11 ditë larg ndeshjes kundër Polonisë për play-off-in e Kupës së Botës 2026, trajneri i kombëtares shqiptare të futbollit, Sylvinho, nuk i ka punët mirë me sulmin. Këtë të diel sulmuesi Rey Manaj ka lënë fushën i dëmtuar me klubin e tij turk, Sivasspor.

Këta të fundit luanin në shtëpi kundër Umraniyespor për raundin e 31-të të Ligës së Parë, ndërsa pas vetëm gjashtë minutave lojë Rey Manaj ka ngritur 'flamurin e bardhë'.

Sulmuesi i Kombëtares nuk ka mundur të vijojë dot lojën për shkak të një problemi që në pamje të parë duket si muskulor. Turac Boke mori vendin e tij. Manaj ka disa ditë që vuan një lëndim, por kur dukej se e kishte lënë pas ai i është shfaqur sërish.

Veç Manajt, edhe Mirlind Daku dhe Armando Broja janë shoqëruar me lëndime në javët e fundit. Broja mori dje pak minuta me Burnleyn, por është në garë me kohën për të qenë në formë për grumbullimin me Kombëtaren.

Të enjten më 26 mars në orën 20:45 në Varshavë luhet Poloni - Shqipëri, ndeshje e cila vlen për play-off-in e Kupës së Botës.