Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta thotë se përgjegjësi i vetëm për korrupsionin në Shqipëri është Edi Rama.
Në një konferencë për shtyp, Meta teksa komentoi rezolutën e PS antikorrupsion, tha se detyra e vetme e opozitës është që të vazhdojë betejën pa kompromis.
‘Miratimi vetëm me votat e “Rilindjes” të “Rezolutës antikorrupsion” nga Kuvendi më i korruptuar në kontinent, që qep ligje me porosi për klientët e Qeverisë, duke u kthyer në një noter të saj, ishte totalisht një farsë e dëshpëruar e një bande të korruptuarish me Edi Ramën në krye.
Korrupsioni duhet ndëshkohet ashpërsisht me të gjithë fuqinë e ligjit ndërsa tallavaja e Rezolutës është një tjetër porosi e mafies dhe e trafikantëve për t’u rënë teneqeve mediatike përmes mediave të blera nga inceneratorët.
Të luftosh korrupsionin me Rezolutë, kur ke patur 11 vjet pushtet absolute si Edi Rama dhe kur Shqipëria është e renditur në vendin e parë në Europë, pas Rusisë, për nivelin më të lartë të korrupsionit dhe e renditur si vendi i dytë në botë, pas Zambias, për nivelin e lartë të ryshfetit, është përbuzje dhe fyerje jo vetëm për 1 milion shqiptarë që kanë braktisur vendin për shkak të keqqeverisjes, por edhe për të gjithë ata që jetojnë sot këtu në kushte ekstreme varfërie dhe mbijetese.’- tha Meta.
Ky regjim, u shpreh Meta, ka nevojë për një të shtyrë që të rrëzohet në greminë dhe “këtë të shtyrë, nuk do t’ja kursejmë”.
“Jemi të qartë, i vetmi përgjegjës në Shqipëri për të gjithë këtë korrupsion galoponte është ai që kontrollon timonin dhe gjitha tepsitë që quhet Edi Rama. Kështu që ai ta gëzojë komisionin, detyra e opozitës është të vazhdojë betejën e saj të pa kompromis. Betejë e pandalshme deri në çrrënjosjen e këtij regjimi dhe ky regjim do bjerë një greminë, do një të shtyrë dhe ne këtë të shtyrë nuk do ja kursejmë”, tha Ilir Meta.
Ndërsa i pyetur pse nuk po zhvillohen takime me partitë opozitare për aksionin kundër qeverisë, Meta kishte këtë përgjigje:
“Partia e Lirisë është në krye të aksionit opozitar, çdo ditë. E ka nisur nga vetja vazhdon të përmirësojë organizimin e saj përballë një makinerie që duhet shpartalluar me çdo çmim dhe kjo kërkon një organizim me efikas se deri tani”.