Familjarë, miq e kolegë përkujtuan regjisorin Kristaq Mitro në 80-vjetorin e tij të lindjes përmes dokumentarit “Cinema is Magic”. I ndarë nga jeta dy vite më parë, Mitro njihet si artisti, i cili me vizionin dhe talentin e tij ndryshoi peizazhin e kinemasë shqiptare.
“Veçantia e këtij filmi dokumentar është sepse është tamam vazhdimësia e asaj çfarë ka lënë Kristaqi, sepse regjisori i këtij dokumentari artistik është një ish nxënës, sot regjisor, Dritan Mesareja, që ka qenë ndër studentët e tij më të mirë dhe grupi i studentëve të tij kanë realizuar sot këtë film dokumentar. Kjo tregon që ai jo vetëm i dha artit, kinematografisë talentin e tij, por atë e trashëgoi dhe te studentët e tij.”, tha për "Report TV" Eliana Mitro, bashkëshortja e regjisorit.
“Dëshira jonë ka qenë që në përvjetorin e lindjes, në përvjetorin e 80-vjetorit të tij të sillnim dhe njëherë atë dritën që ai na ka lënë nëpërmjet veprës, nëpërmjet pasionit, nëpërmjet punës të përkushtuar dhe të mbledhim dhe të tregojmë dhe njëherë për publikun, që i ka dashur aq shumë dhe i do aq shumë filmat, të cilët ai ka realizuar.", tha e bija e artistit, Enida Mitro.
Nënë e bijë ruajnë mjaft kujtime prej bashkëshortit e babait, por thonë se mbi të gjitha ai ishte shumë njerëzor dhe pasionant në atë që krijonte.
“Kur ka xhiruar filmin e tij të parë artistik, “Dimri i fundit”, ata shkuan në darkë dhe u bllokuan atje në dimër, në borë, tre muaj. Ndërsa unë këtu isha e vetme me një vajzë të vogël që përpëlitesha, që duhet ta çoja që në 5 të mëngjesit. Nuk harroj asnjëherë të gjithë premierat e filmave, kur ne dhe si familje, jo vetëm ai, me ankth prisnim si do të priteshin filmat e realizuar.", kujton Eliana Mitro.
Ndërsa e bija sjell në kujtesë një moment shumë të veçantë për të.
“Kam qenë katër vjeç dhe kam luajtur një sekuencë shumë të shkurtër te filmi “Apasionata” dhe megjithëse kam qenë shumë e vogël më është ngulitur, ka qenë një moment që i ka rezistuar kohës.”
Kristaq Mitro është një ndër emrat më të njohur të kinematografisë shqiptare. Ai është ndarë nga jeta në prill të vitit 2023. Së bashku me regjisorin Ibrahim Muçaj ai ka realizuar 13 filma artistikë, mes të cilëve tituj të tillë, si: “Njeriu i mirë”, “Duaje emrin tënd”, “Dimri i fundit”, “Liri a vdekje” etj.
Komente











