Krishtërimi, i cili lindi në pjesën lindore të Perandorisë Romake në Palestinë, mbi bazën e legjendave dhe e besimeve të ndryshme; në rrugën e gjatë të formimit dhe të zhvillimit, në vende dhe epoka të ndryshme, ai ka marrë trajtën e rrymave të ndryshme. Në Shqipëri krishtërimi njihet vetëm me dy rite: ortodoksizmi dhe katolicizmi. Krishtërimi filloi të përhapej në Iliri që në kohët apostolike (shek. I të e.sonë) si fe ilegale dhe vetëm në gjysmën e parë të shek. IV e.sonë u bë fe zyrtare nga shteti romak. Në zonat bregdetare të Ilirisë krishtërimi triumfoi përfundimisht mbi paganizmin gjatë shek. II – IV të e. sonë, kurse në zonat e brendshme e malore gjatë shek. V – VI të e. sonë.
Koha kur u paraqit krishtërimi si fe e së ardhmes ishte periudha kur Perandoria Romake po kalonte krizën e përgjithëshme politike, ekonomike, juridike, kulturore e morale. Në këto kushte të ndryshme shoqërore e shpirtërore kultet e deriatëhershme, pagane e politeiste, nuk mund t’u përgjigjeshin problemeve themelore të krizës shpirtërore e morale që kishte përfshirë tërë perandorinë. Në një gjendje të tillë paraqitet krishtërimi me doktrinën e tij”.
Me njohjen e krishtërimit, si fe zyrtare, u krijuan dhe institucionet, kishat dhe manastiret e rrjedhimisht edhe hierarkia kishtare: priftërinjtë, peshkopët, kryepeshkopët, dhe dioqezat e tyre. Në periudhën e antikitetit të vonë, strukturat kishtare, në Iliri, ishin organizuar mbi bazën e provincave të tilla ishin: provinca e Dardanisë, e Prevalit, e Epirit të Ri dhe e Epirit të Vjetër; dhe secila prej tyre kishte nga një kryeqendër. Pas ndarjes së Perandorisë Romake ato u përfshinë në prefekturën e Ilirikut Lindor, vartësia kishtare e të cilit ka lëvizur midis Romës e Kostandinopojës. Duke filluar nga gjysma e parë e shek. VIII (v.732) deri në shek. X disa peshkopata vareshin nga Roma disa nga Patrikana e Kostandinopojës.
Në fillimet e krishterimit vlen të veçojmë dy anë të përmbajtjes së kësaj doktrine të re që luajtën rol në gjithë historinë e qytetërimit evropian. Kisha e krishtere është bartëse e institucioneve dhe e normave shtetërore romake. Kisha romake dhe ajo ortodokse, jo vetëm që ruajtën organet juridike e institucionale romake, përmes organizimit të shteteve të reja të popullsive barbare që u formuan me shkatërrimin e Perandorisë Romake, por kisha me institucionet e veta dhe aparatin që krijoi (është fjala për skriptoriumet-mjedise ku kopjoheshin e rishkruheshin librat e trashëguara nga antikiteti) u bë transmetuese e ideologjisë kristiane dhe e trashëgimisë letrare e historike të kohës greke e romake.
Gjatë antikitetit të vonë kur dyndjet e barbarëve u bënë një rrezik për Perandorinë Romake dhe të për gjithë qytetërimin antik, njohja zyrtare e krishterimit dhe konsolidimi i tij me institucionet kishtare, u bë një faktor i rëndësishëm i qëndresës së popullsisë vendase ndaj popujve barbarë, jo vetëm nga niveli i lartë kulturor, nga gjuha e shkruar por edhe nga besimi i ri i së ardhmes.
Për të ndriçuar rëndësinë dhe rolin që luajti kristianizmi në trojet shqiptare gjatë antikitetit të vonë dhe mesjetës së hershme na vijnë në ndihmë dëshmitë arkeologjike, siç janë 50 kishat paleokristiane të zbuluara në tërë territorin e Shqipërisë.
Si rrjedhojë e drejtpërdrejtë e përhapjes së fesë së krishtere në trevat ilire fillojnë ndërtimet e hershme të kultit kristjan që në shek. IV, si në provincën e Prevalit, me qendër Shkodrën, në provincën e Epirit të Ri me qendër Dyrrahun dhe në provincën e Epirit të Vjetër me qendër Nikopojën. Nga burimet historike kishtare dhe listat administrative të kohës provohet se në vendin tonë kanë qenë këto peshkopata: Skodra, Lisus, Dyrrahu, Skampini, Apolonia, Aulona, Bylisi, Amantia, Buthroti, Foinike, Anhiasmi (Saranda), Adrianopolis
(Teqe e Melanit-Gjirokastër). Siç shihet në shtrirjen e tyre gjeografike ato mbulojnë të gjithë territorin e vendit dhe nuk janë vendosur vetëm në qendrat kryesore po edhe në brendësi të vendit.
Edhe për periudhën e hershme mesjetare u ruajt organizimi i vjetër kishtar, i trashëguar nga antikiteti i vonë. Për mëse dy shekuj (IV-V e.sonë) nuk vërehen ndërtime të reja, por ruhen godinat paleokristiane, duke u përshtatur dhe meremetuar, sipas mundësive të kohës. Gjysma e dytë e shek. V e.sonë e veçanërisht shek. VI karakterizohen nga një zhvillim i vrullshëm, nga ndërtime bazilikash të reja, me përmasa të mëdha, me elemente dekorative të pasura dhe me dysheme të shtruara me mozaik cilësor. Të tilla janë bazilika e Arapajt (Durrës), e Linit (Pogradec), 7 bazilika në Bylis, bazilika në Ballsh, në Sarandë, në Tepe (Elbasan), në Zaradishtë (Korçë), në Antigone (Gjirokastër), në Mesaplik (Vlorë), etj. Këto monumente të kultit të hershëm bizantin janë dëshmi e një zhvillimi të vrullshëm ekonomik, një rilindje e kulturës dhe e artit, të cilat ishin njëkohësisht rezultat i fuqizimit dhe konsolidimit të krishtërimit. Në këtë kontekst historik duket qartë roli i rëndësishëm që ka luajtur krishtërimi në forcimin e një uniteti të ri shpirtëror në tërë territorin e provincës së Ilirikut.
Ndryshimet kulturore nga antikiteti i vonë në mesjetën e hershme
Në burimet e shkruara, për herë të fundit ilirët do të përmenden në historinë e krishterë në Euagrit (Euagr II, 18), kur bëhet fjalë për luftën e Bizantit kundër avarëve në vitin 584; kurse kronistët bizantinë të shek.XI e.sonë e më pas do të përdorin emrin Albanoi, Arbanitoi.
Dy të dhënat e mësipërme historike, shumë të shkëputura nga njëra tjetra, dy emërtime të të njëjtës popullsi në një hapësirë kohore prej katër shekujsh, dëshmojnë se duhet të kërkohet ndihma dhe mbështetja në të dhënat e arkeologjisë, të gjuhësisë e të antropologjisë për të shpjeguar këtë kalim të madh nga ILIRËT tek ARBËRIT.
Problemi i parë që shtrohet, e natyrisht kërkon përgjigje, është ai i rolit që luajti komponenti romak në formimin e kulturës së hershme mesjetare shqiptare ose, i thënë ndryshe, problemi i romanizimit të Ilirisë. Disa nga dëshmitë arkeologjike që i shfrytëzojnë studiuesit shqiptarë kur shqyrtojnë këtë problem janë të dhënat e përftuara nga varrezat e kohës romake, nga të cilat rezulton se në territorin e Ilirisë së Jugut, në varret e qyteteve, njëkohësisht edhe në kolonitë e Dyrrahut e Buthrotit është përdorur riti i varrimit me djegie. Në zonat e tjera bregdetare apo të brendëshme vazhdon të përdoret riti me vendosje kufome, në varre që kanë formën e një arke, apo që janë ndërtuar me tjegulla të vendosura në formë çatie. Këto fakte flasin jo për romanizim në kultin e varrimit, por për vazhdimësi të një tradite të mëparëshme.
Efekti ndikues i kulturës romake ndaj asaj vendase duket edhe në fushën e kulteve, në fushën e artit, të skulpturës dhe në veshjet. Duke shqyrtuar më në detaje marrëdhëniet e elementeve të kulturës romane me atë vendase, studiuesit janë ndalur edhe në monumentet funerale (gurë varresh me reliev e me mbishkrime) të cilat janë gjetur me shumicë në Iliri. Ajo që i karakterizon këto monumente funerale të antikitetit të vonë është veshja ilire që kanë figurat e skalitura, të cilat ruajnë elemente të artit helenistik, të harmonizuara me stilin vendas. Kështu fjala vjen, elementin më karakteristik të veshjes e japin një numër i madh relievesh mortore, në të cilat zotëron veshja tradicionale ilire, me një thjeshtëzim të prerjeve në veshjet e grave dhe me mbizotërimin e dalmatikës në veshjet e burrave (Gjergji,A. 1969, 153-161).
Një fushë ku kultura romake la gjurmë të fuqishme në Iliri ishte ajo e kulteve, duke i unifikuar hyjnitë me ato të panteonit romak. Kjo u shpreh në radhë të parë në veshjen e jashtme të perëndive vendase, duke u dhënë atyre atribute romake (interpretatio romana). Kultet që gjetën romakët në Ilirinë e Jugut i ndryshuan, fjala vjen, hyun kryesor të fisit ilir të parthinëve, të cilin e identifikuan me Jupiterin, por me gjithë atë ai do të quhej Jupiter Parthinus. Kështu u veprua edhe me hyjneshën tjetër vendase të cilën e cilësuan Diana Candavensis. Për t’u shënuar është edhe vazhdimi i kultit të lashtë të nymfave, i cili në antikitet kishte si qendër trevën e bylinëve (rreth qytetit Bylis) ndaj quhej Nymfaioni i bylinëve. Në fushën e kulteve vihet re edhe një forcim i besimeve të vjetra, veçanërisht i atyre që lidheshin me tokën (Hermesi), me ujin (Redoni), me luftën (Bindi), me blegtorinë (Diana) etj. Mund të veçonim hyun e pjellorisë, i cili është ruajtur me paraqitjen ikonografike tradicionale dhe si i tillë është identifikuar vetëm në Ilirinë Jugperëndimore.
I parë në tërësi, vendi i rëndësishëm që vazhduan të kenë këto perëndi në jetën e përditshme të banorëve vendas, kufizoi mjaft futjen e perëndive të tjera. Ky është një tregues i fuqishëm i qëndresës së vendasve ndaj panteonit romak dhe rrjedhimisht ndaj romanizimit në tërësi.
Argumente të fortë që dëshmojnë kundër romanizimit, janë të dhënat që vijnë nga mbishkrimet latine (të cilat i kemi parashtruar në sythin për gjuhën) që provojnë se popullsia vendase nuk u zhduk as u asimilua.
Tërësia e këtyre të dhënave arkeologjike e linguistike i ka çuar studiuesit shqiptarë në përfundimin se gjatë pushtimit të Ilirisë nga Roma, ilirët ruajtën elemente të shumtë të kulturës materiale e shpirtërore të tyre dhe për pasojë u ruajt dhe elementi etnik vendas. Ky përfundim përputhet me mendimin e studiuesit të njohur të historisë së Romës, Th.Momsen, i cili që në gjysmën e dytë të shek. XIX: “Nga të tilla rrethana u bë e mundur që kombësia ilire t’i qëndrojë romanizimit më mirë në sinorin e guvernatorisë maqedone (ku hynte territori i sotëm i Shqipërisë, M.K), sesa në atë të Dalmatisë; në atë rron kombësia-ilire dhe sot e kësaj dite edhe në kohën perandorake, me përjashtim të Apolonisë greke dhe të kolonisë romake të Dyrrakiumit, krahas dy gjuhëve të perandorisë, në tokat e brendëshme populli duhet të ketë folur ilirishten.” (Mommsen,Th. 1938, 190-191).
E parë në tërësinë e ndryshimeve, e shbërjes e bërjes, koha e antikitetit të vonë ka qenë një periudhë vendimtare në historinë e ilirëve të jugut, koha kur u krye procesi konvergues i kulturës materiale e shpirtërore, kur mori impulset e para procesi tjetër, procesit i formimit të shqiptarëve të hershëm – arbërve.
Marrëdhëniet e kulturës arbërore me atë avaro-sllave
Gjatë mesjetës së hershme në Ballkan dynden dhe gradualisht vendosen sllavët; si rrjedhim harta etnike e gadishullit pësoi ndryshime të ndjeshme. Dyndjet e sllavëve nuk u zhvilluan njëlloj edhe me të njëjtin intensitet në të gjithë trevën e Ballkanit. Krahinat lindore, si Thrakia e ato veriore u invaduan më shumë; gjithashtu lugina e lumenjve Morava e Vardar ishin rrugët kryesore nëpër të cilat kaluan sllavët dhe avarët, që synonin të pushtonin Thesalonikun e më në lindje dhe Kostandinopojën. Kurse krahinat perëndimore mbetën jashtë valës së madhe të dyndjes avaro-sllave, po ato nuk u shpëtuan grupeve të vogla kalimtare të kësaj dyndjeje.
Nga burimet e shkruara ka një njoftim nga Prokopi i Cezarisë që flet për një sulm të sllavëve në Ilirik, të cilët arritën deri në Dyrrakium; nga një njoftim i Eugrit mësojmë për praninë e avarëve në periferi të Dyrrahiumit; ndërsa papa Grigori i Madh flet për pushtimin dhe rrënimin, nga barbarët, të qytetit Rizon (Mal i Zi) e të Lezhës në vitin 591-592. Një njoftim tjetër bën fjalë për grupe sllavësh, të cilët pushtuan edhe krahinën e Shkodrës. Nga kronikat greke të shek. IX e.sonë mësojmë se hordhi avaro-sllave, gjatë invazionit të tyre në vitin 587 për në jug, kishin pushtuar Greqinë, Thesalinë dhe Epirin e Vjetër. Më 614-616 një valë e dytë avaro-sllave pushtoi Epirin dhe Selanikun ku ishte strehuar një pjesë e popullsisë që kishte ikur nga Panonia, Dakia e Dardania, si edhe nga qytetet Naisa e Serdika, të shkatërruara këto nga barbarët.
Nga këto burime, natyrisht jo të plota, bie në sy fakti se nuk flitet për banorë të ikur nga provincat perëndimore, nuk flitet as edhe për emra fisesh sllave të vendosura në këto treva. Po nga këto burime bizantine kemi njoftime e të dhëna, për emrat e një tog fisesh sllave të cilat u vendosën në Thraki, në Maqedoni si edhe në provinca të tjera lindore.
Po të krahasoheshin këto dëshmi të burimeve historike me të dhënat e mëvonshme për pushtimet bullgare të viteve 851-1018, të cilat përfshinë Shqipërinë Jugore dhe arritën deri në Durrës dhe më në veri edhe në shtetin e Zetës (në veri të krahinës së Shkodrës), situata paraqitet krejt ndryshe. Kjo valë e dytë e pushtuesve sllavë ishte me pasoja, mbasi ata u ngulën në pjesën më të madhe të territoreve të pushtuara. Për këtë flasin shumë toponime sllave që ndeshen në të gjithë territorin e vendit tonë.
Të dhënat shumë të pakta nga burimet e shkruara i plotësojnë në shumë anë burimet materiale arkeologjike të kulturës arbërore, të cilat i kemi bërë të njohura në fillimet e kësaj parashtrese për kulturën e Komanit. Ato dëshmojnë për unitetin e kulturës arbërore të zbuluar në tërë territorin e vendit tonë, për karakterin autokton të saj, rrjedhimisht për origjinën ilire të banorëve të këtyre trevave.
Në parashtresën që kemi bërë për shtrirjen më lart për shtrirjen gjeografike të kulturës arbërore provuam se ajo nuk ka qenë një kulturë që u zhvillua vetëm në një zonë të mbyllur malore, por shumë më gjërë. Rrjedhimisht, bie poshtë pikëpamja e disa studiuesve që pranojnë si hapësirë jetësore të stërgjyshërve të shqiptarëve vetëm krahinat e Matit. Sa i pambështetur është arkeologjikisht ky mendim, mjafton të kujtojmë se prania e varrezave të mëdha të kulturës së Komanit pranë kështjellave të Krujës, të Lezhës, të Shurdhahut, të cilat gjatë mesjetës do të bëhen qendra të rëndësishme qytetare shqiptare.
Burimi që kemi nga Hierokli (Hieroclis Synecdemus, 651, 652, 653), tregon se në shek. VI e.sonë, në të tria provincat ku shtrihet territori i sotëm i Shqipërisë, numëroheshin 20 qytete, të cilat gjendeshin kryesisht në ultësirën bregdetare dhe pranë rrugëve kryesore. Kjo tablo mbetet pak a shumë edhe në mesjetën e hershme. Në qytetet Skodra, Lis, Dyrrahium, Aulona, Kanina, Chimera (Himara), Sopot (Borsh), Onkiazëm (Saranda), Buthrot, jeta ka vazhduar edhe gjatë mesjetës. Popullsia vendase ruajti edhe emrat e lashtë të tyre dhe sipas gjuhëtarëve, ruajtja e emrave me ndryshimet fonetike që pësuan ata në bazë të ligjësisë së zhvillimit historik të gjuhës shqipe përbën një provë më shumë në favor të vijimësisë së banimit nga e njëjta popullsi.
Gërmimet arkeologjike në disa nga këto qytete dhe qendra të fortifikuara, si në Pogradec, Berat, Kaninë, Butrint, etj., kanë dhënë një material arkeologjik dhe depozitime të shtresave kulturore nëpërmjet të cilave ndiqet mjaft mirë vazhdimësia e banimit. Kultura e këtyre qendrave ka tipare të njëjta për periudhën e shek. VII-XI dhe bashkë me qendrat e tjera të vendit si Kruja, Lezha, Danja, Sarda, Ulqini, Tivari, Prizreni, etj. ato u bënë bazë e zhvillimit të ekonomisë mesjetare. Në shek. XI disa prej tyre marrin formën e qyteteve tipike mesjetare, duke u bërë edhe qendra të zotërimeve feudale. Pikërisht në këto qendra, në shekujt që vijnë, XI-XIV, ndeshim popullsinë e formuar arbëreshe.
Këto dëshmi arkeologjike tregojnë se procesi i formimit të popullsisë arbërore nuk ishte një proces i mbyllur, i zhvilluar mbi bazën e elementeve konservatorë e në një mjedis të izoluar malor, por përkundrazi procesi i formimit të shqiptarëve të hershëm – arbërve, u krye në një hapësirë të gjerë që përfshinte pothuajse gjithë territorin ku u zhvillua kultura e Ilirisë së Jugut, duke patur në bazë një traditë të gjatë shumë shekullore.
Pse ishin keq shqiptarët kur ishin paganë a si? Po tani që janë mbushur tër mjekra e shkojnë për të luftuar në Siri në c gjendje janë? Yyyyyyyyt bajga!
PërgjigjuNë fakt si paganë shqiptarët ishin dhe janë popull i lirë. Mjekëria kërkon t ua mbulojë gratë!