Gjatë interpelancës me ministren e Arsimit, Mirela Kumbaro për rezultatet e testimit PISA, deputeti i PD-së, Luçiano Boçi, tha se OECD ka evidentuar një fakt konkret, shkollat me më pas 21 nxënës nuk u kontaktuan për testimin
“Zonja Ministre në çdo filim të vitit shkollor çdo prind ka shpresën që fëmija e tij do të mësoj shumë. Pas çdo rezultati të rëndësishëm siç është PISA, ka fëmijë, ëndrra dhe prindër dhe mësues që përkushtohen. Detyra jonë është që të kuptojmë gjendjen e tyre dhe të kërkojmë përgjegjësitë për ëndrrat e tyre. Vlerësimi ka vlerë kur ai përputhet me të vërtetën. Unë kam për detyrë që të vërtetën ta mbroj. OECD ka evidentuar një fakt konkret, shkollat me më pas 21 nxënës nuk u kontaktuan për testimin PISA dhe nuk morën pjesë, nuk u kontaktuan nga Ministria e Arsimit. Është një boshllëk strukturor. Shqipërisë i raportohet raportim i kufizuar. Kjo do të thotë diçka shumë konkrete që fëmijët në shkolla rurale, apo me vështirësi ekonomike nuk janë matur fare. Një pamje ata nxënës që kanë më shumë vëmendje. Duam të dimë sa shkolla dhe nxënës ngelën jashtë për çdo qark. Duam qartësi të plotë për rezultatet e Shqipërisë. Duam pasqyrën e plotë financiare sa u investua për PISA. Duam garanci konkrete se në vijim që kjo situatë të mos përsëritet”, tha Boçi.
Ndërkohë Minsitrja e Arsmit Mirela Kumbaro nënvizoi se vlerësimi ndërkombëtar PISA zhvillohet sipas rregullave të përcaktuara nga OECD.
“PISA nuk është një provim që Ministria e Arsimit e organizon sipas dëshirës së vet, ashtu siç nuk është as një listë shkollash që një zyrtar shqiptar mund ta shkurtojë apo ta zgjerojë sipas interesit politik të momentit. Është një vlerësim ndërkombëtar, me rregulla kampionimi të përcaktuara nga OECD-ja dhe nga konsorciumi ndërkombëtar që e drejton këtë proces në më shumë se 90 vende të botës, dhe këto rregulla zbatohen njësoj, pavarësisht se cila qeveri qëndron në pushtet kur zhvillohet testimi. Prandaj, kur dëgjoj të thuhet se dikush ka vendosur të përjashtojë shkolla nga ky proces, në mos qoftë dezinformim me dashakeqësi që s’dua ta besoj, e kuptoj menjëherë se po ngatërrohen dy gjëra thelbësisht të ndryshme: një procedurë statistikore ndërkombëtare, e vendosur shumë kohë para se testimi të fillojë, dhe një supozim politik për ndërhyrje të qëllimshme. Dhe më vjen shumë keq për banalizimin e këtij diskutimi, ku respektin për një testim të OECD – për të cilin tanimë po flet e gjithë bota, sepse të gjitha sistemet arsimore marrin mësimet e tyre nga këto rezultate – e nëpërkëmbni me dritshkurtësinë e allishverishteve tuaja politike a thua se bëhet fjalë për rezultatet e zgjedhjeve në godinën e SHQUP-it ku i plotësoni shifrat me rrumbullakosje sipas direktivave nga lart-poshtë”, theksoi Kumbaro.
Kumbaro tha se për testimin e PISA, pjesëmarrja e nxënësve në shkollat e përzgjedhura ishte 97.37%, mbi standardin prej 80% që kërkohet nga OECD.
“Standardi teknik i OECD-së kërkon që pjesëmarrja e shkollave në kampion të jetë të paktën 85%; Shqipëria arriti rreth 80%, dhe ky është fakt që nuk e kemi fshehur asnjë ditë është pjesë e vetë materialit teknik që shoqëron testimin. Por standardi tjetër, po aq i rëndësishëm, kërkon që brenda shkollave të përzgjedhura nga organizata dhe jo nga ne – pjesëmarrja e vetë nxënësve të jetë të paktën 80%; Shqipëria arriti 97,37%. Dhe kjo shifër e dytë, kolegë deputetë, është ajo që rrëzon vetë themelin e akuzës për manipulim: sepse nëse dikush do të kishte dashur të “përzgjidhte” cilët nxënës të dalin mirë në test, do ta kishte bërë pikërisht këtu, duke lënë jashtë testimit nxënës të caktuar brenda shkollave që tashmë ishin pjesë e kampionit. Kjo nuk ka ndodhur. Gati çdo nxënës i thirrur u paraqit, u testua, dhe rezultati i tij u regjistrua ashtu siç ishte. Sa i përket vetë shkollave që nuk hynë në kampion, edhe këtu kemi shifra dhe jo hamendësime: Është krijuar me dashakeqësi përshtypja se kjo qenka një histori “fshati rri jashtë, qyteti futet brenda”, nënvizoi Kumbaro.
"Nxënësit shqiptarë në testin ndërkombëtar PISA, u renditën me: 433 pikë në matematikë, 435 pikë në shkencë, së bashku me Malin e Zi, duke lënë pas nxënësit e Greqisë. E nëse krahasohemi me veten, me vitin 2022, Shqipëria arriti: +65 pikë në matematikë; +59 pikë në shkencë; +50 pikë në lexim”, u shpreh Kumbaro në interpelancën në Kuvend", tha Kumbaro.
Lajmi kryesor:
Kuvend/ Rrëzohet kërkesa e PD që të mos votohet drafti për pagat e magjistratëve, Balla: Hipokrizi! S'ka komision hetimor për 'Kayo'




