Për të mësuar më shumë rreth kësaj shfaqeje është prononcuar për mikrofonin e emisionit “Rreze Dielli” vetë regjizori Isai.
Ai është shprehur se komedia në vetvete është e përbërë nga disa pjesëza komedish, të cilat janë bashkuar duke sjellë një të plotë.
Sipas regjizorit kjo vjen si një multi-komedi pjesët e së cilës ndonëse janë të ndryshme vijnë të bashkuara në një të tërë dhe në një vijë dramaturgjike.
“Në thelb të saj janë ëndrrat e personazheve dhe kur këto ëndrra janë shumë më të mëdha sesa potencialet e tyre apo rrethanat nuk i lejon ata ti realizojnë.
Në këtë çast bashkohet pamundësia e personazhit me pamundësinë e rrethanës dhe këto ëndrra janë aq të realizueshme sa mund të jetë bashkëjetesa e 8 personazheve në një krevat,”-është shprehur regjizori Isai.
Ndërkohë ai ka folur edhe për vështirësitë e aktorëve në interpretimin e disa roleve në skenë, pasi është një punë kolosale dhe ata janë përkushtuar për ta realizuar sa më mirë.
Një ndër aktoret e njohura e cila është pjesë e kastit është edhe Natasha Sela. Ajo është shprehur se ndihet mjaft mirë me trupën dhe se ka mësuar shumë edhe nga aktorët e rinj, ndonëse viteve të shumta në skenë.
Të njëjtën gjë pohuan edhe aktoret e reja Klesta Shero dhe Olta Çali përsa i përket aktorëve të vjetër të skenës.
Ndërkohë aktori Kastriot Rramollari u shpreh se është ndjerë mirë që ka punuar me ish-studentë të tij si dhe materiali i paraqitur ishte një mozaik situatash komike interesante.
Komedia “Ëndrra në papafingo” do të vijë çdo fundjavë për publikun në skenën e Teatrit Metropol.
(xh.k/shqiptarja.com)