Të premten rikthehet Superliga me ndeshjen hapëse mjaft interesante mes Flamurtarit dhe Partizanit e vlefshme për javën e 14. “Demat” udhëtojnë në Vlorë si kryesuesit e kampionatit dhe do të kërkojë të jenë të tillë edhe pas këtij 90 minutëshi.
Në prag të sfidës trajneri Gega është shprehur: “Jemi në vendin e parë, do të shkojmë në Vlorë për të mbajtur këtë pozicion. Gjithsesi futbolli i ka të treja rezultatet, por kemi rrugë të gjatë për të bërë. Deri në momentin e fundit do të jemi nën presion për objektivat që duhet të arrijmë.”
Ndërkohë Dashamir Xhika, i cili nesër do ta nisë si titullar për shkak të mungesës së Alban Hoxhës, ka deklaruar:“S’kam menduar kurrë të largohem nga Partizani pasi jam në shtëpi këtu. Për mua s’është problem që jam portier I dytë, pasi i pari është Albani që luan edhe me Kombëtaren.”
Për vlonjatët kjo ndeshje është mjaft e rëndësishme pasi një hap i gabuar do t’i largonte shumë me ekipet kryesuese. Një fakt të tillë e theksoi edhe trajneri Daja në konferencën për shtyp. “Do të jetë shumë e vështirë, por siç kërkon Partizani të luajë për objektivat e veta, edhe në kërkojmë t’i përmbushim tonat.”
Për mesfushorin Batha kjo ndeshje do jetë më shumë se ndeshja e radhës. “Është bukur të luash kundër ekipit ku je formuar dhe ke kaluar një pjesë të madhe të karrierës. Shpresoj të bëhet lojë e mirë dhe të kënaqim tifozët.”
Flamurtari renditet në vendin e 6 dhe aktualisht është -12 pikë nga Partizani kryesues.