Deputeti i PD Lefter Gështenja në mbledhjen e sotme të Komisionit të Veprimtarisë Prodhuese ka ngritur si shqetësim emërtesën në dokumeta të Kuvendit të Shqipërisë në ‘Kuvendi Popullor’.

Ai u shpreh se tashmë mungon edhe ylli tek logoja.

‘Dua të ngre një shqetësim serioz për menyrën si është prezantuar ky projekt buxhet. Megjithëse kjo mazhornacë e ka treguar vullnetin për t’a çuar këtë vend në një sistem monopartiak duke i marrë të gjitha pushtetet.  Për të ardhur keq, por në dy dokumente zyrtarë të këtij buxheti kemi: Lista e njësive buxhetore shpenzuese, institucioni i parë është presidenca, i dyti Kuvendi Popullor. E njëjta gjë edhe tek lista e projekteve të investimeve, institucioni i  parë presidenca, dyti Kuvendi Popullor’. Nëse ka ndryshuar emri i Kuvendit të Shqipërisë në Kuvendi Popullor, na i thoni, t’na bëhet me dije. Nuk besoj se është lapsus, por siç thotë populli vete gjuha ku dhemb dhembi.  Vendosni dhe yllin tek logoja dhe jeni në rregull. Unë e di që është Kuvendi i Shqipërisë, emërtesë e ndryshuar në parlament. Nëse ju keni vullnet dhe dëshirë ta ndryshoni, shenjat i keni dhënë’, tha ai.