Të hënën është evidentuar rrëshqitje masive në rrugën që lidh Elbasanin me Gjinarin. Shtabi i emergjencave ka shkuar në vend dhe, në bashkëpunim me Autoritetiin Kombëtar të Rrugëve, është vendosur devijimi i qarkullimit të automjeteve nga baipasi i vjetër i dnërtuar që në vitin 2010. Lidhur me situatën në këtë aks nacional shefi i shtabit të emergjencave Mustafa Arapi shprehet se problemi ka nisur 8 vjet më parë dhe tashmë ka avancuar.
Gjeografia e rrëshqitjeve shtrihet më tej në bashki të tjera të qarkut Elbasan. Në fshatin Kakavec të njësisë administrative Qukës në bashkinë e Prrenjasit është bërë studimi gjeologjik dhe në bazë rezultateve është komunikuar me bashkinë e janë lënë detyra.
Rrëshqitje janë konstatuar edhe në disa fshatra të Gramshit. Situata më e rëndë paraqitet në Rovje ku banorët prej 4 ditësh po punojnë për zhbllokuar vetë rrugën.
Për më shumë se dy muaj ata u izoluan nga dëbora. Por nuk mjaftoi kjo vuajtje. Reshjet e shiut kanë bërë që të shembet një masiv dheu duke i bllokuar rrugën. Banorët i kerkuan pushtetit lokal ashtu edhe Kryeministrit duke i dërguar sms, foto e video për gjendjen në të cilën ndodhen. Por askush nuk nderhyri. Banorët u organizuan vetë dhe me Fuoristradën e vetme që kanë në fshat nisën të pastrojnë rrugën duke lidhur gurët prapa saj. Prej katër ditësh janë angazhuar me punë krahu dhe me këtë mjet të pazakontë për të hapur rrugën.