I ftuar në emisionin "Pa Protokoll", Mark Marku ka ritheksuar se prania e tij në Komisionin për Rivlerësimin e kandidatëve të PD për deputet, nuk nënkupton një rikthim në parti. Ai ka sqaruar se në eksperiencën e tij të mëparshme si deputet nuk është ndier mirë, e për rrjedhojë nuk pretendon asnjë post pas zgjedhjeve të ardhshme parlamentare.
"Unë jam i pozicionuar politikisht në çdo moment dhe nuk e kam atë kompleksin që e kanë shumë persona këtu në Shqipëri, që janë të pozicionuar politikisht dhe nuk e pranojnë. Aristoteli e ka quajtur njeriun “kafshë politike”. Pra nëse nuk reagon politikisht, nuk je qytetar. Pjesëmarrja ime në atë komision është konfirmim që unë nuk jam rikthyer, nuk kam qenë asnjëherë në strukturat e PD-së, kam qenë politikisht i djathtë për shkak të bindjeve të mia, por edhe për shkak të faktit që kam qenë student kur u krijua PD-ja. Për mua PD-ja është partia me të cilën kam një lidhje të hershme, pavarësisht se nuk kam qenë asnjëherë në strukturat e saj. Nuk është rikthim sepse e kam deklaruar me kohë që nuk kam asnjë ambicie, as për të qenë deputet, as në ndonjë pozicion të ardhshëm në pushtet. Pse? Sepse ndihem mirë kështu, siç jam. Mua në vetvete pushteti nuk më thotë kushedi se çfarë. Kam pasur një eksperiencë dhe nuk jam ndier mirë në atë lloj pozicioni. Kam shprehur qëndrimet e mia që dihen publikisht. Nuk jam natyrë që i ndërtoj marrëdhëniet mbi bazën e keqkuptimeve, siç ishte ai rasti i pjesëmarrjes sime si deputet. Kështu që e kam zgjidhur me kohë atë histori. Pra nuk jam kthyer as në kuptimin e aktivitetit të mirëfilltë politik të tipit partiak, as në politikën e mirëfilltë të çfarëdolloj institucioni politik të vendit. Kam marrë pjesë në komision sepse më është dukur një proces shumë interesant, që përputhet me disa ide, të cilat i kam hedhur me kohë për riformatimin e partive politike shqiptare, edhe të PD-së. Ideja ime është që përherë dikush duhet të reagojë", tha Marku.
Lajmi kryesor: