Operatorët turistik të Durrësit janë të shqetësuar për mbarëvajtjen e turizmit për shkak të protestave që kanë përfshirë Tiranën prej gati 2 javësh.

Ata thonë se për shkak të kësaj situate janë tkurrur prenotimet në një masë prej 40 % në krahasim me një vit më parë.Kjo do të thotë dhjetra mijra pushues më pak në bregdetin e Durrësit.

Operatorët turistikë, pronarë hotelesh dhe resortesh, thonë se agjencitë e tyre partnere po raportojnë se shumë pushues po heqin dorë nga Shqipëria si destinacion, për shkak të pasigurisë që, sipas tyre, krijohet nga situata që po zhvillohet në Tiranë..Kjo për shkak se në një mënyrë apo një tjetër, turizmi në Durrës është i lidhur me kryeqytetin.

“Qëllimi i mbledhjes sonë nuk është politik. Duam të shprehim një shqetësim real që kemi në këtë fillim sezoni. Kemi disa operatorë që kanë shprehur shqetësim, edhe pse ne ua  kemi bërë prezentë që protesta nuk ndikon në siguritë e plazheve, përsëri ata janë skeptikë. Vetëm në 2 javët e para dy kompani gjermane dhe skandinave ka një reduktim gati me 40% të rezervimeve të këtij sezoni. Këto duam tia bëjmë prezent edhe Ministrisë së Turizmit për të dialoguar me ta dhe siguruar partnerët tanë që në Shqipëri ccdo gjë është normale dhe protestat nuk do të ndikojnë në mbarëvajtjen e sezonit. Hoteleriët janë me kredi dhe nëse sezoni nuk është i sukesshëm do të kenë të pamundur të paguajnë kreditë dhe punonjësit” tha Fatos Çerenishti

“Nga të gjithë operatorët kemi shqertësimë, duke qenë se Durrësi ka një kapacitet të madh turistësh, të gjithë turistët kanë lidhje me Tiranën dhe kanë filluar të frenojnë rezervimet për muajt shtator-tetor. Ne jemi pro investimeve. Shqipëria është destinacion shumë i rëndësishëm dhe investimet kanë rëndësi. Por ato duhet të jenë në harmoni me trashëgiminë kulturore, natyrën. Nëse gjërat shkojnë në harmoni pa prishur gjurmët e SHQIPËRISË, rritet vlera e zonave , cilësia e turizmit dhe turistët kthehen. Ne sot i drejtojmë një apel të gjithë protestuesve dhe qeverisë që turizmi është sektori më i rëndësishëm i ekonomisë shqiptare dhe duhet të mos e dëmtojmë por ta përmirësojmë” tha  Eduard Xhepa

“Protestat e fundit kanë tërhequr vëmendjen e mediave ndërkombëtare dhe kjo ka krijuar një shqetësim te partnerët e huaj. Në këtë periudhë vjet i kemi pas mbyllur kontratat por sivjet ata po presin të sqarohet situata. Ka ndikuar në tkurrjen e rezervimeve deri në 20%. Nuk ka rezervimeve last minute. Nuk ka pasur anulim rezervimesh por ka bllokim rezervimesh të reja. Ka një stepje goxha të madhe nga gjermanët. Duhet të bëhet diçka. Do të kemi një mbledhje që të kemi një marrëveshje si kjo protestë të mos shkaktojë dëme kolaterale” tha Blerim Norja

Ata nuk përjashtojnë mundësinë e kontaktit të një përfaqësie të tyre me organizatorë të prorestës për ti bërë të ditur shqetësimin e tyre.