TIRANË- Eksperiencën e tij të mëparshme si deputet Mark Marku e cilëson si aspak të mirë, së cilës nuk pretendon t'i rikthehet. I ftuar në "Pa Protokoll" përballë gazetarët Anduela Ndreu, Marku shprehet se ai synonte të ishte një "deputet" ndryshe nga ai klasiku që prezantohet votuesve, por këtë gjë nuk ia lejonte drejtuesi i atëhershëm i PD-së, Sali Berisha njëherazi dhe kryeministri. Marku shprehet se Berisha nuk i lejonte deputetët të flisnin e të kritikonin qeverinë, megjithatë sipas tij, pavarësisht kësaj është më demokratik se Rama.

"Unë kam qenë deputet i PD-së, kur zoti Berisha ishte kryeministër. Nuk kam pasur ndonjë problem thelbësor me Berishën. Problemi ishte mënyra se si ai e konceptonte marrëdhënien me deputetët, me partinë dhe me të tjerët. Kjo mua nuk më ka pëlqyer kurrë, aq më tepër kur flitej për veten time. Njeriu është egoist dhe kur thotë që nuk është i tillë është hipokrit. Pra, unë dua më shumë veten se partinë, se Berishën, se Bashën. Marrëdhënia ishte e tillë që unë nuk pranoja të sillesha si deputetët e tjerë në PD, që nuk duhej të flisnin, të ishin konformistë, të mos reagonin në raport me problemet që krijoheshin gjatë qeverisjes etj. Partia ka rregulla, por asnjë rregull nuk duhet të shkelë të drejtat dhe liritë bazë të njeriut, përfshi dhe deputetin. Mendoni që deputeti të mos ketë të drejtën e fjalës, po qytetari si mund ta ketë? Pra unë flisja, votën nuk e kam tjetërsuar dhe kam ndjekur bindjet e mia. (...)Më rezulton se Berisha ka pasur një pushtet më demokratik po ta krahasoj me Ramën", tha Marku. Ai është shprehur se përzgjedhja në Komisionin e Vlerësimit të kandidatëve të deputet të PD-së, nuk do të thotë që do të rikthehet, duke theksuar se nuk ka asnjë ambicie për pushtet.

"Nuk është rikthim sepse e kam deklaruar me kohë që nuk kam asnjë ambicie, as për të qenë deputet, as në ndonjë pozicion të ardhshëm në pushtet. Pse? Sepse ndihem mirë kështu, siç jam", shtoi ai.  

Anëtari i Komisionit të Vlerësimit të kandidatëve të PD për zgjedhjet e 25 prillit, Marku foli edhe për procesin e zgjedhjes së kandidaturave në Partinë Demokratike. Marku ka zbuluar se kanë kandiduar 3 600 persona dhe sipas përzgjedhjes, tashmë janë duke u rishikuar 960 kandidatura. Më pas të gjitha kandidaturat e përzgjedhura do t'i shkojnë anëtarësisë.

"Pastaj kandidaturat vijnë në komisionin e vlerësimit, ne aktualisht jemi në fazën kur kemi bërë një përzgjedhje të nivelit të parë, që do të thotë nga 3 600 kandidatura kemi zbritur diku te 960 kandidatura. Në fazën e dytë kemi edhe kandidaturat e këshillit kombëtar dhe të grupit të deputetëve, rreth 1 000 kandidatura. Në fazën e tretë do të shkojmë te një listë me të gjithë trupën përfaqësuese të kandidatëve qoftë në zgjedhjet lokale, qoftë në zgjedhjet e përgjithshme. Të gjitha këto do t’i shkojnë anëtarësisë duke pasur anëtarësia alternativa përzgjedhjeje", deklaroi Marku.

Përsa i përket zgjedhjes së kandidatëve final, Marku tha se një vendim i tillë i takon anëtarësisë. Por, përsëri në fund shpërndarja dhe vendimi do t'i takojë kryesisë.

"Patjetër, me votimin një anëtar – një votë. Ne mund të zgjedhim rreth 350 kandidatura dhe të gjitha këto i nënshtrohen përsëri një gjykimi të anëtarësisë. Pra, edhe vendimet e komisionit kanë mundësi të korrigjohen. Anëtarësia ka rol të dyfishtë. Pra, zgjedhjet tona vlerësohen nga komisioni dhe pastaj rezultati i shkon kryesisë së partisë dhe strukturave të tjera drejtuese, kuvendit kombëtar etj., sipas statutit të partisë. Pastaj kjo është çështje e PD-së, por edhe aty ka mundësi korrigjimi në kuptimin që strukturat e partisë marrin vendimin e shpërndarjes politike nëpër qarqe të figurave të veta përfaqësuese, të zgjedhura nga komisioni dhe nga anëtarësia. E dyta, ka një kuotë prej 20% që është e kryesisë, e cila mund të bëjë korrigjime të tjera, që do të thotë se mund të shtojë dhe mund të heqë nga listat sepse ne nuk kemi fuqi propozuese. Por 20% e kandidaturave janë të kryesisë, që do të thotë se mund të zgjedhë, duke parë rezultatet e këtij procesi, mund të gjejë pastaj zgjidhje të tipit që mund të shkohet me një listë sa më përfaqësuese në zgjedhje. Pra procesi është unik në vetvete, me disa instanca të cilat nuk mund të ndikojnë te njëra-tjetra, por bëjnë korrigjimin e njëra-tjetrës dhe në thelb është një proces, siç e shkoj unë, edhe demokratik edhe efikas", deklaroi Marku.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 10:04
Marku: Kur Basha të vij në pushtet 'kritikët' do bëhen 'lavdërues'

Mark Marku e konsideron kryetarin aktual të PD-së, Lulzim Basha më bashkëpunues se Sali Berishën. Ndalur te kritikat e shumta që vijnë për drejtimin e PD-së, Marku shprehet se me ardhjen në pushtet "kritikët" do të bëhen "lavdërues". Ndër kritikët më të fortë të Bashës në krye të PD-së është Jozefina Topalli, Astrit Patozi, Edvin Kulluri, por Marku zgjodhi të mos fliste me emra.

"Si natyrë zoti Basha krijon më tepër mundësi për bashkëpunim. Më vjen mirë që janë shtuar edhe kritikat ndaj zotit Basha. Kam frikë se në momentin kur të vijë në pushtet do të pakësohen kritikat dhe kritikët do të bëhen lavdërues të Bashës, ndoshta me tepricë. Këtë frikë kam, jo atë të kritikave", tha ai.

Ora 09:37
Marku: Berisha s'më pëlqente se s'lejonte deputetët të flisnim dhe të kritikonin qeverinë...por është më demokratik se Rama

Eksperiencën e tij të mëparshme si deputet Mark Marku e cilëson si aspak të mirë, së cilës nuk pretendon t'i rikthehet. Një ndër shkaktarët kryesor ai bën ish- kryeministrin Sali Berisha, njëherazi drejtuesi i PD-së. Marku thotë se marrëdhënia që ai kishte krijuar me deputetët nuk i pëlqente pasi ai i pengonte të fliste dhe të reagonte për problemet që krijoheshin gjatë qeverisjes. Megjithatë, duke bërë një krahasim me kryeministrin e tanishëm Edi Rama, Marku thotë se Berisha ka qenë me demokratik.

"Unë kam qenë deputet i PD-së, kur zoti Berisha ishte kryeministër. Nuk kam pasur ndonjë problem thelbësor me Berishën. Problemi ishte mënyra se si ai e konceptonte marrëdhënien me deputetët, me partinë dhe me të tjerët. Kjo mua nuk më ka pëlqyer kurrë, aq më tepër kur flitej për veten time. Njeriu është egoist dhe kur thotë që nuk është i tillë është hipokrit. Pra, unë dua më shumë veten se partinë, se Berishën, se Bashën. Marrëdhënia ishte e tillë që unë nuk pranoja të sillesha si deputetët e tjerë në PD, që nuk duhej të flisnin, të ishin konformistë, të mos reagonin në raport me problemet që krijoheshin gjatë qeverisjes etj. Partia ka rregulla, por asnjë rregull nuk duhet të shkelë të drejtat dhe liritë bazë të njeriut, përfshi dhe deputetin. Mendoni që deputeti të mos ketë të drejtën e fjalës, po qytetari si mund ta ketë? Pra unë flisja, votën nuk e kam tjetërsuar dhe kam ndjekur bindjet e mia. Sot marrëdhënia është normale sepse unë nuk i ndërtoj marrëdhëniet mbi bazën e inateve ndaj të tjerëve. Vlerësimi im për Berishën është ai që ka qenë, e vlerësoj pozitivisht për të gjitha gjërat pozitive që ka bërë për Shqipërinë dhe për PD-në, hyrja në NATO, liberalizimi i vizave, qeverisja e mirë ekonomike sidomos në mandantin 2005-2009, infrastruktura etj. Është një njeri që punon. Unë Berishës nuk i kam pranuar kurrë pushtetin absolut. Më rezulton se Berisha ka pasur një pushtet më demokratik po ta krahasoj me Ramën. Unë pothuajse i njoh të gjithë politikanët shqiptarë dhe mendoj se Berisha ishte njeriu që i dëgjonte më mirë të tjerët. Tjetër gjë është që bënte atë çfarë donte vetë, duke bërë llogaritë e veta të pushtetit. Por, në thelb ishte një dëgjues shumë i mirë, d.m.th. një ide pozitive për pushtetin e tij e merrte. Tjetër gjë pastaj që vendimet i merrte në mënyrë autokratike. Duhet ta ndajmë këtë", tha Marku në "Pa Protokoll" të gazetares Anduela Ndreu.

Ora 09:36
Kritikat e Topallit, Marku: Basha nuk ka pasur mundësi të tregojë veten, pasi nuk e pranonin lidershipin e tij

Anëtari i Komisionit të Vlerësimit të kandidatëve të PD për zgjedhjet e 25 prillit, Mark Marku u pyet nga gazetarja e Report Tv se çfarë mendonte për kritikat e ish- Krye parlamentares Jozefina Topalli për kreun e PD-së Lulzim Bashën.

Marku tha se e vlerëson Topallin për kontributin në PD, por sipas tij me përvojën që ajo ka nuk duhet ti bënte ato deklarata.

"Personalisht se qëllimin kritik të kujdo e vlerësoj, në këtë kuadër s'kam si mos vlerësoj kritikat që vijnë kundër kujdo. Qoftë edhe ndaj Bashës.

Për rastin e zonjës Topalli, por edhe të pjesës tjetër të kritikave. unë mendoj që ëhstë një marrëdhënie politike mes Bashës dhe Topallit dhe dashur të hyj në marrëdhënien e tyre.

E para unë mendoj që, normalisht që e vlerësoj zonjën Topalli për të gjithë atë çfarë ka përfaqësuar deri tani në Partinë Demokratike, por edhe përtej në kuptimin një grua dinjitoze që ka ndjekur karrierën e vetë, nga Shkodra, me një familje të persekutua.. E kam vlerësuar përherë zonjën Topalli dhe mendoj që për vlerat që përfaqësonte i takonte ai rol në Partinë Demokratike. Po çfarë do t'u thoja unë kritikave të kritikëve të Bashës. Nëse ata ia lejojnë vetes të jenë kritik ndaj Bashës, duhet të na lejojnë edhe ne të jemi. Ajo që kërkon zonja Topalli që po nuk iku kryetari i Bashkisë, mendoj që është jopolitike në vetvete. Me përvojën që ka nuk do të duhej t'a bënte. Pra, një parti nuk mund të vihet para alternativës, ose ky ky ose unë.

Ideja është se ajo çfarë kërkon zonja Topalli për ikjen e kryetarit të PD-së, është jo politike", tha Marku.

Sipas tij, kryetari i PD-së kishte marrë një parti të shkatërruar dhe duke pasur parasysh se disa persona nuk e pranonin lidershipin e tij, Basha nuk ka pasur mundësi që ta tregojë veten.

"Basha nuk ka pasur mundësi të tregojë veten, se ka marrë një parti të shkatërruar, me njerëz që nuk e pranonin lidershipin e Bashës. Unë i kuptoj si Astrit Patozin, si të ndjerin Sokol Olldashi që normalisht brenda partisë do kishte pakënaqësi. Pra Basha nuk ka pasur mundësi që të tregojë veten", tha Marku.

Ora 22:55
Rikthim në PD? Marku në 'Pa Protokoll': S'kam asnjë ambicie për pushtet

I ftuar në emisionin "Pa Protokoll", Mark Marku ka ritheksuar se prania e tij në Komisionin për Rivlerësimin e kandidatëve të PD për deputet, nuk nënkupton një rikthim në parti. Ai ka sqaruar se në eksperiencën e tij të mëparshme si deputet nuk është ndier mirë, e për rrjedhojë nuk pretendon asnjë post pas zgjedhjeve të ardhshme parlamentare.

"Unë jam i pozicionuar politikisht në çdo moment dhe nuk e kam atë kompleksin që e kanë shumë persona këtu në Shqipëri, që janë të pozicionuar politikisht dhe nuk e pranojnë. Aristoteli e ka quajtur njeriun “kafshë politike”. Pra nëse nuk reagon politikisht, nuk je qytetar. Pjesëmarrja ime në atë komision është konfirmim që unë nuk jam rikthyer, nuk kam qenë asnjëherë në strukturat e PD-së, kam qenë politikisht i djathtë për shkak të bindjeve të mia, por edhe për shkak të faktit që kam qenë student kur u krijua PD-ja. Për mua PD-ja është partia me të cilën kam një lidhje të hershme, pavarësisht se nuk kam qenë asnjëherë në strukturat e saj. Nuk është rikthim sepse e kam deklaruar me kohë që nuk kam asnjë ambicie, as për të qenë deputet, as në ndonjë pozicion të ardhshëm në pushtet. Pse? Sepse ndihem mirë kështu, siç jam. Mua në vetvete pushteti nuk më thotë kushedi se çfarë. Kam pasur një eksperiencë dhe nuk jam ndier mirë në atë lloj pozicioni. Kam shprehur qëndrimet e mia që dihen publikisht. Nuk jam natyrë që i ndërtoj marrëdhëniet mbi bazën e keqkuptimeve, siç ishte ai rasti i pjesëmarrjes sime si deputet. Kështu që e kam zgjidhur me kohë atë histori. Pra nuk jam kthyer as në kuptimin e aktivitetit të mirëfilltë politik të tipit partiak, as në politikën e mirëfilltë të çfarëdolloj institucioni politik të vendit. Kam marrë pjesë në komision sepse më është dukur një proces shumë interesant, që përputhet me disa ide, të cilat i kam hedhur me kohë për riformatimin e partive politike shqiptare, edhe të PD-së. Ideja ime është që përherë dikush duhet të reagojë", tha Marku.