë dhe Derviçanin”, u shpreh Gonxhja

Përfshirja e manastireve në World Monuments Watch ka mundësuar financimin prej rreth 120 mijë dollarësh për fazën që po zbatohet aktualisht. Gonxhja bëri të ditur se më tej parashikohet një financim i dytë nga Ambassadors Fund for Cultural Preservation i Departamentit Amerikan të Shtetit.

“Kompleksi i Dhuvjanit ka sot nevoja të konsiderueshme për konservim. Ndërhyrjet përfshijnë konsolidimin dhe restaurimin e muraturave prej guri, qemerëve, galerive me arkada, restaurimin e çatisë me rrasa guri, shkallëve, elementeve prej druri dhe portës hyrëse, si dhe zgjidhjen e problemeve të shkaktuara nga ujërat dhe vegjetacioni”, tha ministri.

Projekti synon gjithashtu që monumentet fetare të zonës të mos trajtohen si pika të izoluara, por të lidhen me njëra-tjetrën dhe me fshatrat e Dropullit përmes shtigjeve të pajisura me sinjalistikë.

“Synimi ynë nuk është vetëm restaurimi i një monumenti. Përmes shtigjeve dhe sinjalistikës synohet të krijohet një lidhje mes monumenteve të zonës, peizazhit dhe komuniteteve lokale, duke e kthyer trashëgiminë shpirtërore e kulturore në një mundësi për njohjen dhe zhvillimin e të gjithë Dropullit”, deklaroi Gonxhja.

Punimet zbatohen nga Cultural Heritage Without Borders, në bashkëpunim me Drejtorinë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore të Gjirokastrës dhe nën mbikëqyrjen e Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore. Në projekt janë përfshirë gjithashtu Kisha Autoqefale Ortodokse e Shqipërisë, komuniteti lokal dhe Bashkia Dropull.

“Është një sinergji e plotë me të gjitha institucionet tona qendrore, rajonale, por edhe me organizata joqeveritare dhe me gjithë bashkëpunimin edhe të Kishës Autoqefale Ortodokse Shqiptare, të gjithë komunitetit lokal dhe, natyrisht, edhe të Bashkisë së Dropullit, që po japin të gjithë një dorë që ne të kemi një rilindje të plotë, jo vetëm të këtyre institucioneve në kuptimin e praktikimit të besimit, por edhe të vlerës së jashtëzakonshme që ato mbartin për të shkuarën dhe për gjithë identitetin tonë, pse jo, europian”, tha Gonxhja.

Një nga monumentet e rëndësishme kishtare të Dropullit

Manastiri i Shën Qirikut dhe Julitës, i njohur edhe si Manastiri i Lindjes së Hyjlindëses, është pjesë e trashëgimisë kishtare të Dropullit. Të dhënat historike e lidhin kompleksin me periudhën bizantine, ndërsa burime dhe shënime të vjetra monastike e çojnë themelimin ose rindërtimin e tij deri rreth vitit 1089.

Kompleksi ka kaluar nëpër faza të ndryshme ndërtimi dhe rindërtimi. Kisha karakterizohet nga elemente të arkitekturës bizantine dhe pasbizantine, ndërsa brenda saj gjashtë kolona guri mbështesin strukturën e kupolës.

Monumenti u kushtohet shenjtorëve martirë Qiriku dhe Julita dhe, përveç vlerës fetare, mbart edhe një pjesë të historisë arsimore të zonës, pasi në kompleks ka funksionuar një shkollë për vajza.