Kanë filluar fluturimet në aeroportin e Mynihut mëngjesin e sotëm, por me kufizime.

Për shkak të reshjeve të dendura të borës që goditën ditën e djeshme Gjermaninë jugore, fluturimet në aeroportin e Mynihut ishin pezulluar deri në mëngjesin e sotëm, ndërsa avionët kishin devijuar në aeroportet e Nurembergut dhe Frankfurtit.

Ndërprerje ka pasur edhe në qarkullimin hekurudhor, po më pas sipas njoftimeve të bëra për udhëtimet me trena, banorëve të jugut u është bërë thirrje që të bëjnë vetëm udhëtime të domosdoshme.

Megjithatë, gjatë këtyre ditëve pritet të ketë kufizime në udhëtime, kanë thënë disa kompani që operojnë prej aty.  Pasagjerëve u është kërkuar që të kontrollojnë nëse do të realizohen fluturimet e tyre, para se të nisen drejt aeroportit.

Autoritetet kanë angazhuar edhe helikopterë për të kryer vëzhgime ajrore për të parë gjendjen e binarëve. Pavarësisht situatës, autoritetet kanë raportuar për aksidente të vogla.