Rikthimi i 1997, PS: Berishës i
kanë rënë dhëmbët, kuis nga frika

Rikthimi i 1997, PS: Berishës i<br />kanë rënë dhëmbët, kuis nga frika
Partia Socialiste i konsideron qesharake dhe reflektim i frikërave të brendshme kërcënimet e përsëritura të Partisë Demokratike, e cila ka paralajmëruar se ’97 do të duket lule nëse ajo do të humbasë zgjedhjet e ardhshme parlamentare, siç edhe ka gjasa të ndodhë, për shkak të mungesës së programit, mungesës së një koalicioni të gjerë dhe besueshmërisë së ulët.

Deputeti socialist, Arben Çuko, mendon se kërcënimet e Partisë Demokratike për destabilizimin e vendit nuk duhen marrë seriozisht, ndërsa ka shtuar se opozitës dhe Sali Berishës tashmë u kanë rënë dhëmbët. Sipas tij, kërcënimet reflektojnë frikën e opozitës shqiptare nga humbja në zgjedhjet e 18 Qershorit 2017.

“Një njeri që nuk ka dhëmbë, nuk kafshon dot. Çfarë do bëjë? Do kuisi nga frika. Opozitës i kanë rënë dhëmbët elektoral. Sali Berishës i kanë rënë dhëmbët.

Ata duan që të tërheqin vëmendjen nga paaftësia e tyre, nga mungesa e organizimit brenda PD, nga mungesa e lidershipit, mungesa e ideve, mungesa e programit etj.

Këto mungesa synojnë që t’i kompensojnë me kërcënime, të cilat as ata vetë nuk i besojnë. Nuk duhen marrë seriozisht. Janë kërcënime nga frika e humbjes”, ka deklaruar Arben Çuko për Shqiptarja.com. Pesë muaj para zgjedhjeve parlamentare, retorika politike mes mazhorancës dhe opozitës, është ashpërsuar.

Kryeministri Edi Rama ka shprehur bindjen se do të jetë kryeministër edhe për një mandat të dytë qeverisës, ndërsa kryetari i opozitës, Lulzim Basha, flet vetëm për skenarë për tjetërsimin e votave.

Pjerin Nderu
Deputeti socialit Pjerin Ndreu, anëtar i Komisionit për Sigurinë Kombëtare, i pyetur rreth kërcënimeve të përfaqësuesve të opozitës, u shpreh se nëse ka një forcë politike që ka kulturën e vjedhjes së votave, ajo është Partia Demokratike.

Ndreu u shpreh i bindur se e majta do të fitojë zgjedhjet parlamentare të 18 Qershorit. Sipas deputetëve socialistë kërcënimet paralajmërojnë humbjen e PD në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

“Kërcënimet janë anormale pasi nëse ka një forcë politike që ka kulturën e vjedhjes së votës, ajo është Partia Demokratike. Nuk ka rast kur PS e ka siguruar fitoren me vota të vjedhura. Kjo është më shumë alibi për të thënë diçka në një humbje të paralajmëruar.

Por, nuk dinë çfarë thonë. Shprehjet e forcës janë elemente të bezdisshme për shqiptarët. Sot duhen alternativa jo trima sepse ka ikur ajo kohë. Ne do fitojmë se jemi alternativa më e mirë, sepse shqiptarët do na votojnë pikërisht se dëgjojnë të tilla xhevahire”, ka pohuar Ndreu.

Petro Koçi
Zëvendësministri i Mbrojtjes, Petro Koçi, i lexon kërcënimet e përsëritura të Partisë Demokratike si justifikim për një humbje të sigurt në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. “Besoj se janë justifikime për humbjen e sigurt të zgjedhjeve.

Të gjitha indikacionet paralajmërojnë humbjen e thellë të PD. Ndërkohë asaj i mungojnë aleatët me peshë. Kërcënimet, nga ana tjetër, janë një përpjekje për ta paraqitur PD si parti të ushtrimit të forcës dhe dhunës.

Tipike për partine që organizoi 14 Shtatorin dhe 21 Janarin. Por, është një taktikë që nuk të çon asgjëkund veç drejt humbjes. PD ka nevojë të reformohet, duke u distancuar nga fryma sunduese Berisha.

Riardhja e frymës Berisha në pushtet do të ishte një kërcënim i rrezikshëm për vendin. Por, kjo s’ka asnjë gjasë. Gjuha revolucionare është shprehje e krizës ku është zhytur PD.

Kopjet e Berishës nuk sjellin dot shpresë për elektoratin. Reformat e nisura nga kjo maxhorancë do të marrin mbështetje të qartë në 2017. Ndofta pas kësaj mund të kujtohet dikush në PD se i ka ardhur koha të ndahen nga krimet e Sali Berishës”, ka pohuar Koçi. 

Sinjali i PD
Përpos kërcënimeve të hapura, Partia Demokratike ka dhënë një sinjal, i cili paralajmëron dhunë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

Pas pesë humbjeve radhazi, opozita shqiptare ka nisur zyrtarisht lëvizjet për një aleancë me të fortët, me biznesmenë dhe njerëz me të kaluar të dyshimtë, por me ndikim në zona të caktuara, në funksion të llogarive për zgjedhjet parlamentar të vitit 2017.

Kryetari Lulzim Basha ka urdhëruar deputetë dhe anëtarët e forumeve të piketojnë dhe rekrutojnë njerëz të rinj në zonat e tyre, për të shtuar numrin e votave në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

Basha u ka lënë disa ditë afat deputetëve, për të piketuar dhe kontraktuar në zonat e tyre përkatëse njerëzit e fuqishëm, të cilët do të ftohen për t’iu bashkuar opozitës.


dy.b/shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Ftesa e Ramës, a duhet të kthehen emigrantët që punojnë në turizëm?



×

Lajmi i fundit

Në Doha bisedime paqeje, gjatë natës Izraeli bombardon Gazën dhe Libanin! Të paktën 20 të vrarë, mes tyre dhe fëmijë

Në Doha bisedime paqeje, gjatë natës Izraeli bombardon Gazën dhe Libanin! Të paktën 20 të vrarë, mes tyre dhe fëmijë