Murtaja e Ruminantëve është rikthyer në qarkun Shkodër pas afro një viti. Rasti i parë i murtajës u regjistrua në fshatin Mali i Gjymtit të Dajçit. 20 krerë dele të fermerit Sokol Volaj janë firmosur, ndërsa pritet asgjësimi edhe i afro 60 krerëve të tjera të këtij fermeri.

“I kemi groposur me fadroma, po bëhet një javë, thonë se ka dalë sëmundje dhe do të asgjësohen”, thotë blegtori.

Dëmi që i është i konsiderueshëm thotë blegtori, i cili apelon për dëmshpërblim nga shteti.

“Të dëmton shumë, kam një jetë me ato, për ti shtuar. Dëmi shkon 10-15 milionë lekë të vjetra, ikën dele, qengja, qumësht e gjithçka. Kërkoj të më dëmshpërblejnë. Të gjitha janë të matrikulluara, që të merrja lekë nga skema, por tani doli sëmundja”, tha Volaj.

Ndërkohë administratori i Dajçit, Broz Pjetrani thotë se ka dyshime që në atë njësi mund të ketë edhe raste të tjera të murtajës tek bagëtitë e imta.

“Kemi ardhur në vendin ku është shfaqur sëmundja, janë asgjësuar krerët e para në një gropë të caktuar nga njësia vendore. Edhe në herën e dytë në po të njëjtën tufë kanë ndodhur disa ngordhje të të imtave, presim nga institucionet që të bëjnë të mundur asgjësimin. Dyshohet se mund të ketë edhe në fshatrat e tjera, presim konkluzionet e veterinerëve”, thotë Broz Pjetrani Administrator i Njësisë Dajç.

Ministria e Bujqësisë ka nxjerrë një urdhër për vendosjen në karantinë të kësaj zone në një rreze prej 3-10 kilometër.

Muajin e kaluar u asgjësuan 220 bagëti të imëta në njësinë Administrative Shupenzë, Bashkia Bulqizë, pasi u prekën nga ky virus, ndërsa rasti tjetër është në Peqin, ku kanë ngordhur 97 qengja.

Murtaja e Ruminantëve të Vegjël është një sëmundje virale shumë ngjitëse, e cila shkakton dëme serioze në tufat blegtorale të të imtave, por nuk transmetohet tek njeriu. Për të parandaluar përhapjen e kësaj sëmundjeje të rrezikshme, AKVMB kërkon të zbatohen masat biosigurisë në fermë: nga karantinimi i kafshëve, kufizim i hyrje daljeve në ferma, dezinfektim dhe duke shmangur kontaktin me tufat e tjera në kullota.

 

Xh.K/A.M/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës: 16 Qershor, 18:28

    A duhet ta dorëzojë mandatin ‘Neomalësorja’ pas largimit nga grupi i PS?