Para nisjes së vitit të ri shkollor mijëra mësues po i nënshtrohen testeve COVID-19 në Madrid, kryeqytet i Spanjës.
Testet masive të planifikuara nga qeveria rajonale e Madridit duhej të mbylleshin më herët pasi qendrat e caktuara për të kryer ekzaminimet u mbingarkuan nga mijëra mësues që e gjetën veten në radhë për orë të tëra dhe në pamundësi të respektonin distancën sociale.
Ndërsa Spanja regjistron numrin më të lartë të rasteve COVID-19 në Evropën perëndimore, zyrtarët janë përpjekur të mbajnë nën kontroll frikën se shkollat mund të kthehen në qendra për infeksion masiv, por paqartësia midis një pjese të popullsisë mbetet e lartë.
Sipas udhëzimeve kombëtare të lëshuara më 27 gusht, të gjithë fëmijët e shkollave nga mosha gjashtë vjeç duhet të mbajnë maska.
Ndërkohë një spital në Madrid është përzgjedhur të jetë pjesë e testimeve për një vaksinë anti-COVID-19 Kompania “Johnson and Johnson” dëshiron të testojë efektivitetin e vaksinës në një nga zonat më të prekura nga pandemia në Evropë. Testimi pritet të kryhet brenda disa ditësh.
Kjo vaksinë edhe pse është ende larg për të qenë e disponueshme për publikun e gjerë, mund të sigurojë informacione të reja për mënyrat e mbrojtjes nga coronavirusi në Spanjë, një ndër vendet që u prek më shumë nga COVID-19 në Evropë.
Rreth 140 vaksina janë duke u testuar në botë. 30 prej tyre janë provuar tashmë tek njerëzit, por studiuesit besojnë se jo më shumë se dhjetë do të vërtetojnë efektivitet kundër COVID-19.
Një nga vaksinat po zhvillohet nga kompania nga Astrozeneca. Testimi po kryhet në qytetin e Oksfordit në Mbretërinë e Bashkuar.