TIRANE- Qendra Kinematografike ka lëvruar një fond prej 7 milionë lekësh të reja për realizimin e këtij festivali, jashtë vjetësh mungese, Festivali i Filmit Shqiptar do të rikthehet në edicionin e tij të 13-të, në muajin tetor të këtij viti. Qendra Kombëtare Kinematografike ka çelur aplikimet, afati i të cilave është deri në fund të prillit e më pas një komision do të shqyrtojë projektet e dorëzuara për të përzgjedhur filmat që do të konkurrojnë. Festivali do të zhvillohet në datat 7 - 13 tetor, ka njoftuar ditë më parë më parë stafi organizator.

Seksioni i filmave artistikë do të përfshijë periudhën 2007-2012, ndërkohë që më të shumta prurjet janë në seksionin e filmave dokumentarë dhe me metrazh të shkurtër. Festivali do të ketë katër seksione në konkurrim: filmin artistik, dokumentarin, filmin e shkurtër, atë të animuar, si dhe dy seksione të tjera promovuese. Edhe artistët shqiptarë nga Kosova dhe Maqedonia mund të dorëzojnë prodhimet e tyre filmike e të fitojnë më pas të drejtën për të marrë pjesë në Festivalin e Filmit. Të gjithë filmat e festivalit do të jenë në garë për çmimin e filmit më të mirë, ndërkohë që për çdo seksion do të ketë edhe çmim për realizimin më të mirë. Ndërkohë pritet edhe mbështetja nga Komisioni Shtetëror i Festimeve për Festivalin, që do të quhet "Festivali XIII i Filmit Shqiptar në 100 Vjet Pavarësi", pohojnë organizatorët. Festivali mendohet të sjell edhe premiera, ndërkohë që po shqyrtohen mundësitë që të jenë të ftuar edhe artistë të kinematografisë botërore. Edicioni i fundit i Festivalit të Filmit Shqiptar u organizua në datat 2-9 tetor 2006, ku filmi më i mirë artistik u shpall "Kukumi" i regjisorit kosovar Isa Qosja. Festivali ka filluar në vitin 1976, ndërkohë që çmimin e parë e kanë fituar ndër vite filmat si "Lulëkuqe mbi mure", "Gjeneral Gramafoni" , "Dora e ngrohtë", "Zemra e nënës" etj.