SHBA - Teksa vendi po përballet me pasojat e uraganit Sandy, stuhia më e madhe që ka goditur ndonjëhere bregun lindor të saj, disa zona në juglindje të vendit, janë goditur sërisht me tornado, shira dhe stuhi dëbore.

Më shumë se 200 fluturime janë anuluar në aeroportin ndërkombëtar të Torontos për shkak të një stuhie dëbore. Mediat amerikane kanë njoftuar se edhe në qytetet kryesore Boston, Nju Jork dhe Pitsburg janë pezulluar fluturime si pasojë e borës dhe erërave të forta.

Në Oklahoma, rrugët janë të pakalueshme nga ngricat dhe autoritetet kanë bërë thirrje njerëzve për të qëndruar në shtëpi.

Sipas Shërbimit Kombëtar Meteorologjik deri tani dy tornado kanë goditur disa pjesë të Teksasit, por nuk ka raportime për dëme të mëdha materiale
Ndërkohë bëhet e ditur se në rajonin e Hustonit në Teksas, një person ka gjetur vdekjen pasi një pemë ra mbi makinën e tij nga stuhia e fuqishme.

Ndërsa në pjesën jugore të Alabamës të paktën tre persona kanë humbur jetën si pasojë e stuhisë ku erërat e forta shkulën pemë e cati shtëpish dhe shkatërruan rrjetin energjetik. Në këtë moment më shumë se 26 mijë njerëz në qytet kanë mbetur pa energji elektrike.

Gjithashtu bëhet e ditur se janë dhëne paralajmërime për stuhi me erëra të forta dhe temperatura të ulëta gjatë ditëve të ardhshme.

(l.c/ad.ti/shqiptarja.com)