Rilindasi/ Vangjel Zhapa, kontributi për shkollat shqipe në Shqipëri

Rilindasi/ Vangjel Zhapa, kontributi për shkollat shqipe në Shqipëri

Vangjel Zhapa

Nga Prof.Fedhon Meksi

Vangjel Zhapa (23 gusht 1800 - 19 qershor 1865) ka lindur në fshatin Labovë e Madhe. Pasi mbushi moshën 13 vjeç u largua nga fshati për në Janinë, ku u regjistrua në shkollën ushtarake që kishte hapur Ali pashë Tepelena. Në planet e Ali Pashës qëndronte fort ideja e krijimit të një shteti monarkik konstitucional shqiptar. Zhapa që kishte shërbyer që shumë i ri tek Ali Pasha  u përfshi plotësisht në këtë projekt.

Më pas V. Zhapa mori pjesë në kryengritjen greke bashkë me mijëra shqiptarë të tjerë, që ishin të bindur se me çlirimin e Greqisë do të shpejtohej edhe çlirimi i Shqipërisë. Pas luftës, edhe pse arriti postin e komandantit të brigadës, i dhanë vetëm medaljen e argjendtë të luftimeve në vijën e parë të frontit. Qeveritarët grekë të kohës duket nuk kishin harruar se V. Zhapa përveçse shqiptar, kishte qenë edhe përkrahës i zjarrtë i ideve të Ali pashë Tepelenës. Në këto kushte ai braktisi Greqinë e ngushtë, tërë male të thata dhe mosmirënjohëse, për fushat pa fund dhe pjellore të Rumanisë, ku e priste edhe një koloni e madhe shqiptarësh.

Nga mesi i viteve '30 kreu studimet agronomike në Paris dhe pasi u kthye në Rumani, zbatoi me sukses metodat e reja të bujqësisë intensive që rritën dukshëm rendimentet bujqësore në pronat e tij. Në mesin e viteve  ’40 ai arriti të bëhesh njëri nga njerëzit më të pasur në Evropën Lindore.

Ndërkohë Naum Veqilharxhi, ai që do të bëhej autori i abetareve të para shqipe, ideologu, politikani dhe filozofi i Rilindjes Kombëtare Shqiptare, jetonte në Rumani që prej 30 vjetësh. Pasi kreu gjimnazin edhe ai mori pjesë aktive në Revolucionin rumun antiosman(1821), duke arritur postin e komandantit politik të reparteve shqiptare me mbi 5000 luftëtarë.

 Sundimtarët turq prej shekujsh përpiqeshin të fanatizonin dhe turqizonin shqiptarët myslimanë, duke i lënë dorë të lirë kishës për helenizimin e shqiptarëve ortodoksë. Si rezultat i këtyre trysnive të gjithanshme asimiluese, shqiptarët rrezikonin të zhdukeshin si komb. Si gjuhë kombëtare, gjuha shqipe duhej të shkruhej me një alfabet të veçantë që nuk do të ishte as arab, as grek, as latin, as edhe cirilik. Alfabeti me shkronja të veçanta që krijoi Naumi, përveçse do t'u mundësonte shqiptarëve që të shkruanin gjuhën amtare me alfabetin e tyre, por do t’i  bashkonte ata  ashtu si rreth flamurit kombëtar.

N. Veqilharxhi, sikurse ka shkruar vetë në parathënien e abetares-1845, për 20 vjet me radhë nuk mundi t’i shtypte ato pasi duhej të kapërcente dy pengesa: burimet financiare dhe  fermanet e Sulltanit që do të mundësonin hyrjen e librave shqip dhe hapjen e shkollave në Shqipëri.

Nuk dihet data e saktë e njohjes së N. Veqilharxhit me V. Zhapën, veçse me siguri ka qenë fillimi i viteve ’40. Takimi me pasanikun shqiptar, ishte  takimi me njeriun e duhur. Krenarë për rrënjët e tyre shqiptare, që të dy pjesëmarrës në kryengritjet antiturke dhe të zhgënjyer nga Filiqi Eteria, nuk u takuan rastësisht. Ata kërkuan dhe gjetën njëri-tjetrin, kurse bashkëpunimi i tyre do të ishte sintezë e qëllimeve dhe e idealeve të njëjta.

Ka mjaft dokumente që dëshmojnë për bashkëpunimin në mes dy shqiptarëve. Vetë Zhapa ka shkruar te gazeta “Pellazgu” se "...diskutuam me javë të tëra me Veqilharxhin në lidhje me çështjen e alfabetit të shqipes”.

Nikolla Naço, atdhetar dhe veprimtar i dalluar i Rilindjes , ka dëshmuar që në vitin 1888 se: "V. Zhapa me Arsaqin dhuruan respektivisht 25.000 dhe 10.000 florinj për gjuhën shqipe dhe punuan së bashku me N. Veqilharxhin për të shkruar gjuhën shqipe dhe për të shtypur shumë kartëra".  Kurse gazetari rumun Grigore Grandea (1887) jep këtë informacion me rëndësi: “N. Veqilharxhi kishte hartuar abetaren, gramatikën si edhe libra mësimorë në gjuhën shqipe. Zhapa dhe Arsaqi i dërguan në Stamboll për t’i shtypur dhe me projektin e një fermani për hapjen e shkollave shqipe në Shqipëri. Me që çështja u mor shpejt në shqyrtim, librat u shtypën dhe fermani doli”.

Librat e N. Veqilharxhit që panë dritë falë dhurimeve të V. Zhapës janë "Ëvetari" (1844) dhe "Fare i ri ëvetar shqip" (1845), dy abetaret e para të gjuhës shqipe që u quajtën “abetaret e abetareve”. Me këta libra dhe me idetë e shprehura në ta, hapet programi kulturor dhe gjuhësor i Rilindjes dhe hidhen hapat e parë të arsimit shqip.

Me anë të tregtarëve korçarë, u dërguan në atdhe abetaret të shoqëruara gjithmonë me fermanët përkatës që i siguronte  Vangjel Zhapa.

 Veqilharxhi dhe Zhapa e kishin të qartë rrezikun e madh që paraqisnin shkollat e huaja për bashkimin e popullit shqiptar dhe çlirimin kombëtar.

 Për të dy patriotët shqiptar shkollat shqipe do të shërbenin gjithashtu si një mjet i dorës së parë për zgjimin e ndërgjegjes kombëtare, për emancipimin e popullit dhe propagandimin e ideve patriotike. Si demokratë që ishin, ata kërkonin një arsimim masiv për gjithë popullin, me shkolla laike, ku vendin kryesor në tërësinë e njohurive do ta zinin lëndët shkencore.

 Rilindësi Spiro Dine na bën të ditur se në shkollën e fshatit Trebickë në vitin 1854, si libër mësimi ende përdorej abetarja e N. Veqilharxhit. Kjo dëshmon se abetarja e Naumit mbeti në përdorim, të paktën për një dhjetëvjeçar në disa nga shkollat e Shqipërisë Jug-lindore, kurse programi madhështor i Naum Veqilharxhit së bashku me bamirësin e madh Vangjel Zhapa për shkolla shqipe në mbarë vendin, u shua bashkë me Naumin.

Pas vrasjes së Naumit (1846), Vangjel Zhapa i vetëm shtoi përpjekjet në drejtim të problemeve të shumta lidhur me Shqipërinë, shqiptarët, gjuhën shqipe dhe futjen e saj në shkolla. Në frymën e porosive të Naumit u shtrua në mënyrë propagandistike se "në qoftë se nuk e mësojmë popullin në gjuhën e tij amtare, nuk është e mundur ta edukojmë atë”.

Në një periudhë shumë të vështirë, kur u  shtuan përpjekjet për të zhdukur identitetin e popullit shqiptar, tashmë ishte laboviti V. Zhapa dhe gazetari i parë shqiptar lekjoti Anastas Byku, që me patriotizmin dhe energjinë  e tyre bënë të mundur që shqiptarët të mësonin dhe të shkruanin gjuhën amtare. Sipas programit të hartuar nga Zhapa dhe Byku, që do të ishte edhe inspektor i shkollave të Zhapës në Shqipëri, parashikohej:

- “ botimi në shkallë të gjerë i teksteve shkollorë në gjuhën shqipe;

- hapja e shkollave shqip, mundësisht në çdo fshat për vajza dhe djem;

- ndërtimi i gjimnazeve në Gjirokastër, Përmet, i një liceu në Berat, si dhe i dy shkollave të mesme për vajza në Rrëzë dhe Labovë”.

Historiani grek Mamopullos (1968) i përmend të gjitha shkollat të ndërtuara nga Zhapa duke filluar me shkollën e Labovës, Karjanit, Nivanit, Leklit, Kakozit, Dhrovjanit, Delvinës, Filatit, Qeparoit dhe më tej shkollat për fëmijët e shqiptarëve që banonin jashtë atdheut.   

 Sipas A. Budës: “Vangjel Zhapa shkruan një artikull në gazetën Pellazgu në të cilin vë në dukje përpjekjet e veta për të futur mësimin e shqipes në shkollat greke në Shqipëri”. Kurse Dh. Shuteriqi shkruan se: "Zhapa ndihmoi vërtet për futjen e shqipes në shkollat greke".

Futja masivisht e gjuhës shqipe në shkollat greke, kinse për të ndihmuar mësimin e greqishtes, si edhe ngritja me donacionet e Vangjel Zhapës të shkollave me dy klasa gjimnaz ku mësohej edhe shqipja, ishte një fitore e jashtëzakonshme e lëvizjes patriotike shqiptare.

Në vitin 1860 Zhapa shprehet hapur në gazetën “Elpis” të Athinës se "shqipja duhet të shkruhet për nevojat e përdorimit familjar dhe për të fituar më shumë dije".

Vangjel Zhapa mbështeti financiarisht Anastas Bykun për botimin e gazetës patriotike “Pellazgu”, gazeta e parë në gjuhën shqipe, si dhe abetaren "Grammë për shqiptarët" që u përdor gjerësisht në shkollat e tij.

Vendimi për të lejuar mësimin e shqipes në shkollën e Labovës u bë i njohur nëpërmjet një letre e shkruar nga vetë Vangjel Zhapa që u botua në numrin e datës  01. 03. 1861 të gazetës “Pellazgu”. V. Zhapa bënte të ditur se “në shkollën e Labovës nuk mësohet vetëm greqisht por edhe shqip”. Shkolla  kishte 4 cikle: foshnjore, fillore, qytetse me tri klasa dhe dy klasa gjimnaz.

 Në vitin 1878  u hap edhe shkolla për vajza me konvikt. Në fillim u regjistruan 80 vajza, por më vonë ato u shtuan. Nxënëset vinin jo vetëm nga fshatrat për rreth, por edhe nga Gjirokastra, Tepelena, Dropulli etj.

Godinat e shkollës ishin nga më të mirat për kohën dhe të paisura me orendi dhe me një bibliotekë, ndoshta më e madhja që ekzistonte në ato anë.  

Kjo shkollë me një rrezatim të gjerë në qarkun e Gjirokastrës, por edhe më tej, rron në kujtesën historike të kombit tonë si përmendore e ndritur e vullnetit të tij të palëkundur për të ruajtur identitetin dhe dinjitetin kombëtar, gjuhën shqipe dhe kulturën shqiptare. Për këto arsye shkolla e Zhapës me dy klasë gjimnaz ku mësohej shqipja qysh në vitin 1860, u shpall monument kulture (2010), por tashmë pa qenë shkollë. “Mësonjtorja e vjetër në fshatin Labova e Zhapës” është shitur dhe prej 25 vitesh i është vënë dryri edhe pse 30 nxënësit labovitë dhe nga fshatrat për rreth i kryejnë mësimet në lokale të papërshtatshme.

Shkolla e Labovës, në oborrin e së cilës iluministi Vangjel Zhapa nëpërmjet testamentit kërkonte që të kishte varrin e tij,  duhet të qëndrojë në këmbë si një dëshmi historike e gjallë, ku të evokohen përpjekjet e labovitëve që e ngritën dhe e mbrojtën në ato kohë të vështira. Ajo duhet të qëndrojë në këmbë edhe si një mesazh drejtuar brezave që të krenohen dhe të frymëzohen nga përkushtimi i tyre atdhetar.

Labovitët e të gjithë brezave, krenarë për origjinën e tyre të lashtë dhe të lidhur ngushtësisht me atdheun, prej kohësh kanë shprehur trishtimin e tyre për faktin se Vangjel Zhapa ka ndarë dashurinë e tij edhe me dy vende të tjera. Ai ka qenë nënshtetas rumun gjatë pjesës më të madhe të jetës dhe Rumaninë e quante "atdheu i adoptuar", kurse atdhe quante edhe Greqinë duke nënkuptuar Greqinë e artit, kulturës dhe civilizimit helen.  Veçse fjalët më të ëmbla do t’i shprehte për vendlindjen e tij si “atdhe të veçantë  dhe vendi i shenjtë i takimit me Zotin”.

Krahas parave të shumta që dhuronte, me elegancën dhe delikatesën që e karakterizonte, Vangjel Zhapa kishte gjithashtu kapacitetet e duhura të shpërndante paqe, dashuri dhe mirëkuptim midis popujve, duke u integruar plotësisht në historinë e kulturës, të zhvillimit ekonomik dhe të qytetërimit panballkanik të shekullit XIX.

Duket se shqiptarët e sotëm kanë filluar ta kuptojnë bashkëatdhetarin e tyre me eshtra që i prehen në dy varre të ndryshme, ashtu siç ishte ai në të vërtetë, dhe ta konsiderojnë tashmë si prototipin e qytetarit pararendës të Evropës së Bashkuar, të cilën po përgatitemi më në fund ta prekim edhe ne.

Bamirësia labovite dhe filantropi labovit Vangjel Zhapa- Nga Thanas Meksi

Filantropia është shkencë sociale, mirëbërësie në dobi të njerëzimit. Në Shqipëri ajo ka historinë e saj të veçantë dhe është e lidhur domosdoshmërisht me kushtet shoqërore, historike dhe ekonomike. Gjurmët e para të filantropisë në Shqipëri datojnë në mesjetë dhe janë një dukuri e hershme ilire, që ka kaluar në disa etapa, ndikuar nga kushtet ekonomike e  politike. Në çdo kohë, në çdo vend ka gjurmë të shpirtit të dhëmbshur. Mirëbërsia është bashkëudhëtare e shoqërisë njerëzore, që në lindje të saj.  Tit Liv Vespasiant thotë: “Miq, sot humba një ditë“, domethënë se në këtë ditë nuk kishte bërë ndonjë bamirësi.

Në qytetin Erbert të Gjermanisë, në shek. XVIII, çdo qytetar i pasur kujdesej për katër familje të varfëra të rrugës ku banonte, ndërsa zonjat e tyre merreshin me kujdesin për të sëmurët. Nismën e drejtonte kryetari i bashkisë. Në Shqipëri bamirësia ka zanafillë familjen, farefisin, shoqërinë. Alfa e bamirësisë është arsimimi familjar por dhe i të tjerëve. Ndërtimi i një shkolle në lagjen “Kala” të Elbasanit nga ortodoksët, në vitin 1763 apo e esnafëve  të Gjirokastrës në po këtë vit, të krishterëv të  Korçës dhe  jezuitëve të Shkodrës ,flasin për bamirësinë në Shqipërinë e shek. XVIII.

Në Labovë të Zhapës bamirësia është e shek, XIX, në fillimet e tij dhe lidhet me emrat e xherahëve, mjekëve  popullorë që ishin të pranishëm gati në çdo shtëpi. Më vonë mjekët labovitë me emër, veçanërisht të fisit Meksi, Panajoti e Kondili sollën mirësira të mëdha, duke  krijuar edhe kodikun mjekësor të familjes.  Veprimtaria bamirëse e filantropike në Labovë vazhdoi me labovitët e mërguar jashtë truallit amëtar, në veçanti pasanikut .labovit Vangjel Zhapa. Ai ishte nga fisi Meksi,  Zhapa dhe e jëma e tij ishte Sotira Petro Meksi, kushërira e parë e shqipëruesit  Vangjel Meksi,  Në botë numërohen mbi 500 familje Meksi, që kishin  bërë bamirësi jo vetëm në fshatin e tyre, në krahina e qytetin e  Gjirokastrës, por dhe në  Shqipëri, Ballkan dhe Europë. Me pasurinë e madhe që Vangjel Zhapa vuri në fermën e ti, në Broshtien të Rumanisë, bëri bamirësitë më të mëdha.

Historiani i njohur grek Prof. Georgi Dalianitis, ish Drejtor i Qendrës së Studimeve Olimpike në Athinë, u shpreh në Labovë të Zhapës më 15 prill 2006, se “Kam 47 vjet që studioj Vangjel Zhapën dhe them me plot gojën, që ai i përket jo vetëm Shqipërisë dhe Labovës që e lindi, por edhe Ballkanit, Europës e do të thoshja edhe botës, sepse gjejmë edhe në Rusi, Kinë, Brezil, Angli bamirësi të këtij njeriu të madh. Mezi pres të vizitoj Labovën!”, botuar në botuar në gazetën “Odria” të muajit qershor 2006, Nr.38, faqe 2,

Në shtëpinë e tij tre katëshe, në Athinë, Prof. Dolianitis që në vitin 1960,  ka krijuar bibliotekën “Georgi Dolianitis - shtëpia e Olimpikëve”, duke treguar rrugën e Rilindjes së Olimpizmit Botëror nga Vangjel Zhapa, në vitin 1859. Ai mbetet organizatori i ekspozita- ve “Olimpia Zhapa”, e para  e inaguruar në shtator 2005, dhe e dyta e pasuruar dhe e  inagurua në vitin 2009. Një kopje të saj e presim të vijë në Shqipëri dhe pë të parën herë do ta organizojmë në Tiranë, dhe më pas do të qëndrojë në shekollën e Labovës së Zhapës, të ngritur prej Vangjel Zhapës në vitin 1860.

Vangjel  Zhapa në Rumani

Në Rumani ku kaloi kohën më të gjatë, plot 35 vjet, Zhapa ndërtoi shkolla, akademinë, kisha, investoi për përsosjen e alfabetit rumun, flotën detare, teatrin rumun. Ai e  ndihmoi Naum Veqilharxhin me 25.000 napolona flori, për abetaren shqipe, Akademiku rumun Prof. Nicola Postolake, në librin e tij “Lavdi Vangjel Zhapës”, të përkthyer edhe në shqip nën  kujdesin e veçantë të Prof. Dr. Lluka Heqimit, në faqen 170, shkruante: “Nëpërmjet testamentit dhe epitafit të Vangjel Zhapës, kemi në Rumani gjithashtu një pjesë të të  menduarit të tij, jo vetëm statujat apo bustet prej mermeri apo bronzi. Këto gjurmë materiale, nuk janë lëvdata të të ndjerit, ato zgjatin në përjetësi edhe zërin e Zhapës, me të cilin lajmëronte publikisht epokën moderne në disa fusha, duke përfshirë epokën e Lojrave të Mëdha Olimpike, të cilat vazhdojnë të zhvillohen edhe sot”.

Në gjurmë e Vangjel Zhapës

Në Labovë të Zhapës, Vangje kontribuoi për ngritjen e Gjimanzit “Zhapa” në vitin 1860, ku mësohej edhe gjuha shqipe, ndërtoi kishën e Papandisë, krojet, rrugët, siguroi shumë bursa, shpërndante ndihma familjare, ndaj dhe bashkëfshatarët e quajtën fshatin e tyre Labova e Zhapës, emër i vënë së gjalli të  bamirësit, i hequr me pa të drejtë në vitet 1970.

Me shembullin e tij ai tërhoqi dhe shumë labovitë të tjerë që bamirësuan në fshatin dhe krahinën e tyre. Këta ishin: Llukan Koçi, Vangjel Kondili, Theodhor Dhimitër Meksi, Janaq Meksi. Këtë traditë  labovitët e rrëziotë  e vazhdojnë dhe në shekullin e XX -  XXI. Me modesti sponsorizojnë labovitët Andrea Jorgo Dilo, Jani Orest Ciko, Prof. Dr. Foto Toti, Artan Rako Xhori, Sofokli Papajani, tërbuqoti  Niko Zherdi, lekëljotët  Lefter Bezha- ni,  Luan Lekli, Lluk Llukani dhe të tjerë.

Labova, fshati malor 850 metra i lartë nga niveli i detit, me 70 shtëpi (sot 25 shtëpi), nxjerrë 40 mjekë popullorë, 13 mirëbërës e filantropë! Mirëbërsit labovitë do të vazhdojnë të ndih- mojnë me mençuri, që pasurinë e tyre ta vendosin në themelet e kulturës, të arsimit, të trashëgimisë historike, të çështjeve sociale të Labovës dhe Rrëzës.

/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Mat/ Humbi kontrollin e makinës, 40 vjeçari përplas për vdekje të moshuarin

Mat/ Humbi kontrollin e makinës, 40 vjeçari përplas për vdekje të moshuarin