Rikthim i vizave? Shkrimtarja:
Flutura Açka: Humbësi? Prapë populli

Rikthim i vizave? Shkrimtarja:<br />Flutura Açka: Humbësi? Prapë populli
Shkrimtarja e njohur Flutura Açka ka reaguar pas lajmit në mediat holandeze se policia dhe prokuroria në Amsterdam i kanë dërguar një raport qeverisë së tyre ku i kërkojnë vendosjen e regjimit të vizave për shqiptarët, pasi kanë rritur kriminalitetin.
 
Flutura Açka thotë se ky është një turp kombëtar shqiptar dhe se fajin nuk e ka Holanda, por ata që drejtojnë shtetin shqiptar.
 
Por Policia Kufitare shqiptare deklaroi se nga Holanda nuk ka asnjë ankesë zyrtare për vizat.

STATUSI I PLOTE
Humbësi? Prapë populli…
Sonte në radion holandeze do të ketë një bisedë enkas për rivendosjen e regjimit të vizave për shqiptarët. Edhe pse vetëm në projekt – me shpresën se Gjermania do ta refuzojë kategorikisht – ky lajm është më i trishti që shqiptarët mund te merrnin sot.
 
Tani janë në plazhe, kur të freskohet mbase do ta kuptojnë rrëmetin që po vjen. Tani, njerëzit e thjeshtë, ata që duan të vizitojnë fëmijët e tyre jashtë vendit dhe të tjerë që prej kohësh ndihen qytetarë të lirë të kësaj Europe, do të rrojnë me frikën e kthimit të radhëve në spoertelet e ambasadave. Për një vizë!
 
Një turp kombëtar shqiptar, mjaft që është ideuar diku! Fajin nuk e ka Holanda që është bërë def nga kriminelët shqiptarë, me dhe pa pushtet. A ka njeri përgjegjësi, a di të bëjë njeri ndjesë për këtë? A ka ndokush ndonjë keqardhje, ndonjë pendesë? Jo, absolutisht jo, sepse, në fund të fundit, populli do ta vuajë, jo pasaportat diplomatike, jo pasaportat e shërbimit, jo pasaportat e falsifikuara të kriminelëve, as pasaportat e garantuara të polit-kriminelëve. Populli do të jetë prapë humbësi… dhe populli e di arsyen.
KANABISGATE po na i mbyll edhe dyert e fundit me Europën. Është përsheshi që gatuam vetë, që e kthyem Shqipërinë në fillim në Lazarat e pastaj në Gjitharat!
 
Thuajani shqiptarëve me ton të lartë, me zë dhe me figurë, se gjysma e të ardhurave tona kombëtare, vjen nga kanabisi dhe droga, nga krimi dhe pushteti i korruptuar që është shpesh dorëzan i krimit.
 
Kur u shpreha një herë tejet e shqetësuar në një program televiziv për kanabizimin e plotë të vendit dhe pasojat që do të sillte, një zëdhënëse e politikës, u çorr publikisht duke më fyer e duke më shpjeguar se e kisha gabim dhe se në Holandë lejohej të mbillje canabis sativa.
 
Po lejohet. Sa do të doja ta kisha tani përballë e ta pyesja se ç’mendonte sot kur Shqipëria kërcënohet nga regjimi i vizave, prej të cilit shqiptarët pandehën se kishin shpëtuar?
 
Holanda po, lejon pesë rrënjë për shtëpi, por jo 5 milion rrrënjë për çdo qeveri. Akrepat e orës shqiptare janë kthyer në kundërkohë. Bravo, hë duartrokisni në teatrin e madh të turpërimit kombëtar:
Zgjedhjet…
Zjarret…
Vetingu cung…
Liria në hekura..
Kriminelët në rrugë…
Media në “burg”…
Vizat e lejëkalimet… në fund.
Zot, ruaji shqiptarët nga bastardët qe u ranë për hise, se veten nuk e ruajtën dot…

 
 
 dy.b/shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    21 Dhjetor, 15:03

    Si e vlerësoni mbylljen e TikTok në Shqipëri për një vit?



×

Lajmi i fundit

Renditja/ Superliga mbyll vitin 2024, Teuta barazon pa gola me Bylisin! Tifozët numërohen me 'gishtat e një dore'

Renditja/ Superliga mbyll vitin 2024, Teuta barazon pa gola me Bylisin! Tifozët numërohen me 'gishtat e një dore'