Rikthehet nisma në Kuvend, ndalohet arrestimi i deputetit pa prova 

Rikthehet nisma në Kuvend, ndalohet arrestimi i deputetit pa prova 

Kuvendi i Shqipërisë

Komisioni Parlamentar i Ligjeve mori dje në shqyrtim ndryshimet në Rregulloren e Kuvendit. Ndryshimet janë propozuar që në janar të vitit 2018, ndërsa parashikojnë që Kuvendi nuk autorizon Prokurorinë për arrestimin e një deputeti pa paraqitur prova mbështetëse në Këshillin e Mandateve. Në pikën 1 të nenit 118 të Rregullores së Kuvendit, është saktësuar se, kërkesa e prokurorisë përmban një relacion të arsyetuar dhe të shoqëruar me provat që mbështesin kërkesën.

Në rregulloren në fuqi, nuk përmendeshin prova, por vetëm materiale shoqëruese. Deri më tani Prokuroria ka kërkuar arrestimin e deputetëve bazuar në indicie dhe dyshime të arsyeshme. Nisma për ndryshimin e Rregullores së Kuvendit erdhi pas debatit të fortë që kërkoi organi i akuzës për t’i hequr imunitetin ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahirit, bazuar në dyshime dhe indicie për lidhje me grupin e Habilajve. Shumica nuk e autorizoi prokurorinë për të arrestuar ish-ministrin e Brendshëm, por autorizoi Prokurorinë vetëm për kontrollin e banesës së tij, si dhe ndalimin që ish-deputeti të dalte jashtë kufijve të Shqipërisë.

Disa muaj më vonë, Tahiri e dorëzoi mandatin e deputetit, duke u përballur me drejtësinë pa imunitet parlamentar. Ndërkaq, shumica argumenton se kjo ndërhyrje është thjeshtë në përputhje e Rregullores së Kuvendit me Kodin e Procedurës Penale. Gjithashtu, projektvendimi parashikon shkurtimin e kohës në dispozicion të Këshillit për Rregulloren Mandatet dhe Imunitetin për hartimin e raportit, me anë të të cilit rekomandon dhënien apo jo të pëlqimit për arrestimin e deputetit. Projektvendimi parashikon që Këshilli brenda një jave, harton raportin për në seancë plenare. Ndërsa, Rregullorja e Kuvendit në fuqi parashikon që në përfundim të shqyrtimit, Këshilli, brenda 4 javëve, harton një raport për në seancë plenare.

Përplasjet 
Opozita shprehu kundërshti që në fillim duke pretenduar se Rregullorja e Kuvendit duhet të shqyrtohet në Këshillin e Mandateve dhe Rregullores dhe jo te Ligjet. Deputeti demokrat Enkelejd Alibeaj tha se me ndryshimet në Rregullore maxhoranca po tenton të rikthejë imunitetin e deputetit. Sipas tij, maxhoranca ka frikë nga ligji për shkak të aferave korruptive. Kreut i Ligjeve, Ulsi Manja tha se ishte bojkoti i gjatë i opozitës bëri që Këshilli ta kishte të pamundur të punonte mbi draftin dhe e kaloi atë te ky komision. Por për kreun e grupit parlamentar socialist, Taulant Balla, i pranishëm në komisionin parlamentar të ligjeve për mbrojtjen e ndryshimeve në Rregulloren e Kuvendit, drafti do të kalojë në Kuvend edhe me votat e opozitës. Sipas tij, 12 nga ndryshimet në dokument janë bërë nga opozita dhe 6 nga maxhoranca. 

Debati te Komisioni i Ligjeve

-Enkelejd Alibeaj: Ky komisioni ynë nuk ka kompetenca të bëjë këtë diskutim. Ju nuk kaloni në Këshillin e Rregullores sepse atje jemi 5 me 5. Do të jetë lapsus. Gabim. Hiqeni nga rendi i ditës. 

-Ulsi Manja: Nuk është lapsus. Bojkoti juaj i vjeshtës e pamundësoi punën në Këshillin e Rregullores ndaj e kaluam në këtë komision. 

-Enkelejd Alibeaj: Qëllimi juaj është të riktheni imunitetin e deputetit. 

-Vasilika Hysi: Jo, jo. Mos abuzo. 

-Enkelejd Alibeaj: Doni të mbroni deputetët nga ndjekja penale. Kaq shumë keni vjedhur? Kaq frikë ju ka kapur?

-Taulant Balla: Nuk i bëjmë gabimet që bëtë ju në 2010 dhe 2011. Në këtë draft 6 propozime janë nga ne, 12 janë nga opozita. Falënderoj Alibeajn që ka punuar për këtë dokument. Nuk miratohen ndryshimet në rregulloren e Kuvendit pa konsensusin e opozitës. Libri i Rregullores së Kuvendit të Shqipërisë duhet të përditësohet sepse është shumë e vjetër. Ndryshimet nuk kalojnë pa dakordësinë, tuaj dhe ato të cilat që ju i referoheni do rrinë ashtu siç janë. Do ndryshojë rregullorja për grupet parlamentare, sepse nuk ka mundësi që të ngrihen grupe parlamentare me deputete që kalojnë nga një parti tek-tek tjetra. Shkruajini si të doni. Ne do t'i miratojmë.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Sulmin në ditën e Krishtlindjes Zelensky e quajti çnjerëzor, reagon Moska: Ishte sukses! Ne i arritëm objektivat

Sulmin në ditën e Krishtlindjes Zelensky e quajti çnjerëzor, reagon Moska: Ishte sukses! Ne i arritëm objektivat