Kjo fundjavë pritet të rikthejë sërish panikun e përmbytjeve te qytetarët. Vetëm pak ditë pas motit të kthjellët, reshjet e shiut do të rikthehen sërish, duke u shoqëruar dhe me shtrëngata në disa qarqe. Ndryshe nga fundjava e kaluar, ku u zhyt nën ujë thuajse gjithë jugu i vendit, këtë fundjavë paniku do të zhvendoset në veri, ku rrezikojnë Shkodra, Kukësi, Dibra dhe Elbasani, ndërsa në jug e rrezikuar është Gjirokastra.

Të dhënat më të fundit nga Instituti i Gjeoshkencave flasin për një fundjavë të vështirë, me reshje të dendura shiu dhe dëbore. Sot pasdite (e premte, dt.08) pritet fillimi i reshjeve kryesisht në qarkun e Shkodrës dhe të Kukësit.

Nesër (e shtunë, dt.09) pritet që reshjet të përfshijnë gjithë vendin dhe do të shoqërohen me shtrëngata në qarqet e Shkodrës, Kukësit, Dibrës, Elbasanit dhe Gjirokastrës (siç tregohet në tabelë, respektivisht për secilin qark). Reshje dëbore në zonat malore.

TEMPERATURAT
Nesër (e shtunë, dt.09) temperaturat minimale dhe maksimale të ajrit pritet të arrijnë:

në bregdet: 8 °C / 15 °C

në vendet e ulëta: 7 °C / 12 °C

në vendet malore: 2 °C / 6 °C.

ERA
Sot pasdite (e premte, dt.08) do të fryjë e lehtë dhe nesër (e shtunë, dt.09) do të arrijë deri mesatare në bregdet.

d.c./shqiptarja.com