"Rilindja e Qyteteve", Rama: Bëjmë
për Lezhën sa s'është bërë 20 vjet!

Lezha ishte sot ndalesa e radhës e Kryeministrit Edi Rama i cili inpektoi punimet në shëtitoren e qytetetit bregdetar që po ndërtohet buzë lumit Drin. Rama u shpreh se investimet në metropolin verior nuk do të ndalen, ndërsa shtoi se koha kur qytetet pushtoheshin nga ferrat, mbeturinat dhe lukunia e ndërtimeve pa leje ka përfunduar.

I shoqëruar nga Kryetari i Bashkisë së Lezhës, Viktor Tushaj, ministri i Mjedisit Lefter Koka dhe deputetja e këtij qyteti, Monika Kryemadhi, Kryeministri Edi Rama tha se projekti Rilindja e qytetit do të bëjë që Lezhës t’i zbulohen vlerat e humbura. Ai garantoi se qeveria do të mbajë premtimin për transformimin e tij teksa projektet do të nisin nga sheshi në krah të memorialit të Skënderbeut e deri tek lidhja me lumin e Lezhës. Drini, sipas Ramës është si Lana e dikurshme, ndaj falë iniciativës qeverisë po kthehet në një nga damarët kryesorë që do t’i japë frymëmarrje qytetit.

rama kryemadhi

“Duke e filluar nga qendra e qytetit, ne e fillojmë dhe nga respekti për një nga gurët më të çmuar të historisë dhe trashëgimisë tonë kulturore dhe historike, që është pikërisht qendra rreth së cilës është ndërtuar qyteti i sotëm i Lezhës. E fillojmë pikërisht këtu, tek sheshi në  krah të memoriali të Gjergj Kastrioti Skënderbeut, që ka mbetur aty, i harruar qysh nga koha e diktaturës dhe është kthyer në një parkim për makinat. E fillojmë nga kjo zonë, për të lidhur qendrën e re të qytetit me lumin që e përshkon qytetin, që deri sot, në pamundësi të plotë nga bashkia për të bërë çfarëdo qoftë, pa mbështetjen e qeverisë në Tiranë, ishte kthyer si Lana e dikurshme në kryeqytet dhe sot po fillon të kthehet në një damar të gjelbër, që do të luajë rol edhe në mikroklimën e qytetit dhe që do të kthehet edhe në një nga zonat më të frekuentuara nga familjet,” – u shpreh Kryeministri.

Ndërsa nënvizoi se edhe për Lezhën do të investohen në 4 vjet, sa në 20 vitet e shkuara sëbashku, Kryeministri njoftoi edhe një tjetër projekt me rëndësi për zhvillimin ekonomik të saj, ngritjen e zonës industriale.  

“Ky është vetëm fillimi. Më vjen për të qeshur kur e them këtë shprehje, se më kujtohen ca që u trembën nga kjo. Unë ju siguroj se ne do t’i qëndrojmë zotimit, që në 4 vjet do të bëjmë për Lezhën, çfarë nuk është bërë në 20 vjet bashkë. Por jo vetëm kaq. Do bëjmë për Lezhën, çfarë do t’i japë mundësi të rejave dhe të rinjve dhe familjarëve në këtë qytet ta shikojnë të ardhmen këtu. Shumë shpejt, ne besoj se do të kurorëzojmë dhe projektin e madh të zonës industriale, që do të zhvillohet, sigurisht, jashtë qytetit aktual, por që do t’i japë mundësi Bashkisë së re të Lezhës që të ketë një tjetër pol zhvillimi ekonomik”, tha Rama.


rama ne lezhe

Të gjitha këto ndërhyrje, për Kryeministrin Rama, do të krijojnë një zonë të integruar me gjithë elementet e tjera që sjellin funksionalitet social dhe i rikthejnë komunitetit, hapësirat publike. “Nuk po ju them që mbas realizimit të këtyre projekteve, Lezha do jetë e dyta pas Berlinit. Këtë nuk jua them dot, por po ju them vetëm diçka, që mbas realizimit të këtyre projekteve, të gjithë ata që presin të ndodhin ndryshime, edhe përtej kufirit të këtyre projekteve do jenë shumë më shpresëplotë dhe, do ta kenë shumë më pranë ndryshimin.”  

Kryeministri inspektoi edhe ecurinë e projektit “Rehabilitimi i Bregut të Drinit”. Me një fond prej 30 milionë lekë, rikualifikim urban do të pësojë lumi që përshkon qytetin, përgjatë të cilit do të ndërtohet aksi i pedonales, me pistën e biçikletave dhe hapësirat e gjelbra, me mbjelljen e 1000 pemëve dhe 2400 bimëve të tjera dekorative.

rama ne lezhe
Pjesë e rëndësishme është edhe rikonstruksioni i rrugës hyrëse që fillon nga rrethrrotullimi në superstradën Tiranë-Lezhë deri në urën mbi lumin Drin, e pozicionuar në hyrje të qytetit, e cila do të vishet me gurë. Ky investim me vlerë 40 milionë lekë parashikon gjithashtu, edhe lidhjen e rrugëve dytësore, si dhe sinjalistikë vertikale dhe horizontale.

Rikonstruksioni i rrugës Kodër-Marlekaj, 1.7 kilometra, me vlerë mbi 89 milionë lekë, është një tjetër projekt i rëndësishëm në zbatim, i cili i vjen në ndihmë edhe zhvillimit të një zone informale. Me një investim me vlerë mbi 220 milionë lekë, ndërhyrjet urbane nisin me rivitalizimin e sheshit  të qendrës “Besëlidhja”, të sheshit “Gjergj Kastrioti” sëbashku me  rikualifikimin e lulishtes para memorialit të Skënderbeut. 

lezha drini

Koka e Kryemadhi: Transformim Lezhës, pas lënies në harresë
Ministri i Mjedisit, Lefter Koka, tha se qytetet e vendit kanë nisur të kenë transformim, pas lënjes së tyre në harresë nga qeveritë paraardhëse.
 
“Qytetet kanë nisur të kenë transformim. Qytetet e vendit kishin mbetur në harresë.” tha Koka
 
Ndërsa deputetja e zonës Monika Kryemadhi, shprehu bindjen se me punën e nisur në Lezhë do të bëhen transformimet që qytetarët lezhianë i meritojnë.
 
Jam e bindur që në Lezhë do beëhet shumëfish punë dhe transformimet që lezhianët i meritojnë.
 
Tushaj: Reforma territoriale sjell përmirësim të shërbimeve dhe standarteve
Nga ana e tij, edhe kreu i Bashkisë Tushaj, shprehu vlerësimin e tij për projektet e qeverisë, ku shprehu bindjen se ato do ta transformojnë Lezhën. Tushaj vlerësoi edhe ndarjen e re territoriale ku shprehu bindjen se ajo do të sjellë përmirësim të shërbimeve dhe standarteve.
 
“Falenderim për reformat po mbi të gjitha për reformën administrativo-territoriale. Kjo reformë për përmirësim shërbimesh dhe standarteve. Projektet që nisin nga hyrja e qytetit, do sjellin ndryshim thelbësor të Lezhës.” tha Tushaj

Rama: Ja si ndryshoi lumi që po zinte frymën qytetit nga derdhja e plehrave
Gjatë vizitës së tij në Lezhë ku prezantoi projektet për këtë qytet në kuadër të programit “Rilindja e Qyteteve”, Kryeministri Edi Rama ka ndarë edhe një foto të lumit të Lezhës që po ndryshon falë punës dhe ndërhyrjes së qeverisë. Në postimin e tij, Rama shprehet se tashmë i ka ardhur fundi vendit ku derdheshin plehrat e rriteshin ferrat, që siç theksoi ai i kishin zënë frymën qytetit verior

“Lumi i Lezhes ku derdheshin plehrat e rriteshin ferrat qe i kishin zene fytyren e frymen qytetit verior qe po rilind.” shkruan Rama
 

Redaksia Online
(e.c/shqiptarja.com)

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

I mori 8 mln lekë pacientes me COVID, Gjykata dënon me 4 vite burg për mashtrim sanitaren (EMRI)

I mori 8 mln lekë pacientes me COVID, Gjykata dënon me 4 vite burg për mashtrim sanitaren (EMRI)