TIRANË- Report Tv do sjellë një herë në muaj sondazh në bashkëpunim me sondazhistin e mirënjohur Eduard Zaloshnja për temat më të rëndësishme të aktualitetit politik.

Mbrëmjen e sotme në emisionin ‘Repolitix’ u transmetua sondazhi i parë ku qytetarët janë pyetur për një sërë çështjesh, nga Fredi Beleri, tek kabineti i ri, vlerësimi për qeverinë Rama dhe opozitën, politikani më i preferuar dhe se për kë do të votonin nëse sot (13 shtator 2023) do të mbaheshin zgjedhjet parlamentare.

Kampioni i sondazhit është 1102 banorë të rritur nga e gjithë Shqipëria të cilët janë pyetur me mesazh, si edhe marzhi i gabimit +/- 3.5%. 

Çfarë mendojnë qytetarët shqiptarë për çështjen Beleri? Sipas rezultateve të sondazhit 82.6% janë kundër betimit të Belerit dhe 17.4% janë pro. Konkretisht, 75.0% thonë se Beleri nuk duhet të betohet. 7.1% janë përgjigjur ‘po’, 10.3% ‘ndoshta po’ dhe 7.6% ‘ndoshta jo’.

Sa i takon vlerësimit të punës së qeverisë, ndërsa Edi Rama është në vijim të mandatit të tretë, 61% e vlerësojnë negativisht performancën e mazhorancës dhe 38.9% pozitivisht. Por, teksa i kanë dhënë ‘notë të keqe’ qeverisjes së PS, sërish qytetarët do i besonin edhe një mandat të katërt Ramës në krye të qeverisë.

Nëse zgjedhjet parlamentare do të mbaheshin ditën e sotme (13 shtator) 36.3% ose 740 mijë qytetarë do të votonin për Partinë Socialiste. Sipas sondazhit të Report Tv, Rithemelimi i Sali Berishës do dilte forcë e dytë me 21.6% të votave ose 440 mijë vota.
 

Partia Demokratike dhe Partia e Lirisë nuk do të merrnin as më shumë se 5% të votave. 100 mijë qytetarë ose 4.9% do të votëbesonin Lulzim Bashën për kryeministër, ndërsa Partia e Lirisë do të merrte vetëm 75 mijë vota ose 3.4% të votave. 70 mijë qytetarë do të votonin për partitë e tjera të vogla opozitare.

Ndërsa 615 mijë qytetarë ose 30.1% nuk do të votonin nëse zgjedhjet parlamentare do të zhvilloheshin sot më 13 shtator.

Kreu i qeverisë ruan sërish vendin e parë si politikani më i preferuar i shqiptarëve me 40.0%, i ndjekur nga Sali Berisha me 21%. I treti vjen Lulzim Basha me 4.7% dhe në fund mbetet Ilir Meta me 3.7%.

Teksa kryeministri Rama dhe PS shihen në një pozitë të favorshme edhe për zgjedhjet e ardhshme parlamentare, situata nuk duket aspak e mirë për opozitën, ku përveç shifrave që nuk i tregojnë konkurrues përballë PS, shumica dërrmuese e qytetarëve shqiptarë s’vlerësojnë as aksionin opozitar.  72.8% kanë vlerësim ‘negativ’ ose ‘anoj negativ’, ndërsa 27.2% kanë vlerësim ‘pozitiv’ ose ‘anoj pozitiv’. 

Ndërkohë, qytetarët janë të ndarë pothuajse 50 me 50 për kabinetin e ri qeveritar! 22.3% ose 455 mijë qytetarë mendojnë se këto ndryshime do ta përmirësojnë qeverisjen, 27.7% ose 565 mijë thonë ‘Ndoshta po’. Ndërkohë, 27.2% ose 555 mijë qytetarë mendojnë se këto ndryshime ne qeveri nuk do të përmirësojnë qeverisjen, ndërsa 22.8% ose 465 mijë thonë ‘ndoshta jo’.

Të ftuar në studion e 'Repolitix' me gazetarin Denis Minga për të analizuar shifrat e sondazhit të Report Tv në bashkëpunim me sondazhistin Eduard Zaloshnja ishin Gent Malko, Flogert Muça dhe Erlis Çela.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 22:42
SONDAZHI i Report Tv/ Nëse zgjedhjet parlamentare mbahen sot, 740 mijë qytetarë i besojnë Ramës mandatin e katërt! 615 mijë s'votojnë! Berisha forcë e dytë! Basha, Meta s'kalojnë as 5%

Nëse ditën e sotme, 13 shtator, do të mbaheshin zgjedhjet parlamentare, Partia Socialiste do të korrte sërish fitore të padiskutueshme. 36.3% e qytetarëve, sipas sondazhit të Report Tv, do të votonin për t’i dhënë kryeministrit Edi Rama një tjetër mandat në krye të qeverisë, përkthyer në shifra 740 mijë qytetarë do të votonin për Partinë Socialiste.

Ajo çfarë tërheq vëmendjen është shifra e atyre që nuk do të votonin nëse sot do të mbaheshin zgjedhjet parlamentare. 30.1 % ose 615 mijë qytetarë nuk do të votonin nëse zgjedhjet parlamentare do të zhvilloheshin sot më 13 shtator.

Rithemelimi i Sali Berishës do dilte forcë e dytë duke marrë 21.6% të votave ose 440 mijë vota.

Ndërsa partitë e tjera, duke nisur nga PD zyrtare e Bashës, PL e Metës por dhe partitë e tjera nuk kalojnë as pragun 5%. Konkretisht 100 mijë qytetarë ose 4.9% do të votëbesonin Lulzim Bashën për kryeministër, ndërsa Partia e Lirisë do të merrte vetëm 75 mijë vota ose 3.4% të votave. 70 mijë qytetarë do të votonin për partitë e tjera të vogla.

Ora 22:23
SONDAZHI i Report Tv/ Rama ruan 'fronin', politikani më i preferuar i shqiptarëve! Ndiqet nga Berisha e Basha! Meta mbetet në fund

Kryeministri Edi Rama mbetet politikani më i preferuar i qytetarëve shqiptarë. 40.0% ose 815 mijë qytetarë kanë opinion pozitiv për Edi Ramën, sipas gjetjeve të sondazhit të realizuar nga Report Tv. Pas kreut të qeverisë, politikani më i pëlqyer renditet Sali Berisha, 21% ose 430 mijë qytetarë kanë votuar për ish-kryeministrin.

I treti vjen Lulzim Basha me 4.7% dhe në fund mbetet Ilir Meta me 3.7%.

30.6% ose 625 mijë qytetarë nuk vlerësojnë asnjërin prej katër politikanëve.

Ora 22:14
SONDAZHI i Report Tv/ Shqiptarët ‘notë të keqe’ opozitës, 72.8% s’vlerësojnë aksionin opozitar

Prej gati dy vitesh Partia Demokratike është fokusuar në luftën e brendshme duke lënë jashtë vëmendjes ‘aksionin opozitar’. Por tej kësaj, çfarë vlerësimi kanë qytetarët në përgjithësi për aktivitetin e opozitës?

Të pyetur nga Report Tv për sondazhin e realizuar në bashkëpunim me Eduard Zaloshnjën, shumica dërrmuese e qytetarëve vlerësojnë negativisht aktivitetin e opozitës. Konkretisht, 46.3% ose 945 mijë qytetarë janë përgjigjur ‘negativ’, ndërsa 26.5% ose 540 mijë qytetarë thonë ‘anoj negativ’.

Vetëm 16.2% ose 330 mijë qytetarë vlerësojnë pozitivisht aktivitetin e opozitës. 11.0% ose 540 mijë thonë ‘anoj pozitiv’.  

Ora 22:01
SONDAZHI i Report Tv/ Ja vlerësimi i qytetarëve për qeverinë Rama! 38.9% pozitiv, 61% negativ

Kryeministri Edi Rama është në mandatin e tretë të qeverisjes, por si e vlerësojnë qytetarët punën e qeverisë? Të pyetur nga Report Tv, në sondazhin e realizuar në bashkëpunim me Eduard Zaloshnjën, 20.3% ose 415 mijë qytetarë vlerësojnë pozitivisht punën e qeverisë.

Të pyetur se çfarë vlerësimi kanë për punën e qeverisë në përgjithësi deri më sot, 18.6% ose 380 mijë qytetarë thonë ‘anoj pozitivisht’, ndërsa 28.9% ‘anoj negativisht’. ‘Negativ’ janë përgjigjur 32.1% ose 655 mijë qytetarë.

Ora 21:50
SONDAZHI i Report Tv/ Ndryshimet në qeveri, qytetarët të ndarë! 50% optimistë se do përmirësohet qeverisja, 50% kundër


Ndryshimet në qeveri të njoftuara më 4 shtator në Asamblenë e PS-së, të dekretuara nga presidenti dhe miratuar nga Kuvendi kanë qenë kryefjala e diskutimeve për këtë fillim shtatori.

Të pyetur nga Report Tv, qytetarët janë të pothuajse të ndarë 50 me 50 për këtë çështje.

22.3% ose 455 mijë qytetarë mendojnë se këto ndryshime do ta përmirësojnë qeverisjen, 27.7% ose 565 mijë thonë ‘Ndoshta po’. Ndërkohë, 27.2% ose 555 mijë qytetarë mendojnë se këto ndryshime ne qeveri nuk do të përmirësojnë qeverisjen, ndërsa 22.8% ose 465 mijë thonë ‘ndoshta jo’.

Ora 21:16
SONDAZHI i Report Tv/ Shqiptarët kundër betimit të Fredi Blerit si kryebashkiak i Himarës, 82.6% thonë ‘Jo’! Vetëm 17.4% pro

Çështja e Fredi Belerit, kryetarit të zgjedhur të Himarës i arrestuar, dy ditë përpara zgjedhjeve të vendore të 14 majit, nën akuzë për shitblerje të votës ka sjellë pasoja në marrëdhëniet me Greqinë.

Athina kërkon me ngulm dhe po bën presion duke kërcënuar dhe me pengim të integrimit në BE që Beleri të lejohet të bëjë betimin, ndonëse është në burg ndërsa qeveria Rama ka deklaruar se nuk mund të ndërhyjë në çështjen e drejtësisë. Por çfarë mendojnë qytetarët shqiptarë për këtë çështje?

Të pyetur nga Report Tv, në bashkëpunim me sondazhisitin Eduard Zaloshnja, shumica e tyre janë kundër betimit të Fredi Blelerit. Konkretisht, sipas rezultateve të sondazhit 75.0% ose 1.530.000 qytetarë janë kundër betimit të Fredi Belerit. 7.1% ose 145 mijë janë pro, 10.3% ose 210.000 thonë ‘Ndoshta Po’ dhe 7.6% ose 155.000 thonë ‘Ndoshta jo’.