Presidenti Ilir Meta ka reaguar për herë të parë për gjobën që vendosi policia në lidhje me organizmin e ditëlindjes së aktorit Bes Kallaku, duke i konsideruar si marrëzi dhe lojëra pasi ai është shembulli i përgjegjshmërisë, ndërsa shtoi se maskën e vendos për të dhënë një shembull pozitiv në këtë situatë pandemie.

 “Unë kam qenë i ftuar në ditëlindje, restorantet kanë qenë të hapura, distanca ishte shembullore. Këto , lojëra, marrëzitë që bënë me Kastriot Islamin nuk fshehin të vërtetat që kanë të bëjnë më përballjen me këto pasoja dramatike. Unë jam një shembull i përgjegjshmërisë. Maskën e mbaj për një mesazh për qytetarët. Ato policët të bëjnë detyrën, por duhet ta dinë se në rast se do të preket një votë, presidenti nuk do të mbajë përgjegjësi nëse policët do të përfundojnë në këmbët e popullit. I ftoj të gjithë të bëjnë detyrën”, tha Meta për një media lokale

Më herët Shqiptarja.com publikoi video skandalin ku të ftuarit në ditëlindje, të gjithë persona të njohur dhe VIP, ia kishin marrë valles, me në krye kryetaren e LSI-së Monika Kryemadhit sikur virusi të mos ishte prezent duke shkelur çdo masë anti-covid. Reagimi i policisë erdhi një ditë më pas ku vendoi gjobitjen e 30 të ftuarve, si dhe pronarin e lokalit që lejoi organizmin e ceremonive festive kundër ligjeve të vendosura për frenimin e COVID-19. Identifikimin e 30 të ftuarve policia i bëri nga pamjet filmike mes të cilëve edhe Klajdi Haruni dhe Bruno, Olsi Bylyku, Arbana Osmani, Eduart Grishaj,Kryebashkiaku i Kolonjës Erion Isai  etj. të cilët në vend që të përcillnin mesazhe ndërgjegjësimi për respektimin e masave anti-covid, kanë preferuar t'i shkelin me të dyja këmbët ato.