Rikonstruktohet trotuari i rrugës 'Ibrahim Rugova' në kryeqyet, Veliaj: Tirana qytet i të gjithëve

Pas rehabilitimit të trotuareve në Rrugën e Kavajës, Bashkia e Tiranës po vijon punën për zgjerimin e tyre edhe në disa rrugë të tjera të qytetit, për të mundësuar kalimin më lehtë të këmbësorëve, të karrocave të fëmijëve dhe personave me aftësi ndryshe. Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj inspektoi punimet për zgjerimin e trotuareve në “Ibrahim Rugova”, pranë shallvareve, dhe vlerësoi faktin se edhe ky investim shkon në favor të këmbësorëve dhe personave me aftësi ndryshe.

Jam shumë i kënaqur nga mënyra se si po rikuperojmë tokë dhe terren, që më përpara ishte vetëm pronë e makinave, të cilat në fakt janë vetëm 20% e popullatës, kurse 80% e njerëzve ecin në këmbë, përdorin biçikletat dhe transportin publik. Kjo rrugë vërtetë ka qenë një rrugë tregtare, një rrugë me dyqane, me kafe e biznese, ama për trotuar kishim një shteg dhish, i cili nuk lejonte të shkëmbeheshin dy vetë, e jo më të shijonin vitrinat apo të bënin biznes. Ajo që kemi vënë re në të gjitha rrugët ku shtohen hapësirat pedonale ka më shumë biznes, ka më shumë ekonomi, ka më shumë xhiro. E kemi vënë re tek “Myslym Shyri”, e kemi vënë re te Pazari i Ri, te sheshi “Skëndërbej”, në çdo rrugë që përshkohet nga një trotuar i mirë ose nga një korsi biçikletash. 

Erion Veliaj, Kreu i Bashkisë së Tiranës

Sipas kryebashkiakut, shumë prej trotuareve të zaptuara gjatë viteve ‘90 janë legalizuar dhe hipotekuar, prandaj për zgjerimin e trotuarit përgjatë gjithë segmentit rrugor nga “Myslym Shyri” deri tek ura e Lanës janë përdorur hapësirat që më herët përdoreshin për parkimin e makinave.

Statistikat na tregojnë që në vitet 90-të kemi pasur një ofensivë të zaptimit të trotuareve. Shumë prej tyre në rrumpallën e këtyre viteve janë legalizuar dhe hipotekuar dhe e bëjnë thuajse të pamundur që ti të qërosh çdo fasadë pallati, kështu që na duhet në korsitë ose në rrugët që kanë 4-5 korsi të marrim një korsi makinash ose një korsi parkingu, ku sakrifikojmë të ardhura për ta kthyer në një hapësirë për këmbësorët. Ndaj, jam shumë i lumtur që eksperimenti i parë po bëhet në këtë segment të parkut “Rinia”, duke filluar nga “Myslym Shyri” deri tek ura e Lanës.

Erion Veliaj, Kreu i Bashkisë së Tiranës

Veliaj shtoi se projekti i radhës është ndërhyrja në parkun “Rinia”, i cili do t’i nënshtrohet një ndërhyrje totale nga Agjencia e Parqeve dhe Rekreacionit, për ta transformuar edhe këtë hapësirë në një mundësi më shumë për argëtim për fëmijët dhe të rriturit.

Në parkun Rinia do të bëjmë një sistemim total. Jam i ndërgjegjshëm se është një park shumë i frekuentuar, por ka nevojë të vihet dorë. Me të njëjtën mënyrë siç kemi vënë dorë tek liqeni dhe kemi transformuar gjithë hapësirën atje, ashtu do të transformojmë edhe parkun "Rinia", deklaroi kryebashkiaku.

Ai ftoi qytetarët të jenë bashkëpunues me bashkinë, jo vetëm për të mirëmbajtur investimet, por edhe për të sugjeruar ndërhyrjet e radhës që mund të bëhen në zona tëndryshme të Tiranës. “Dua t’i ftoj qytetarët të përdorin platformën Tirana Ime për të na propozuar vende të tjera ku mund të bëjmë të njëjtin transformim. Ka qenë në fakt kërkesë e qytetarëve, e banorëve të kësaj zone zgjerimi i këtij trotuari dhe do të vazhdojmë me të gjithë kërkesat e qytetarëve. Aty ku ka më shumë propozime për ndërhyrje aty do të ketë edhe më shumë konsensus për t’i bërë këto ndërhyrje”, vijoi Veliaj.

Kryebashkiaku Veliaj theksoi se Bashkia e Tiranës prej disa muajsh ka nisur projektin për të përshtatur të gjitha trotuaret dhe rrugët për kalimin e karrocave të fëmijëve dhe personave me aftësi ndryshe, duke mundësuar kështu një qytet për të gjithë

 “Jam i bindur që deri në mes të këtij viti i gjithë projekti për të ulur trotuaret, për të vendosur rampat, për t’u siguruar që ata që janë me karrige me rrota, me karroca bebesh ta kenë qytetin më të aksesueshëm dhe në momentin që është mbyllur gjithë pjesa e Unazës së Re, pastaj mund të kalojmë në të gjithë lagjet në nivel kapilar", u shpreh Veliaj.

Sipas kryebashkiakut, këto lloj investimesh jo vetëm u vijnë në ndihmë qytetarëve, por i nxisin ata të përdorin mënyra alternative për të lëvizur dhe jo detyrimisht makinën.

“E vetmja mënyrë për të filluar një ofensivë ndaj makinës është që të kemi një çikë më shumë hapësirë për këmbësorët dhe për të gjithë ata që përdorin mënyra alternative për të lëvizur dhe jo detyrimisht një makinë", tha kryetari i Bashkisë.

Me ndërhyrjen e bashkisë trotuari përgjatë rrugës "Ibrahim Rugova" është zgjeruar në 2.5 metra, ndërkohë që është bërë lëvizja e plotë e pusetave shimbledhëse, por edhe ndriçuesve të rrugës. Heqja e mundësisë së parkimit në këtë zonë rikuperohet, sipas bashkisë, me parkingjet që janë ndërtuar dhe janë në plan për t'u ndërtuar në zonën përreth. Ndërkohë, nuk është prekur gjerësia e rrugëve për lëvizjen e makinave

/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Lufta në Gaza/ Sulme në veri, dhjetëra persona në rrënoja! Forcat ajrore izraelite godasin spitalin 'Kamal Adwan', 50 të vdekur, përfshirë 5 mjekë

Lufta në Gaza/ Sulme në veri, dhjetëra persona në rrënoja! Forcat ajrore izraelite godasin spitalin 'Kamal Adwan', 50 të vdekur, përfshirë 5 mjekë