Rikthimi i 'Gjeneral Covidit'!

Rikthimi i 'Gjeneral Covidit'!

Skender Minxhozi

“Të veprojmë tani, ose epidemia do të na ikë nga duart”, me këto fjalë e përshkruante sot kryeministri italian Giuseppe Conte situatën në vendin fqinj në 24 orët e fundit: 25 mijë infektime të reja dhe 205 të vdekur. Një gjendje e ngjashme prag-alarmi ka pushtuar Evropën, me Francën që i afrohet shifrës prej 100 mijë infektimesh në ditë, ndërkohë që SHBA, ku presidenti Trump po shpërfill shifrat në funksion të pushtetit personal, brenda javës ka pasur 500 mijë të infektuar me Covid 19.

Virusi tinëzar rikthehet kështu me të gjithë fuqinë e tij. Mesa duket edhe në Shqipërinë e vogël, e cila ka qenë rregullisht një qoshe relativisht e kursyer nga shifrat e zymta dhe valët masive vrastare të pandemisë. E megjithatë, meqë i drejtohemi fundit të kësaj 2020-e të çmendur, nëse do të kishte një simbol botëror të padiskutueshëm, ky do të ishte virusi i padukshëm. Ky “gjeneral” i së keqes, që çoi në kaos ushtritë e shkencëtarëve, mjekëve, politikanëve e njerëzve të fuqishëm në të gjithë globin.

Kemi parë punët tona në këto dhjetë muaj si shtet në këtë kaos pandemie dhe s’kemi bërë keq. Jemi mbyllur më fort dhe më ashpër se të tjerët, duke dëmtuar rëndë ekonominë, turizmin, arsimin dhe bujqësinë, por duke shpëtuar më së pari mijëra jetë njerëzore. Dhe meqë kryesore është të mbetesh gjallë, e gjitha kjo sakfiricë nëntëmujore e shqiptarëve ka pasur një “shpërblim” jo të vogël: shifrat e përmbajtura në të sëmurë dhe të vdekur dhe evitimin e një bombe epidemike që do ta shpërfytyronte shoqërinë shqiptare për shumë kohë në të ardhmen.

Vala e dytë e Covid po na vendos ndërkohë, ashtu si të gjitha vendet e hemisferës veriore, në një pozitë delikate e plot të panjohura. Shkujdesja e verës, aparenca e një normaliteti gjatë stinës së ngrohtë, i cili në fakt nuk qe kurrë i tillë, hapja entuziaste e shkollave e niveleve të tjerë të arsimore, jeta e mbrëmjes apo e natës shoqëruar me qindra e mijëra lokale që tashmë presin klientë jo më vetëm në ambjentet e hapura, por edhe brenda: të gjitha këto shënojnë hyrjen në një territor të panjohur sa i përket infektimeve. Dhe shifrat flasin vetë. Kemi një rritje të përmbajtur por të vazhdueshme të rasteve, ndërkohë që shifrat e vdekjeve kaluan për herë të parë në këto muaj numrin pesë ditor.

Ajo që na pret është potencialisht e zymtë, shumë e zymtë. Dhjetë, dymbëdhjetë javët e ardhshme do të jenë periudha më e errët e gjithë pandemisë, deklaronte para pak ditësh mjeku i njohur amerikan Dr. Michael Osterholm. Një pozicion ky i shkencëtarëve e mjekëve kudo në botë, i cili bie ndesh me një pjesë të reagimit shoqëror ndaj pandemisë dhe me një korpus tashmë të fuqishëm zërash e qëndrimesh, që e hedhin poshtë vetë idenë e rrezikut real të virusit vrastar. Manifestimet në Evropë kundër masave shtrënguese, linja absurde e presidentit-pacient Donald Trump kundër maskave, distancimit social dhe përgjithësisht zhvlerësimi i përditshëm prej tij i rrezikshmërisë që paraqet Covid 19, janë që të gjitha pengesa serioze në imponimin për herë të dytë, të politikave strikte të mbrojtjes së popullsive, me anë të masave shtrënguese.

Edhe në Shqipëri kjo ndasi është bërë tashmë e lexueshme në dritën e diellit, megjithëse më pak agresive dhe kundërshtutese. Për fat, të dyja partitë e mëdha të vendit, PS dhe PD, i janë përmbajtur në përgjithësi pozicionit të ruajtjes nga Covid, përmes respektimit të shkencës, mbi teoritë e konspiracionit.

Por ajo që në pret në dimrin e thellë që kemi përpara, përbën një sfidë jo vetëm për mbingopjen e sistemit tonë spitalor me të sëmurë, por edhe për të frenuar sa më parë rritjen e rasteve të infektimit dhe te vdekjeve, dhe për uljen e kurbës së famshme të pandemisë.

A duhen mbajtur hapur shkollat? Sa impakt ka në përhapjen e virusit sektori i transportit të udhëtarëve? A janë lokalet dhe shërbimet një një sektor që duhet rishikuar, me protokolle të reja sigurie, orare të shkurtuara etj? A duhet bërë një gjë e ngjashme edhe administratën shtetërore dhe biznesin privat, duke kaluar sërish, të paktën pjesërisht në sistemin online? A duhet përsosur e forcuar sistemi i gjurmimit epidemiologjik dhe i sanksioneve ndaj të infektuarve që nuk respektojnë karantinën? Megjithëse tashmë dalja në rrugë me virusin në trup përbën prej muajsh një krim penal, nuk kemi parë dënime të rasteve konkrete, megjithëse jo pak prej nesh dinë jo pak të tilla!

Së dyti, meqë përpara kemi një fushatë elektorale veçanërisht të ndezur dhe me rrezikshmëri tensionesh, a do të zbatojmë një kod etik sjelljeje ndaj eventeve zgjedhore, duke mos u sjellë si në dy marsin e shkuar, kur mijëra njerëz në bulevard sfiduan bashkë me qeverinë, edhe pandeminë?

Është koha që ndaj “gjeneral Covidit” të rikthyer, të veprohet shpejt dhe me vendosmëri. Gjasat janë që gryka e shishes do të jetë sërish e ngushtë. Nëse shpërfillim atë që na thonë shifrat sot, do të paguajmë shtrenjtë nesër. Kemi filluar të gjithë të njohim plot persona të rrethit tonë, që ose janë infektuar, ose nuk jetojnë më për shkak të Covid 19. Nuk ishte kështu në shkurt-mars-prill, kur frikë kishte shumë, por viktima kishte pak, fare pak. Tani po jetojmë një realitet kokëposhtë: Frikë ka më pak, viktima ka më shumë! Prandaj edhe në duhet të sillemi ndryshe. Shumë ndryshe!

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja