Qytetarë dhe përfaqësues të Lëvizjes “Bashkë” kanë protestuar sot para Kuvendit, pak ditë pasi Gjykata Kushtetuese vendosi të rikthejë në detyrë, zv. Kryeministren Belinda Balluku.

Mbështetësit e Lëvizjes Bashkë mbanin pankarta në duar, ku shkruhej: “Gjenerali i ushtrisë së burgosur”, duke iu referuar kryeministrit Rama, apo dhe të tjera, si: “Rama dhe Balluku na vodhën festat”, “Populli mbjell, oligarku korr”; “Kush mbjell uri, korr revoltë”.

Belinda Balluku është marrë nën hetim nga Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), nën dyshimet për shkelje të barazisë në tendera. Po ashtu, SPAK i ka kërkuar Kuvendit të Shqipërisë heqjen e imunitetit të saj, çka, sipas ligjit, do t’i hapte rrugë marrjes së masave më të ashpra të sigurisë, përfshirë edhe arrestimin.