Rikthehet sëmundja, aktorja
Hajrie Rondo shtrohet në spital

Rikthehet sëmundja, aktorja<br />Hajrie Rondo shtrohet në spital
TIRANE-Shëndeti delikat i aktores së njohur Hajrie Rondo është tronditur sërish pas luftës disavjeçare me kancerin.

Aktorja është shtruar para tre ditësh në Spitalin Neurokirugjik në Tiranë dhe i është nënshtruar një ndërhyrjeje të rëndë kirurgjikale në kokë.

Një vit më parë aktorja Hajrie Rondo arriti që të rikthehet në skenë me të gjithë energjinë dhe talentin e saj autorial me dramën “Tre dhëndurët” të Dionis Bubanit.

E bija e aktores Klea ka pohuar se “prej 10 ditësh Hajrie Rondo nuk ndihej mirë dhe pas vendimit për të bërë një skaner, u zbulua nevoja për një ndërhyrje urgjente”.

Ndërkohë Rondo është nën kujdesin intensiv të mjekëve. 

Nje tjeter që shfaqi trishtimin e tij për këtë lajm ishte edhe kolegu i saj Përparim Kabo. 
"Një lajm i trisht,… mikja jonë e shtrenjtë artistja e shquar Hajrije Rondo është shtruar në spital dhe i është nënshtruar një ndërhyrjeje të rëndë…Mike e dashur e di që më dëgjon…Ajo ditë në Fier kohë Pashkësh në atë takim, ishte shumë e bukur, ishte e kthjellët si je ti në shpirt, ishte me dritë si drita e syve të tu, kishte kumbim se atje fole Ti me shpirtin e zerin e bukur, dhe me krenarinë e mënçur…Ti nis këto fjalë nga zemra ime …dhe jam me ty trimja jonë…Nga sot lutem për ty…
P.Kabo 16 qershor 2017", shkruan Kabo.

hajrie rondo

Pak muaj më parë aktorja e njohur Hajrie Rondo, është vlerësuar me “Medaljen e Mirënjohjes” nga kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj.

Personazhi i njohur i Tanës në filmin “14 vjeç dhëndër” është një nga dhjetëra rolet e mrekullueshme që Hajrie Rondo ka luajtur në disa dekada karrierë në skenën e teatrit dhe të filmit. Së fundi, pasi fitoi betejën e jetës me sëmundjen, ajo i rikthye në skenën e teatrit Metropol me komedinë “Tre dhëndurët”. Pas suksesit të shfaqjes Erion Veliaj Veliaj i dorëzoi asaj “Medaljen e Mirënjohjes”, në shenjë vlerësimi për kontributin e dhënë ndër vite në teatër dhe në film, duke u shndërruar në një model frymëzimi për brezat e mëvonshëm të aktorëve.

“Për ne është një bekim, një inkurajim i jashtëzakonshëm që more përsipër këtë sfidë, dhe duke marrë përsipër këtë sfidë, i ke dhënë kurajë kaq shumë djemve, vajzave, njerëz që ndoshta po kalojnë vështirësi dhe dramat e tyre, por duke parë kurajën tënde sot janë bërë me krahë. Të falënderojmë shumë dhe të japim këtë medalje, si mirënjohje dhe respekt nga gjithë qyteti i Tiranës, për gjithë kontributin tënd ndër vite, sidomos për kurajën që na ke dhënë këto ditë, duke u rikthyer në skenë, e duke na e rikthyer shpresën të gjithëve”, u shpreh Veliaj.

Nga ana e saj aktorja, Hajrie Rondo, tha se vetëm me punë dhe vullnet mund të arrihet çdo sukses, duke përballuar edhe sfidat që sjell jeta. Ajo deklaroi se në jetën e saj ka pasur si lajtmotiv që ta shohë dhe ta përjetojë me ngjyrat më të bukura.

“Një nga këto ngjyra është ajo e profesionit që kam zgjedhur. Kur dy zonjushat e nderuara, drejtoresha dhe Sonila, më bënë ofertën isha në dilemë: ta marr apo jo? Të rri në shtëpi, të mbyllem dhe të bashkëbisedoj e trishtuar me sëmundjen, apo t’i them asaj def, ik tutje, sepse kam punë? Zgjodha këtë të dytën, bëra mirë dhe ia dola. U lodha një çikë, por stafi, drejtoresha, regjisorja dhe kolegët, ma amortizuan dhe ma lehtësuan sëmundjen. Betohem dhe të jap fjalën se do të luftoj, do të luftoj fort t’i ngjit prapë ato shkallë, ajo është shtëpia ime”, u shpreh aktorja Rondo.

Ndërsa gjendja e saj është e rënduar tashmë, dhe jemi në pritje të deklaratave të mjekëve të spitalit, shpresojmë që aktorja ta fitojë edhe këtë betejë të dytë me sëmundjen.

(d.b/Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Si po përballohet situata e krijuar nga zjarret në vend?



×

Lajmi i fundit

Kakavijë, radhë kilometrike makinash për të hyrë në Shqipëri, pala greke punon me vetëm 1 sportel

Kakavijë, radhë kilometrike makinash për të hyrë në Shqipëri, pala greke punon me vetëm 1 sportel